Ballina Artikuj Ndërtimi i shtetit në kohën e Pejgamberit a.s

Ndërtimi i shtetit në kohën e Pejgamberit a.s

Prof. Dr. Qazim Qazimi

Pluralizmi në Islam

Shënimet historike dhe biografike mbi Muhammedin a.s. tregojnë se të gjithë bashkëkohësit e tij në Jethrib (Me dinë), miq e armiq, i njohën cilësitë e tij, ndershmërinë e pakundërshtueshme, virtytet fisnike, sinqeritetin absolut dhe çdolloj mirëbesimi kundrejt Pejgamber it të Islamit në gjithë rrugët e jetës e në çdo sferë të aktivitetit njerëzor.
Edhe pse tek personaliteti i Muhammedit a.s. ishin përqendruar disa funksione dhe detyra, – qeverisje e tipit teokratik, parim parësor në ndërtimin e institucioneve ishte parimi demokratik (mendimi, sundimi i shumicës)-këshilli konsultues (Esh-shura).
Kjo bashkësi shtetërore islame kishte veçoritë e veta, që ishin:
– Uniteti i fesë dhe i politikës;
– Vahji-Shpallja ishte ligj themelor dhe bazë;
– Koncepti unitaristik i shtetit;
– Qeverisje direkte e popullit, vendimit të shumicës i nënshtrohej edhe vetë Pejgamberi a.s.;
– Fryma demokratike e qeverisjes së Pej gamberit a.s..
Nuk ka dyshim se Muhammedi a.s. në rend të parë ishte pejgamber i dërguar për gjithë njerëzit, pa dallim, ishte pra nues i shpalljes – Er-Risaletu dhe e kish te për detyrë të transmetonte predikimin e saj – Et-Teblig.
Muhammedi a.s., përveçqë ishte pejgamber, ishte edhe udhëheqës -“El-Imametu”. Ai ishte në cilësinë e një kryetari të shtetit. Pejgamberi a.s. mbante mbi vete edhe pushtetin shtetëror, edhe pushtetin fetar.
Faktet tregojnë se Kurani gjatë trembëdhjetë vjetëve të parë, sa ka zgjatur zbritja e tij në Mekë, kishte diskutuar e shtjelluar dhe theksuar ekskluzivisht çështjet e besimit dhe përgjegjësisë, dhe përgjatë atyre trembëdhjetë vjetëve nuk i kishte hyrë shqyrtimit të cilitdo problem shoqëror ose politik apo formulimit të cilitdo ligj të shoqërisë të mbështetur në Islam.
Në kushte të reja të jetës dhe veprimtarisë, bashkësisë dhe shtetit islam në Jethrib (Medinë), i ndihmonte edhe vetë Shpallja. Derisa Vahji me të gjitha format e tij, në Mekë trajtonte kryesisht çështje të besimit dhe ngjarje të së kaluarës,- në Medinë trajton edhe nevojat praktike të jetës fetare-juridike dhe shoqërore me dispozita dhe rregulla të përgjithshme. Institucioni i namazit, dispozitat për Kiblen (drejtimi gjatë faljes së namazit nga Qabeja në Mekë), pastaj institucionet – agjërimi, zeqati, haxhi, dhe dispozita të tjera juridike-fetare, sociale e ekonomike, humane dhe morale, – që të gjitha këto patën ndikim të madh në afrimin e komuniteteve të ndryshme që jetonin në Medinë.
Është realitet i pamohueshëm se, pas arritjes së Pejgamberit a.s. në Jethrib (Medinë), Bota Arabe u ndryshua në saje të mësimeve madhështore hyjnore. Zemrat e thara nga paganizmi e devijimi fetar u freskuan me flladin e besimit monoteist-Islamin; shpirtrat u mbushën me dashuri hyjnore; mendjet u ndritën me dritën Islame. Këto ndryshime të mëdha, dhe kjo epokë e re lulëzuese, ishin diçka që u përkisnin mrekullive të Muhammedit a.s., të cilin Allahu ia çoi njerëzimit në përgjithësi e arabëve në veçanti.
Islami në mënyrë të përsosur ka vënë baraspeshën ndërmjet individit dhe bashkësisë. Asnjë sistem i besimit dhe i moralit jashtë Islamit nuk ka sjellë pa rime metafizike dhe masa shoqërore për të evituar në mënyrë të plotë dhe të prerë egërsinë, maltretimin lëndor e shpirtëror dhe eksploatimin në relacionin njëri-njëri.
Kur Pejgamberi a.s. arriti në Jethrib Medinë, aty u bënë katër bashkësi etnish:
1. Muhaxhirët myslimanë të emigruar nga Meka.
2. Ensarinjtë-vendorët myslimanë, nga fiset Evs dhe Hazrexh.
3. Idhujtarët vendorë arabë, nga fise Evs dhe Hazrexh.
4. Jehudinjtë-Hebrenjtë të përbërë nga tri fise: Benu Kajnukaë, Benu Kurej dha, Benu En-Nedir.
Asociacioni i parë islam, bashkësia islame në Medinë, e formuar nga besimtarët e ardhur- muhaxhirët nga Meka dhe myslimanët autoktonë, ensarinjtë nga fiset Evs e Hazrexh, filloi rregullim in e marrëdhënieve me hebrenjtë, të kri shterët dhe etnitë e tjera që jetonin në Medinë.
Shikuar nga këndvështrimi i besimtarëve monoteistë, ardhja e Muhammedit a.s. në Jethrib (Medinë), ishte një fitore si për hebrenjtë edhe për të krishterët, ngase të gjithë këta i përkisnin besimit monoteist. Pas ardhjes në Medinë, Pejgamberi filloi të punonte me ta dhe themeloi bashkësinë e parë medinase të një tipi krejtësisht të ri, që nuk ishte i njohur më përpara dhe nuk bazohej në përkatësinë e gjakut, të racës, e as të territorit.
Islami mëson se të gjithë njerëzit janë rob të Zotit, e feja e Zotit është feja e monoteizmit. Zoti i Madhëruar, të gjithë pejgamberët që ka dërguar, i ka porositur për t’u bërë thirrje popujve të tyre për besimin në një Zot të Vetëm. Ka shumë ajete të Kuranit që apelojnë për karakterin dhe praktikën e marrëdhënieve të myslimanëve me ithtarët e librave të tjerë të shpallur “Ehlu El-Kitabi”, sikur në ajetin:
“Thuaj: Ne i kemi besuar All-llahut, edhe asaj që na është zbritur neve, dhe asaj që u është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që u është zbritur pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim në mes të njëri-tjetrit prej tyre, dhe Atij (All-llahut) i jemi në nshtruar (si myslimanë)”(1)
Muhammedi a.s. ndaj hebrenjve dhe të krishterëve jo vetëm që pati një mirësjellje të njerëzishme, por bëri edhe pran imin e vërtetësisë fetare të tyre. Islami Hebraizmin dhe Krishterimin nuk i trajtonte si fe me qëndrime të tjera, por si fe juridikisht të barabarta dhe fetarisht të shpallura nga Zoti. Statusi i tyre legjitim ishte status fetar e jo sociopolitik, kulturor, ideologjik ose tjetërfare. Islami nuk e shikonte veten si diçka që vinte në skenën fetare krejtësisht i ri, krejtësisht i paparë, krejtësisht i padëgjuar, por si riafirmim i po asaj të vërtete që kishin shpallur më herët pejgamberët e mëparshëm tek popujt e tyre.
Duhet thënë se shteti i parë mysliman bazohej kryekëput në fenë, dhe bazat themelore të tij bazoheshin në Vahjin–Shpalljen që i vinte Muhammedit a. s. Pandërprerë. Parimet islame interpretojnë dhe justifikojnë pushtetin politik të përqendruar në Krijuesin, faktin se pushteti absolut i përket vetëm Allahut krijon mbështetjen teorike të pluralizmit fetar, nacional, kulturor dhe të monizimit institucional në traditën islame. Të gji tha çështjet e njerëzimit mund të klasifikohen si çështje e pëlqimit nga zemra e burimit autentik të qytetërimit, e Islami paraqet besimin se nuk ka zot tjetër për veç Allahut, dhe se Muhammedi a.s. është rob dhe i dërguar i Tij.
Pejgamberi a.s. në Medinë themeloi një bashkësi, një komunitet të bazuar kryekëput në fenë monoteiste-besimin në një Zot të Vetëm e të pashoq.(2) Medina u bë qytet-shteti i parë islam.

Institucionet shtetërore juridike e politike

Kushtetuta e Medinës

Duhet theksuar se në Medinë, përveç nevojave të tjera, kërkohej një legjislacion i një grupimi shoqëror (komuniteti mysliman) për t’i ushtruar aftësitë e veta shtet-formuese, dhe kjo ishte bërë kërkesë dhe imperativ i kohës. Muhamedi a.s., në marrëveshje me medinasit; myslimanët (vendorë dhe muhaxhirë), hebrenjtë (Benu Kajnukaë, Benu Kurejdha, Benu En-Nedir), të krishterët dhe idhujtarët,-urdhëroi që të hartohej një dokument-akt, i cili do të ishte bosht i bashkimit dhe mbarëvajtjes së punëve të banorëve të Medinës. Të gjithë u mblodhën dhe u takuan në shtëpinë e Enesit, për të hartuar bazën ligjore, aktin kushtetues për themelimin e shtetit të përbashkët. Akti i formimit të asaj bashkësie ekziston edhe sot. Ai akt i shtet-formimit, i njohur si “Karta e Medinës”, (Es-Sahifetu), e njohur edhe si “Shkresa e Medinës (El-Kitabu)“, po edhe si “Dokumenti i Medinës-(El Vethikatu)”(3), me të drejtë konsiderohet si njëlloj kushtetute parlamentare, me nuanca hyjnore, në të cilën janë cekur detyrat dhe të drejtat e qytetarëve, por edhe të udhëheqësit të shtetit.(4) Ajo ka qenë kushtetuta e parë e shtetit islam, por edhe kushtetuta e parë që ishte shkruar ndonjëherë në rruzullin tokësor.(5)
Sipas kushtetutës, qytet-shteti i Me dinës ishte bashkësi fetare, territoriale dhe politike, të cilën e përbënin myslimanët e migruar nga Meka (muhaxhirët), myslimanët vendorë (ensarinjtë) dhe jo myslimanët që e njihnin pushtetin qendror shtetëror e që pranonin detyrimet, që, në raste lufte të luftonin së bashku me myslimanët për mbrojtjen e qytet shtetit. Lidhja në mes myslimanëve ishte e bazuar në vëllazërinë, dashurinë dhe barazinë islame e jo në baza farefisnore e as kombëtare. Myslimanët ishin të bashkuar si një komunitet i vetëm pa marrë parasysh se nga vinin. Qytetarëve në “Kartë-kushtetutë-(Es-Sahifetu) u garantohej liria e të gjitha religjioneve, me theks të veçantë, hebrenjve u siguro hej barazia me myslimanët në çdo fushë të jetës. Të gjithë anëtarët dhe të gjitha bashkësitë, të nënshkruarit e Kartës së Medinës, konsideroheshin si një Ymet, kurse çdo bashkësi ishte bashkësi e veçantë juridike me autonominë e vet fetare dhe kulturore. Po të sulmohej Me dina, nga kushdo qoftë, të gjithë banorët e saj ishin të obliguar ta mbronin qyte tin. Pejgamberi ishte autoriteti numër një dhe i vetmi për të gjitha punët e Medinës.(6) Ai tani nuk ishte vetëm udhëheqës fetar, por edhe udhëheqës politik e shtetëror. Ishte si një shef i një shteti, po në të njëjtën kohë edhe komandant i ushtrisë.
Kushtetuta – “Karta medinase-(Es Sahifetu) për nga përmbajtja, mund të ndahet në katër pjesë të perceptuara në 70 nene, duke llogaritur këtu edhe disa nene të përsëritura a të përafërta a të ngjashme(18 sosh). Në “Kartën kushte tutë-(Es-Sahifetu) 51-52 nene janë fondamentale dhe të papërsëritura.(7) Prej tyre 25 kanë të bëjnë me myslimanët dhe 27 me jomyslimanët. Me atë akt proklamo hej formimi i entitetit juridiko-shoqërore në mes myslimanëve nga Meka (muha xhirëve), myslimanëve vendorë (ensa rinjve) dhe jomyslimanëve nga Medina, të cilët e kishin njohur pushtetin qendror të Muhamedit a.s.. Ndoshta, pika më e rëndësishme dhe kulmore e asaj “Karte” ishte bashkimi dhe vëllazërimi i myslimanëve vendorë-(ensarinjve) dhe ardhacakëve-(muhaxhirëve), si dhe ajo pjesë që parashikonte ose, më mirë të thuhet, obligonte pabesimtarët e çifutët që në koalicion me myslimanët, të luftonin së bashku kundër çdo armiku që do t’i sulmonte ose rrezikonte si pabesimtarët e çifutët, ashtu edhe myslimanët dhe interesat e tyre të përbashkët.(8) Për të funksionuar paqja dhe siguria në tërë rajonin-shtetin dhe më gjerë, Pejgamberi a.s. lidhi marrëveshje të ngjashme dhe aleanca edhe me fise të tjera arabe, në varësi prej situatës dhe rrethanave ekzistuese.

Organizimi i pushtetit qendror

Institucioni i Ministrit të parë

Për të pasur një qeverisje të mirë dhe të suksesshme, rol të pazëvendësueshëm luajnë ministritë. Ky post i qeverisjes ishte i njohur te persët e vjetër po edhe tek hebrenjtë. Madje ky nocion (vezir), në kuptim të ndihmëtarit, është cekur edhe në Kuran.(9)
Rolin e ministrit (vezirit) në sistemin e shtetit të parë islam, gjatë jetës së Pejgamberit a.s., e pati Ebu Bekri r.a. Kryeparët e fiseve, të shumtën, ishin mëkëmbës të Pejgamberit a. s.. Ata në paqe dhe në luftë udhëhiqnin fisin dhe ushtronin pushtetin lokal mbi ta, gjithnjë sipas kodit dhe normave islame. Mëkëmbësi, të shumtën e rasteve, printe dhe udhëhiqte edhe në punët fetare: si imam në xhami, në tubimin e zeqatit po edhe të mirave të tjera materiale dhe mbante lidhje, qoftë drejtpërdrejt ose në përmjet emisarëve, me pushtetin qendror. Mëkëmbësit e emëruar nga sistemi qendror kishin edhe pagat e tyre. Muhamedi.a.s. kishte edhe korrespondentët dhe emisarët e vet. Nëpërmjet emisarëve-diplomatëve të tij, ai u pati dërguar mesazhe mbretërve dhe perandorëve të kohës. Në shkresat dhe mesazhet që dërgonte, ai vinte vulën në tre rreshta, ku shkruante: “Muhammedun Resulu-All llah”.
Rreshtat në vulë lexoheshin nga poshtë – lart, në atë mënyrë që emri i All-llahut të ishte mbi të gjithë.(10)

Organizimi i pushtetit vendor

Administrata vendore

Pejgamberi a.s. kishte vënë me kohë sistemin administrativ. Derisa ishte në Mekë, dërgonte përfaqësuesit e tij nëpër fise arabe, ku kishin përvetësuar Islamin, e më vonë edhe nëpër qytete të ndryshme, për t’u mësuar besimtarëve Kuranin dhe Islamin. Përfaqësuesit u prinin besimtarëve edhe në të falur. Për punën që bënin, nëpunësit shpërblehesh in. Është i njohur rasti i një valiu në Mekë –Utab bin Usejd, të cilit Pejgamberi a.s. i kishte caktuar rrogë pune, për çdo ditë nga një dërhem, dhe, me sa dihet, kjo ka qenë rroga e parë në administratë për shërbime publike.(11)

Ndërtimi i xhamive

Dihet mirëfilli se institucioni i parë i infrastrukturës në shoqërinë e re-islame, ishte ndërtimi i xhamive. Kështu, me rastin e emigrimit të tij, gjatë rrugës për në Jethrib (Medinë), në fshatin Kuba, së bashku me vendorët, Muhamedi a.s. ndërtoi xhaminë e parë në shoqërinë is lame. Më pastaj, kur arriti në Jethrib (Medinë), ndërtoi xhaminë e cila u njoh si Xhamia e Pejgamberit a.s.(12) Pranë kë saj Xhamie u ngrit edhe një godinë tjetër, e cila natën shërbente si bujtinë për të pastrehët, kurse ditën si shkollë. Kjo do të ishte shkolla e parë e dedikuar për arsimin dhe përhapjen e dijes në shoqërinë islame. Xhamia, përveçqë ishte faltore, në radhë të parë, luajti edhe rolin e kuve ndit, ku mbaheshin seancat parlamentare, po ishte edhe institucion i parë i jetës politike dhe shoqërore. Pejgamberi që aty kryente punët administrative dhe aty i priste delegacionet e ndryshme të nivelit më të lartë kombëtar e ndërkombëtar. Minberi i xhamisë i ngjasonte fronit të sotëm. Halifët, më vonë, nga minberi i xhamisë, shpalosnin programet për ndërtimin e shtetit dhe qeverisjen e tij.
Xhamia luante edhe rolin e Akademisë së dijeve-shkencave të ndryshme. Aty mblidheshin njerëzit më eminentë dhe më të ditur të kohës, për të mbarëvajtur punët e dijes, por edhe për mësimdhënie falas për të gjithë ata që shprehnin interesim për fusha të ndryshme të dijes. Xhamia ishte institucioni i parë arsimor, shkolla e parë në shtetin e ri që po formohej dita-ditës. Funksioni arsimor i xhamive u shtua në masë të madhe në kohën e Halifit Umer r.a., në qytetet Ku fe, Basra dhe Damask etj.
Dikur xhamia shërbente edhe si gjykatore. Aty mbaheshin seancat gjyqësore të niveleve të ndryshme. Nga xhamia, besimtarët informoheshin edhe për ndo dhitë nga më të ndryshmet të jetës feta re, politike, shoqërore dhe ekonomike të territorit mysliman dhe jashtë tij, sikundër edhe lajmet më të freskëta dhe më të sakta vinin e dilnin po ashtu nga xhamia.
Islami ka qenë dhe mbetet feja e parë e cila bëri thirrje për demokraci dhe veprim sipas parimeve të saj për barazi në mes njerëzve. Dihet se edhe sot e gjithë kohën, posa të thirret ezani prej minares së një xhamie, besimtarët, ata që dëshirojnë ta adhurojnë All-llahun, menjëherë mblidhen ngado që të jenë, futen në xhami dhe sistemohen sipas arritjes së tyre, renditen në safa (rreshta) pesë herë në ditë dhe përkulen përpara All-llahut me zërin e tekbirit, vënë kokat e tyre pranë këmbëve të njëri-tjetrit kur bien në sexhde, dhe kështu demonstro het barazia islame në format e saj të pa imagjinueshme. Është realitet i pamohueshëm se Islami me fuqinë e besimit dhe të unitetit praktik, vë individëve të ndryshëm, të kombeve e racave të ndryshme, në një vijë të bashkimit dhe vëllazërisë së barabartë.

Prof. Dr. Qazim Qazimi
____________________
Fusnotat:
1. Kur’ani, sureja “Al-Imran”, ajeti 84.
2. Rozhe Garodi, “Gjallërimi islamik”, fq. 6, Gjakovë, 1991. -Bashkim Avdiu, Arabët pas Muhamedit a.s., “Studime Orientale”, nr. 1, fq. 162. Prishtinë 2001.
3. Shih: Nijaz Shukriq, Povijest Islamske Kulture i Civilizacije”, fq. 165-173, Sarajevë, 1989. Shih: Safijurrahman El-Mubarekfuri, Nektari i Vulosur i Xhennetit, fq. 194-195. përkthim nga boshnjakishtja, Urtësia-Shkup, 1997.
4. Prof. Safijurrahman El-Mubareekfuri, “Lulishta e Dritave” fq. 135-137, biblioteka “Familja My slimane”, Tiranë, 2000.
5. Ali Bulaç, “Islami dhe Demokracia”- teokracia dhe totalitarizmi, Logos-A, fq. 23, Shkup, 1968.
6. Naxhi Ma’rufi, Dr. Salih Ahmed El-Alij, Ab dull-llah El-Fejad, “Terihu El-Arebi”, fq. 46, Bagdad, 1966 (1386 h.)
7. Shih: Nijaz Shukriq, “Povijest Islamske Kulture i Civilizacije”, fq. 163, Sarajevë, 1989.
8. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu Li Ibni Hisham”, pjesa e dytë, bot. i tretë, fq. 150, Bejrut, 1971/1391 h.
9. Kur’ani, sureja Ta-Ha, ajetet 29-31.
10. Muhamed Hamidull-llah, “Hyrje në Islam”, fq. 15. Shkup, 1985.
11. Dr. Ibrahim Hasen dhe Alij Ibrahim Hasen, “En-Nudhumu El-Islamijjetu”, fq. 169, bot. “Mektebetu En-Nehdati El-Mirijjeti”, botimi i katërt, 1970, Kajro.
12. Ebu El-Fidai Ismail bin Umer bin Kethir El Kurejshij, “El-Fusulu fi Sireti Er-Resuli”, për punuar dhe korrektuar nga Ebu Usamete Selim, Es-Selefij, bot. i parë, libri 1, 2. fq. 80, Kuvajt, 2003 (1424 h.)

Exit mobile version