Ka ndërruar jetë këtë të premte, në moshën 85-vjeçare, shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të shkrimtarit. Prej 4 ditësh Agolli ndodhej i shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje në mushkëri.
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ai vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë.
Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Shën Petërburg. Ai ka punuar për shumë kohë si gazetar në të përditshmen “Zëri i Popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Krijimtaria e tij letrare është e pasur me gjini të ndryshme si poezi, poema, tregime, romane, si dhe drama e skenarë filmash, që e kanë bërë fitues të disa çmimeve.
Dritëro Agolli hyri në letërsinë shqiptare në vitet ‘60 si protagonist i padiskutueshëm i saj. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku.
Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtar i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare dhe u përkthye në disa vende të botës.
Përvoja e tij krijuese, më shumë se tek traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit në shqip. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet dhe krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej për të bashkuar masat.
Agolli krijoi gjithashtu një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Ndërsa në prozën e tij, Agolli solli risi jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta, që janë sa të çuditshëm aq edhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Mes veprave të kësaj gjinie spikasin romani “Komisari Memo” (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ; si dhe “Njeriu me Top” (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.
Ndër krijimet satirike i paharrueshëm mbetet romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), që vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.
Frazologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën dhe atë vetë ikonën e letrave shqiptare.