Në moshën 100-vjeçare ka ndërruar jetë Jimmy Carter, një ndër presidentët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të Carter Center nga rrjeti social X, bëhet e ditur se ish-presidenti amerikan Carter, i cili la një shekull pas, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në qytetin Plains të shtetit Georgia.
Carter, i cili ka qenë presidenti amerikan që ka jetuar më së gjati, kishte qenë nën kujdes në shtëpinë e tij për më shumë se një vit.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, në deklaratën nga Truth Social, shkroi se ata “i kanë një borxh mirënjohjeje” Jimmy Carter-it. “Sfidat me të cilat Jimmy u përball si president erdhën në një kohë shumë kritike për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka që mundet për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve. Të gjithë ne jemi mirënjohës ndaj tij për këtë”, theksoi Trump.
– 9 janari 2025 shpallet ditë zie
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Carter është një lider i njohur për karakterin, guximin dhe dhembshurinë e tij, duke shtuar se “Shpall në mbarë SHBA-në 9 janarin 2025 si Ditë zie Kombëtare”.
Biden tha se flamuri amerikan do të jetë në gjysmështizë në të gjitha vendet publike për 30 ditë.
“Si president, ai mbrojti vendin tonë, promovoi transparencën në qeveri dhe ndërmjetësoi një marrëveshje historike paqeje midis Egjiptit dhe Izraelit në Camp David”, tha zëvendëspresidentja Kamala Harris.
– Jimmy Carter
Jimmy Carter, presidenti i 39-të i SHBA-së, fitoi garën presidenciale në emër të Partisë Demokratike kur ishte guvernator i Georgia-s në vitin 1976 dhe kreu misione diplomatike deri në moshën 80-vjeçare.
Ai ishte president në periudhën 1977-1982, duke ndërmarrë udhëzime të rëndësishme në politikën e jashtme të SHBA-së, përfshirë çështje të ndjeshme si çështjet e Lindjes së Mesme.
Gjatë jetës së tij ai shkroi 32 libra dhe fitoi Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa njihet edhe për përpjekjet e tij për një zgjidhje me dy shtete në Palestinë.
Carter në deklaratën me shkrim më 2 qershor 2020 tha se plani izraelit i aneksimit do të përbënte uzurpim të paligjshëm të tokave palestineze. “Plani i Izraelit për të aneksuar 30 për qind të Bregut Perëndimor është në kundërshtim me statusin aktual të territoreve të pushtuara siç përcaktohet nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe shkel ligjin ndërkombëtar që ndalon marrjen e tokave me forcë”, ka thënë Carter.