Ndikimi negativ i dyshimeve në jetën tonë

Dyshimi

Me dyshime kuptojmë: ”Të mendosh keq për të tjerët vetëm me anë të dyshimit”.

Dyshimi vjen nga shejtani, i cili ka mjeshtëri të veçantë për këtë në të gjitha sferat e jetës, sepse kjo është edhe detyra dhe profesioni i tij.
Shejtani dëshiron që të shkatërron të gjitha punët në jetën tënde, dhe sidomos të ndikojë në momentin e vdekjes që të ta largojë imanin.
Ai është armik i përbetuar dhe i përhershëm i njeriut.

Te çdo njeri është një shejtan i veçantë, që e përcjell atë gjatë gjithë jetës e deri në vdekje. Muhamedi a.s. thotë: “ Shejtani qarkullon në trupin e njeriut ashtu siç qarkullon gjaku i tij”.
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Ai mundohet ta paraqesë jo të drejtën në fotografi të së drejtës.
Kura’ani i ka kushtuar shumë rëndësi kësaj çështjeje në disa ajete, prej tyre:

“ O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin”. (El huxhurat 12).
Dhe thotë: “ … E paragjykimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës”. (En nexhm 28).

Gjithashtu Muhamedi a.s. në disa hadithe ka tërhequr vërejtjen që të mos merremi me dyshime.
Në një hadith ai thotë: “ Kujdes nga dyshimet, sepse dyshimi është lajmi më gënjeshtarë. Mos përgojoni, mos spiunoni, mos bëni zili, mos ia ktheni shpindën njëri-tjetrit, dhe mos u urreni midis jush!. Bëhuni vëllezër o rob të Allahut “ (Transmeton Buhariu dhe muslimi)

Nga këto argumente kuptojmë se sa e rrezikshme është të merremi me dyshime, dhe se ato të çojnë në përgojim, pastaj deri tek urrjetja dhe largimi nga njëri tjetri.
Kur’ani na e ka ndaluar që të merremi me dyshime deri sa të mos jemi të sigurtë për diçka, dhe kjo sidomos kur na sjell një person ndonjë lajm nga dikush kundër nesh, gjithashtu atë person e ka quajtur (fasik) të pandërgjegjshëm. Allahu në Kur’an thotë:

“ O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtonie mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”. (El huxhurat 6).
Pra, na kërkohet detyrimisht që ta kuptojmë mirë çështjen para se të reagojmë, kurse atyre që na sjellin lajme të tilla mos ti falënderojmë për to, por ta kuptojmë se Zoti ata i ka degraduar me fjalën ‘i pandërgjegjshëm’, dhe t’ua tërheqim vërjetjen ose t’i këshillojmë që të mos sjellin më aso lajme.

Llojet e dyshimeve

Dyshimet në besimin në Zot
Njerëzve me njohuri të kufizuara rreth Zotit dhe besimit në Zot, shejtani u sjell në kokë shumë pyetje në vetveten, për të cilat, nëse nuk gjejnë përgjigje të merituara, shpeshherë futen në dyshime, e më pastaj mund të kalojnë edhe në shirk.
Ndër pyetjet më të shpeshta që sillen tek një numër i njerëzve, është pyetja për fillimin e botës, për fillimin e njerëzisë, pastaj kush e krijoi Zotin e shumë të tjera.
Muhamedi a.s. thotë për këtë: “ Shejtani i bën vesvese ndonjërit prej jush duke i thënë: Kush të ka krijuar? E ai thotë: Allahu i madhëruar. E pastaj i thotë: E kush e ka krijuar Allahun?! Nëse dikush e gjen veten kështu, le të thotë: Besoj në Zotin dhe të dërguarin e tij” .
(Transmeton Ahmedi)
Është mirë që të thotë edhe : Eudhu bil-lahi mineshshejtanirrrraxhim ,, pastaj le ta shqipton shehadetin, dhe le të lexon suret; Kul eudhu birabbil felek, dhe Kul e udhu birabbinnas.

Dyshimet në adhurime

Porta e injorancës është porta më e madhe nga e cila depërton shejtani te njerëzit, kurse tek i dituri mund të depërton vetëm duke u përvjedhur.
Dyshimet në këtë fushë janë të mëdha, sepse fusha e adhurimeve është e madhe.

Duke filluar te abdesi në shpenzimin e ujit të tepërt, pastaj nëse i ka larë mirë pjeset e trupit, e shpesh ndodhë që, pas abdesit, ose gjatë namazit e edhe pas tij, të dyshojë në abdesin e tij e ta përsërisë abdesin dhe namazin.
Në namaz është hapsira më e madhe, duke filluar nga nijeti, pastaj shpejtësia e faljes, largimi i vëmendjes nga namazi për t’iu afruar mendimeve të ndryshme, si për numrin e rekateve dhe shumë të tjera.

Disa njerëzve shejtani ia zbukuron faljen e dy rekateve nafile duke i lënë farzet.
Forma tjetër e dyshimeve është nxitja e njerëzve që të lavdërohen për adhurimet e tyre, si sadakaja, namazin nafile, agjërimet vullnetare, e shpesh dikujt nëse ka qenë në haxh, nuk i pëlqen pse njerëzit nuk e thërrasin aga haxhi, e shumë të tjera.

Dyshimet mes antarëve të familjes
Shumica e problemeve brenda familjeve fillojnë nga dyshimet mes tyre. Vëllezërit, për shembull, problemet e tyre i fillojnë nga çështjet e imta mes tyre dhe bashkëshorteve të tyre, të cilat përfundojnë me ndarje dhe pastaj të mos flasin mes vete. Pastaj problemet në mes vjehrrës dhe resë së saj, që, sipas të dhënave, gjithmonë burimin e kanë në dyshime.
Problemet në mes burrit e gruas që shpeshherë përfundojnë me ndarje, bazë kryesore kanë dyshimet e vogla e të parëndësishme përmes të cilave shejtani arrin t’i ndajë ata.

Allahu në Kur’an thotë: “Shumica e tyre nuk përkojnë tjetër pos supozim, e supozimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës. Allahu di shumë mirë për ata që punojnë” Junus 36.

Dyshimet mes shokëve dhe miqëve.
Numri më i madh i ngatërresave mes miqve e shokëve, bazohen kryesisht mbi dyshimet, sepse ato fillojnë me mendimin negativ ndaj njëri-tjetrit pa kuptuar mirë realitetin, pastaj krijohet një shmangie në mes tyre, pason hidhërimi dhe shpesh arrijnë ngatërresa.

Allahu në Kur’an thotë: “Dhe mos iu qas asaj për të cilen nuk ke njohuri, pse, të dëgjuarit të pamët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi” El Isra’ë 36
Muhamedi a.s. një natë ishte duke ecur me gruan e tij Safijen, dhe takoi dy nga as’habët.
Pasi e përshëndetën, Muhamedi a.s. u tha: Ndaluni vetëm pak!. Kjo është Safija, e bija e Hujejit. I thanë: Subhanallah ja Resulallah. Tha: Shejtani qarkullon tek njeriu sikurse qarkullon gjaku, e unë u frikësova që mos të hedh në zemrat tuaja ndonjë të keqe. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Prej dijetarëve kanë thënë: “Më mirë mundohu që t’i gjesh dikujt njëqind arsye, se sa të akuzosh dikë vetëm një herë me dyshim”.

Dyshimet në punë
Shejtani, nëse nuk mundet të ndikojë te besimtari ku dëshiron ai, atëherë e shfrytëzon pikën e dobët përmes së cilës arrin ta devijon atë. Meqenëse paraja është mjeti më i lehtë për ta sprovuar njeriun, atëherë shejtani e përdorë këtë duke u munduar që personi fillimisht të arrije deri te punësimi përmes mashtrimeve, ryshfetit, duke i marrë të drejtën dikujt që ka më shumë merita etj.
Pastaj, duke qenë në punë,, ia zbukuron mospunën nëse nuk e sheh pronari, ose nuk e jep kontributin e duhur nëse nuk e sheh dikush, shpërdoron orarin e punës etj.

Të gjitha këto, duke ia mbushur mendjen se ai e meriton fitimin me pak punë, sepse kinse nuk vlerësohet ose nuk paguhet sa duhet nga pronari.
Shumë njerëz krenohen që nuk punojnë gjatë orarit të punës, duke e llogaritur si previlegj ose vetn si guximtar që e tolerojnë atë të bëjë ashtu, por të gjithë këta harrojnë se çdo kohë e humbur kështu sjell përfitimin e paligjshëm, që nënkupton se rroga që merr në fund të muajit ose në fund të punës, është haram, e ai me këtë ushqen falimljen e tij, që domethënë i ushqen me haram, për çka pasojat do të jenë të rënda.
Muhamedi a.s. thotë: “ … ai që bie në dyshim bie në haram…”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Dyshimet në punë vullnetarë të hajrit
Shpeshherë ndihet nevoja që të marrim nisma për veprime në dobi të shoqërisë dhe të angazhohemi në ato punë të mira.

Këtu përdoren metoda nga më të ndryshmet si: Ata që nuk duan të angazhohen flasin dhe kritikojnë pa të drejtë. Disa të tjerë dalin vetëm që të marrin poena para të tjerëve me pjesmarrjen, disa të tjerë mundohen të përfitojnë nga këto, e disa shpesh, kur shohin se nuk po ndihmohen, largohen me arsyetimin se askush nuk ta vlerëson punën dhe angazhimin, dhe për këtë arsye largohen nga këto punë të dobishme. Të gjitha këto lëvizje janë shkak i dyshimeve që shejtani të luajë me mendjet e njerëzve duke u bërë vesvese.

Dyshimet në mendje dhe logjikë
Nga dyshimet më të rrezikshme që kohët e fundit i ka aktualizuar shejtani në mendjet e njerëzve, janë vesveset ose sugjestionet në mendimet e tyre duke u futur frikën nga gjithçka, e sidomos se ata do të vdesin shpejt. Nga kjo ata pastaj ndihen si të sëmurë, e kur mjeku i thot se nuk kanë ndonjë sëmundje, atëherë drejtohen nëpër falltorë të ndryshëm dhe, me anë të mjekimeve që u propozon falltori, ata shpeshherë futen në shirk dhe, kësisoj, shejtani arrin suksesin e tij më të madh, që një besimtar ta nxjerr një besimi.

Dyshimet te kërkuesi i diturisë (nxënësi dhe studenti)
Disa dijetarë kanë thënë: Shejtani suksesin më të madh të tij ndaj njeriut pas shirkut e ka, nëse:
1. Përçan antarët e një familjeje, e burri ndahet nga gruaja etj., si dhe:
2. Nëse dikë e pengon dhe e lë pa dituri.

Vesveset e shejtanit e godasin shumë nxënësin duke ia zbukuruar ikjen nga orët të mësimit, që ai të kënaqet edhe këtë vit, se më pastaj nuk do t’i ketë më këta shokë, ia zbukurojnë përdorimin e duhanit dhe alkoolit në mbrëmjen e maturës dhe në ekskursion, pastaj, t’i ndëgjojë shokët më shumë se prindërit, dhe shumë gjëra të tjera, ku shejtani është gjithmonë në gjendje gatishmërie për t’i futur dyshime njeriut dhe për ta devijuar atë.

Dalja nga kjo krizë
1.Vetëbesimi, pastaj bindja se këto janë vesvese të shejtanit.
2. Ai që mendon se është i sëmurë, të krijojë bindje se nuk është i sëmurë, po vesveset e kanë sjellë në atë gjendje.
3. Ta kuptojë se këto nuk mund ta dëmtojnë asnjëherë, sepse Zoti nuk ia ka mundësuar djallit që të ndikojë tek ne fizikisht, po vetëm përmes dyshimeve.

4. Atyre të cilëve u shfaqet frika e vdekjes, le të binden se nuk vdesin kurrë nga kjo frikë, sepse Zoti besimtarëve para vdekjes ua largon frikën.
5. Të shkojë për vizitë te mjeku, psikiatri dhe psikologu, sepse ata mund t’i ndihmojnë shumë në këto vesvese.
6. T’u largohet mëkateve që ta largojë edhe shejtanin prej vetes, sepse aty ku bëhen mëkate, është i pranishëm edhe shejtani.

7. Të jetë sa më tepër me abdes dhe të mos i lë namazet farze, sepse namazi është kështjellë dhe sulmi më i madh kundër shejtanit.
8. Lutjet e ndryshme nga Kur’ani dha syneti, por edhe lutjet me fjalët e veta, që Zoti t’ia largojë vesveset.
9. Të bjerë në gjumë gjithmonë me abdes, e mundësisht edhe të falë dy rekate nafile para gjumit.

10. Pendimi nga të gjitha mëkatet, që të pranohen lutjet për këtë çështje e, nëse kemi mëkate ndaj të tjerëve, të kërkojmë falje prej tyre, se ndoshta mund të jetë ndonjë mallkim (lutje kundër nesh prej tij) për ndonjë zullum që i kemi bërë, e Zoti e ka pranuar lutjen e tij.
11. Sadaka të ndryshme në emër të shërimit.

Mr. Ragmi Destani

Burimet
Kurani me përkthim – Sherif Ahmeti – Prishtinë
Shejtani dhe njeriu – Muhamed mutewli esha’rawi – Ahbar eljewm Kairo 1990
Telbisu Iblis – Ibn elxhewzi elbagdadi – dar elkalem – Beirut Liban 1403 h.
Rijad essalihin – Ebi zekerijja ennevevi – dar ihja’ë elkutub elarabijeh Kairo
Muhteser Minhaxh elkasisdin – Ibni Kudame elmakdisij – darul hixhreh & darul bejan – 1986 Bejrut./Mesazhi/