Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ndërron jetë edhe një pacient nga zjarri në Koçan, numri i viktimave...

Ndërron jetë edhe një pacient nga zjarri në Koçan, numri i viktimave rritet në 60

Ka ndërruar jetë një pacient nga zjarri në lokalin e natës në Koçan, i cili ishte dërguar për trajtim në Lituani, duke e çuar numrin e viktimave nga kjo tragjedi në 60, transmeton Anadolu.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili vizitoi Shtëpinë Shëndetësore të Likovës, ku është rinovuar një pjesë e këtij objekti publik shëndetësor, konfirmoi viktimën e 60-të të zjarrit në Koçan, i cili ishte ndër 116 pacientët e dërguar jashtë shtetit për trajtim dhe ndër katër pacientët në gjendje më kritike.

“Për fat të keq, mëngjesin e sotëm e mora lajmin e keq se një pacient ka ndërruar jetë në Lituani, i cili ishte një nga ato katër pacientët në gjendje më kritike”, tha Taravari, duke shtuar se pacienti kishte më shumë se 40 për qind djegie në trup.

Ministri Taravari konfirmoi se pacienti që ndërroi jetë në Lituani është 35-vjeçari Aleksandar Karadakoski, i cili ishte menaxheri i lokalit të natës që u përfshi nga zjarri.

Në orët e para pas mesnatës së 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate nga lëndë piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese ku si pasojë atë natë humbën jetën 59 persona dhe mbi 170 të tjerë u lënduan.

Nga hetimet pas ngjarjes rezultoi se objekti në fjalë ishte i palicencuar ndërsa autoritetet nisën procedura hetimore ndaj të paktën 34 personave, mes të cilëve edhe menaxheri i lokalit Karadakoski.

I përfshirë në hetime pas zjarrit është edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ndërsa kryetari i Komunës së Koçanit, Lupço Papazov dha dorëheqje pas incidentit tragjik.

Maqedonia e Veriut shpalli shtatë ditë zie pas tragjedisë në Koçan.

Exit mobile version