Sot për ditë xhumaje në Turqi, në moshën 91 vjeacre, ndërroi jetë kryetari Ligës së Dijetarëve Sirianë dhe ndërkohë njëri prej dijetarëve të shquar të botës Islame Muhamed Ali Sabuni. Shejhu ka lindur në qytetin e Halebit (Alepo) në vitin 1930 ku dhe ndoqi mësimet e hershme derisa shumë shpejt u bë njëri prej dijetarëve të mëdhenj të qytetit të tij të lindjes. Studimet e larta i përfundoi në Az’har në vitin 1955 dhe disa vite më vonë është përzgjedhur në mesin e dijetarëve nga Ministria e Edukimit të Sirisë dhe me kërkesë nga Arabia Saudite për të dhënë mësim në Universitetin e Mekës dhe xhamive të saj ku qëndroi plot 28 vite.
Është autor i 57 librave dhe punimeve shkencore të cilat janë përhapur anembanë botës islame ku mes të tjerash shquhet në lëminë e tefsirit, komentimit të Kuranit. Kemi patur fatin të mësojmë librin e tij të tefsirit lidhur me dispozitat e sheriatit, një nga librat ku kemi përfituar aq shumë. Gjithashtu ai ka mbi 600 regjistrime televizive në komentimin e Kuranit.
Ndërsa që në vitin 2011 ka mbajtur një qëndrim të prerë dhe të ashpër kundër regjimit të Beshar Esedit dhe kundër cdo dijetari që mbronte regjimin e tij. Allahu e mëshiroftë me mëshirën e Tij të gjerë dhe na bashkoftë të gjithëve bashkë me Profetët dhe me njerëzit e mirë në xhenetet e larta!