Ndërpriten punimet te Xhamia e Madhe në Prishtinë, dyshohet për një mjet shpërthyes

Janë ndërprerë punimet në hapësirën ku ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Gjatë ditës së sotme janë ndërprerë punimet në hapësirën ku ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe Prishtinë.

Kjo për shkak se aty po dyshohet për një mjet shpërthyes në këtë pjesë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se gjatë gërmimeve është gjetur një predhë e vjetër.

Ky mjet dyshohet të ketë mbetur para shumë kohësh në atë zonë.

“Sot rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mjet të dyshimtë shpërthyes në rrugën Dëshmorët e kombit në Prishtinë. (dyshohet se mjet i mbetur para shumë kohësh në atë zonë ). Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore të cilat po merren me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë se punimet për ndërtimin e kësaj xhamie kanë nisur vetëm pak ditë më parë, gjersa javën e kaluar u protestua në hapësirën ku ky objekt fetar po ndërtohet.