Ndihma humanitare botërore e Turqisë përbën 26 për qind në vitin 2019

Ndihma humanitare globale e Turqisë përbënte diçka më pak se 26 për qind në vitin 2019, tregojnë të dhënat e një organizate të pavarur ndërkombëtare për zhvillim, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ajo u bë vendi që shpenzon më së shumti për ndihma humanitare për tre vjet duke filluar nga viti 2017, sipas Raportit Global të Ndihmës Humanitare të Nismës për Zhvillim (DI) që u publikua në fillim të kësaj jave.

Ajo shpenzoi 7.6 miliardë dollarë për ndihma humanitare vitin e kaluar ndërsa ndihma humanitare globale arriti në 29.6 miliardë dollarë në vitin 2019, nga 31.2 miliardë dollarë në 2018.

Pas Turqisë radhiten SHBA me 7 miliardë dollarë, Gjermania me 3.3 miliardë dollarë, Mbretëria e Bashkuar me 3.1 miliardë dollarë dhe Arabia Saudite me 1.4 miliardë dollarë.

Shpenzimet e ndihmës humanitare të Turqisë ishin afro 0.84 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa SHBA-të siguruan 0.03 për qind, Gjermania 0.08 për qind, Mbretëria e Bashkuar 0.11 për qind dhe Arabia Saudite 0.18 për qind.

Turqia u rendit e treta në raportin e DI në vitet 2013, 2014 dhe 2015 dhe e dyta në vitin 2016.

Ajo gjithashtu ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve në botë me afro 4 milionë, sipas shifrave zyrtare. Numri i refugjatëve sirianë që jetojnë në Turqi ishte 3.6 milionë në maj.

Vitin e kaluar, numri i personave të zhvendosur u rrit në 79.5 milionë, duke u rritur me 8 për qind ose 6.1 milionë në bazë vjetore, tregon raporti.

Diku rreth 23.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare u ndanë nga qeveritë dhe institucionet e Bashkimit Evropian ndërsa pjesa tjetër u dha nga donatorë privatë.

Donatorët privatë përfshinin individë, truste, fondacione, kompani dhe shoqëri kombëtare.

Raporti thekson se shumica e ndihmave shkuan në Jemen (5 miliardë dollarë), Siri (2.3 miliardë dollarë), Irak (1.3 miliardë dollarë), Sudanin e Jugut dhe në Palestinë (që të dyja nga 0.8 miliardë dollarë).

Ndërsa ndihma humanitare për Jemenin u rrit 145 për qind nga viti në vit në vitin 2019, ajo u zvogëlua në katër vendet e tjera.

Organizatat shumëpalëshe transportuan 15.6 miliardë dollarë ndihma ndërsa 4.1 miliardë dollarë kaluan nëpër organizata joqeveritare dhe 3.1 miliardë dollarë përmes aktiviteteve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

DI është një organizatë e pavarur ndërkombëtare e zhvillimit që përqendrohet në rolin e të dhënave në drejtimin e zhdukjes së varfërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

– Pandemia ka shkaktuar pakësimin e ndihmës humanitare

Mevlut Yurtseven, kreu i Aleancës së Mjekëve Ndërkombëtarë (AID) tha se Turqia ofron ndihmë humanitare mbi kapacitetin e saj.

Ai potencoi se veprimet e ndihmës janë pjesë e politikave ndërkombëtare dhe vendet që janë aktive në këtë fushë mund të vijnë në ballë në aspektin global.

Duke folur për uljen e ndihmës humanitare, ai paralajmëroi se angazhimet e ndihmës mund të ulen shumë më tepër këtë vit dhe vitet e ardhshme për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Pas periudhës së pandemisë, qeveritë do të zvogëlojnë pjesën e ndihmës në buxhetet e tyre dhe angazhimet e ndihmës do të jenë të kufizuara”, tha ai.

Aktualisht Jemeni përballet me konflikte të ashpra dhe është në një krizë që ka nevojë për ndihmë të ndërmjetme, tha ai.

AID është aktiv në vendet që kanë nevojë për ndihmë humanitare, veçanërisht ndihmë mjekësore.

– Përgjegjësia shndërrohet në mobilizim

Ridvan Kaya, kryetari i Shoqatës së Mendimit të Lirë dhe të Drejtave Arsimore (Ozgur-Der) tha se ndihma humanitare e Turqisë vitet e fundit është një rezultat i ndjeshmërisë së saj ndaj çështjeve rajonale dhe globale.

Ozgur-Der është e pranishme me aktivitete të ndihmës humanitare veçanërisht në Siri duke transportuar materiale në zonat e konfliktit dhe duke ndërtuar shtëpi të përkohshme për personat e zhvendosur.

Ndjeshmëria e përgjegjësisë së Turqisë për botën dhe vendet islame së fundmi u shndërrua në përpjekje të mobilizimit.

“Nuk është detyrë e lehtë për aktivitetet afatgjata të ndihmës. Vështirësitë ekonomike mund të ulin donacionet dhe pikëpamjet negative nga zonat e konfliktit. Gjithashtu mund të rezultojnë në ulje të ndjeshmërisë së njerëzve për ndihmë”, nënvizoi Kaya.

Ai përshëndeti faktin që mjerimi i Jemenit më në fund ndodhet në axhendë pas indiferencës së gjatë ndaj telasheve të mëdha në këtë vend, theksoi ai.

Njerëzit, të cilët vuajnë nga uria, shqetësimi dhe mjerimi në të gjithë botën, për fat të keq nuk mund të vijnë në axhendën globale, tha Kaya.

Ai theksoi se disa vende, si Rusia dhe Kina, përdorin operacionet e ndihmës humanitare si armë.

Rusia dhe Kina vendosën veto ndaj një projekt-rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në fillim të këtij muaji, e cila do të mundësonte vazhdimin e ndihmave ndërkombëtare për Sirinë për 6 muaj shtesë përmes kalimeve kufitare Oncupinar dhe Cilvegozu në Turqi.

Pas këtij vendimi, portat kufitare u mbyllën për ndihmat humanitare ndërkombëtare.