Ndërron jetë Florenc Beqiraj, mjekët ia heqin aparaturat

Ka ndërruar jetë Florenc Beqiraj, i riu i masakruar në një burg në Marsejë të Francës, i cili ishte në gjendje kome. Vetëm një ditë më parë, i ati mbërriti në shtetin francez, për të qëndruar pranë të birit, i cili mbahej në jetë vetëm nga aparaturat.

23-vjeçari ishte në Francë prej dy vitesh, ku po përpiqej të përfitonte azilin.  Shqiptari ra në brug, pasi u ndalua nga policia, e cila e arrestoi për mungesë dokumentacioni. Gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që çoi në vdekjen e 23-vjeçarit.

Gazetari shqiptar, Leon Molla, foli nga Franca për Report Tv për ngjarjen e rëndë, ku tha se mjekët i kanë hequr të riut nga Shkodra aparaturat pa lejen e prindërve. Vdekja është konfirmuar nga i ati i 23-vjeçarit, ndërsa mësohet se mjekët ia kanë hequr aparaturat që mbanin në jetë të riun pa firmën e babait të tij.

I riu Florenc Beqiraj ra në gjendje kome pas dhunës së ushtruar ndja tij në burgun francez, ku qëndronte pasi ishte kapur nga autoritetet franceze pa dokumente. Ai ndodhej prej dy vitesh në Francë, prej ku po përpiqej të përfitonte azil, por ka mbyllur sytë përgjithmonë, duke u ndarë nga jeta në një moshë tepër të re.

Në një lidhje për Report Tv, pak orë para se Florenci të ndërronte jetë në spital, Gëzim Beqiraj, tha se mjekët e spitalit donin t’i hiqin tubat, duke shtuar se nuk do të firmosë kurrë për të autorizuar mjekët për një veprim të tillë, shkruan Shqiptarja.com

Florenci u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt. Familja ka hedhur poshtë të gjitha thashethemet se ai mund të ketë tentuar vetëvrasjen. Të afërm të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë.

Motra e Florencit që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.Sipas saj, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga ambasada shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar.

Familjarët e Florencit në Shkodër, pjese e komunitetit egjiptian para pak ditësh bënë apel për ndihmë. Mes dhimbjesh e lotësh, ata u shprehën se Florenci ishte nisur drejt Francës me borxhe, në kërkim të një jete më të mirë.Po ashtu, familjarët e 23-vjeçarit thanë se Ambasada Shqiptare në Francë nuk ka reaguar për ngjarjen dhe se ata ndihen të diskriminuar dhe të pashpresë.

Familja e të riut kërkoi para pak ditësh që shteti t’i ndihmonte dhe Florenci të kurohej dhe nëse nuk ia dilte në luftën me vdekjen, të bëhej i mundur transportimi i trupit të tij drejt Shqipërisë. TIRANA TODAY