Nëse në vitet e para pas rënies së Millosheviqit dukej se shoqëria serbe përjetonte një katarzë të lajres së mëkateve, duke dashur t’ua hedhë fajin individëve për krimet e luftës, viteve të fundit, sikur i kthehet së kaluarës së saj të errët, duke relativizuar gjithçka, madje dhe gjenocidin e Srebrenicës, për t’i realizuar qëllimet që i la në gjysmë rruge Millosheviqi!
Daut DAUTI, Shkup
Nëse veprimet më të reja të pushtetit serb na ngjajnë me ndonjë situatë të kaluar, atëherë kjo pa dyshim është koha e ekspansionit të nacionalizmit serb të viteve të ‘80-ta me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë me aureolën e shpëtimtarit të serbëve (të Kosovës) dhe ripozicionimin e serbëve në federatën e atëhershme. Koncepti politik që ai deshi t’ua imponojë republikave dhe krahinave solli te veprimet e kundërta, drejt të drejtës së shkëputjes që e kishin republikat (të njëjtën e donte edhe Kosova, por me statusin e krahinës nuk i lejohej). Millosheviqi i frymëzoi të gjithë serbët e Jugosllavisë që ta kërkojnë “hisen” e tyre kudo që jetonin (me arsyetimin se e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje u takon popujve, jo republikave! – një interpretim origjinal i nacionalizmit serb). Kjo nuk mund të bëhej pa gjak, ndërsa gjaku u derdh deri në gjunjë, që nga Kroacia e Bosnja, e deri te lufta e fundit në Kosovës.
Pas këtyre luftërave mbetën qindra mijë viktima, një pjesë e madhe civilë, për të cilët pastaj kërkohej përgjegjësi nga kryerësit e drejtpërdrejtë, urdhërdhënësit dhe frymëzuesit e tyre.
1. Pamja e parë nga Beogradi: çlirimi nga trashëgimia e Millosheviqit
Marrëveshja e Dejtonit, që i dha fund çmendurisë 1991-1995, u vuri disa obligime të rënda palëve pjesëmarrëse, veçmas obligimi për të bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës, ku duhej t’i dërgonin të dyshuarit për krime lufte. Përnjëherë, heronjtë e tyre të deridjeshëm do të duhej t’ia ekspozonin drejtësisë së paanshme, gjë që nuk është se ishte diçka që e bënin me vullnet. Rezistencat më të mëdha patjetër se do të vinin nga Serbia, prej nga dhe ishin numri më i madh i të dyshuarve. Të paktë ishin ata komandantë ose politikanë të cilët vullnetarisht iu dorëzuan Tribunalit të Hagës. Gjashtë vjet pas përfundimit të luftërave, do t’i vinte radha edhe njërit nga nënshkruesit të Marrëveshjes së Dejtonit, vetë Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte pasur iluzione se nënshkrimi i tij është vetvetiu garanci për të shpëtuar nga përgjegjësia që e kishte vënë në veprim gjithë makinerinë luftarake dhe frymën shoviniste.
Po si të prekej Millosheviqi që kishte gjithë atë aparat shtetëror në dorë? Plus, njeriu që kishte gëzuar përkrahjen e shumicës së serbëve gjithandej? Që të prekej ai, patjetër se “ndihmesë” të madhe kishin qenë të vërtetat e hidhura që dolën për të ndërkohë. Kur erdhi në krye të komunistëve, nuk kishte forcë opozitare, por pas rënies së komunizmit, pluralizmi solli dhe subjekte të tjera rivale, të cilat doemos do t’i gjuanin pikat e dobëta. Si autoritar që nuk donte të kishte rivalë, ai i kishte rrezikuar vlerat demokratike: nuk kishte nguruar t’i heshtë zërat kritikë, por dhe disa sish i kishte likuiduar fizikisht (ish-mentorin e tij politik, Ivan Stamboliqin, disa gazetarë, ndërsa njëri që i shpëtoi për pak është Vuk Drashkoviqi…). Rritja e mendimit kritik në Serbi e dobësonte atë deri në shkallë, saqë për të mbetur në pushtet, ai i falsifikonte edhe zgjedhjet. Pikërisht zhveshja e figurës së tij nga imazhi që e kishte krijuar si mbrojtës i serbëve në një nivel tjetër, atë të rrezikuesit të demokracisë dhe të interesave serbe, në vitin 2001 opozita e bashkuar serbe, duke e akuzuar edhe për vjedhje masive zgjedhore, edhe për ta përmbushur obligimin për t’ia dorëzuar Tribunalit, i bëjnë puç dhe e përmbysin.
Rënia e Millosheviqit, në njëfarë mënyre, duhej ta çlironte Serbinë nga njollat e errëta të përgjegjësisë për luftërat e përgjakshme. Duke ecur rrugës së individualizimit të krimeve, ata dëshironin që t’ia heqin përgjegjësinë kolektive gjithë popullit serb, e në anën tjetër, të niste ndërtimi i një shoqërie normale demokratike, pa imazhin e një vendi agresor.
Kryeministri i asaj kohe, Zoran Xhinxhiq, kishte sqaruar se një nga arsyet e përmbysjes së Millosheviqit ka qenë edhe evitimi i izolimit të Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare, por dhe benefitet e tjera që do t’i fitonte Serbia nga një konferencë donatorësh, ku do t’i riprogramoheshin kreditë dhe borxhet.
Është fakt se periudha e parë post-millosheviqiane u përshkua me një lloj përpjekje bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare, një lloj orientimi properëndimor, duke bashkëpunuar edhe me Tribunalin e Hagës, duke dorëzuar një numër të konsiderueshëm komandantësh dhe politikanësh përgjegjës për krime lufte, por në anën tjetër, qoftë për shkak të nostalgjisë ose krenarisë kombëtare, me vite i kishin fshehur (ose ata ishin fshehur vetë) dy figurat kreysore, Ratko Mlladiqin dhe Radovan Karaxhiqin, e ndonjë tjetër. Dorën në zemër, edhe këta në fund u gjetën dhe u dorëzuan në Hagë nga vetë autoritetet serbe.
Xhinxhiqi, Zhivkoviqi dhe Tadiqi janë kryetarët dhe kryeministrat që kanë dhënë kontributin më të madh në përpjekjet për t’u distancuar nga fryma militariste, duke shkaktuar jo pak plagë shpirtërore te shumica e serbëve që e kishin përkrahur më parë si gjë të drejtë.
2. Pamja e dytë, Vuçiqi u përkulet viktimave të Srebrenicës!
Duke shikuar se ç’ndodh aktualisht në Serbi, lojën e deritashme të Vuçiqit ala Tito “hem me Perëndimin, hem me Rusinë” dhe dyshimet se, megjithatë, Serbia me Vuçiqin është ajo e vjetra, e cila e bëri gjithë atë dramë duke kundërshtuar rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, të duket e pabesueshme që po ky Vuçiq para dhjetë vitesh ishte për t’iu përkulur viktimave në 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës!
Gjesti i Vuçiqit (atëherë kryeministër) më 2015-tën ishte për shumëçka parimor, si për rrezikun në të cilin e vuri veten, si për mesazhet që i dha, por nuk ishte origjinal, ndonëse kjo s’do të duhej ta ulte vlerën e tij. Ai, ndoshta, deshi të duket si një paraardhës më i famshëm se ai: Vili Brandt, i cili në 25-vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në Varshavë (1970), iu përkul viktimave që i kishin shkaktuar nazistët gjermanë (në Poloni, rreth 6 milionë). Ka shumë ngjashmëri dhe dallime në gjestin e njërit dhe tjetrit.
Është për t’u veçuar se Vuçiqi me vetë nderimin e viktimavee pranon faktin se dikush i ka shkaktuar ato. Pa asnjë dilemë, në fjalën e tij, edhe përskaj aspekteve stilistike e gjuhësore, akuza është e qartë, që ndonëse nuk i përmend, dihet se kujt i adresohet. Edhe pse gjesti i tij ishte si ishte, ai nuk u prit mirë nga një pjesë e turmës së boshnjakëve në vendin Potoçar ku qe mbajtur komemoraconi në nivel shtetëror: u godit me gurë, ombrella, shishe të ujite këpucë, me ç’rast ishte lënduar pak. Është për t’u veçuar gjesti i tij që të qëndrojë stoikisht para “shiut” të sendeve që u hodhën ndaj tij (për fjalët fyese dhe transparentet ai sigurisht ka qenë i përgatitur) – kur një nga truprojat kishte dashur ta mbrojë, ai nuk kishte pranuar, duke nënkuptuar se “ani, le t’më gjuajnë, si një serb që militarët e popullit tim kanë kryer masakra, marr një pjesë të fajit dhe përgjegjësisë, por unë erdha për t’u përballur me të vërtetën”.
“Nuk ka fjalë me të cilat dikush mund ta shprehtë keqardhjen dhe pikëllimin për viktimat, si dhe zemërim dhe indinjatë ndaj atyre që e kryen atë krim monstruoz. Serbia, qartë dhe pa mëdyshje, e dënon atë krim të tmerrshëm dhe ndjen neveri ndaj atyre që morën pjesë në të dhe do të vazhdojë t’i nxjerrë para drejtësisë”, pat thënë Vuçiqi në një letër drejtuar opinionit para nisjes për në Srebrenicë.
Për aktin e bërë, “Nënat e Srebrenicës” iu falënderuan, duke ia varur në reverin e palltos dinsktiktivin “Përkujtim” dhe pastaj ai deklaroi: “Obligimi im është që t’u përkulem viktimave. Ky është një akt me të cilin përcaktohemi drejt ardhmërisë. Ndërkaq, ajo ardhmëri e jona e përbashkët assesi nuk duhet të flijohet për shkak të egoizmit nacional ose personal të kujtdo qoftë. Kjo s’guxon të ekzistojë përskaj kaq varreve!”
Gjithkush do t’i kishte duartrokitur këto fjalë, por atë e pritën me gurë e çkamos, por dhe me parullat me të cilën ia përkujtuan se çka përfaqëson Vuçiqi në veprimtarinë dhe ideologjinë e tij, për të shprehur kështu dyshim për lëkurën e qengjit që për ta dukej se e ka hedhur. Ia përkujtuan “100 myslimanë për një serb”, që ai e kishte thënë në Parlamentin e Serbisë si anëtar i Partisë Radikale Serbe, vetëm 11 ditë pas masakrës së Srebrenicës. Në të vërtetë, këtë ia kanë përmendur kohë pas kohe edhe qarqet kritike serbe.
Gjesti që bëri dikur Vili Branti është ekzemplar, kur një burrështetas i një vendi, si Gjermania hitleriane, kërkon falje për krimet që regjimi i mëparshëm ka bërë ndaj popujve. Ai vjen në Varshavë, në vitin 1970, për t’i normalizuar marrëdhëniet me Poloninë, një nga vendet që më së shumti e pësoi nga nazistët. Ai, siç e ka shënuar kronika e kohës, me 30 sekondat e përkuljes te përmendorja e kryengritjes në një geto të Varshavës, ka hyrë në histori. “Mbi humnerën e historisë gjermane, nën barrën e miliona të vrarëve, e bëra atë që njerëzit e bëjnë kur të merret goja.”, kishte shkruar Vikli Branti në memoaret e tij. Kronistët kanë shënuar se ai është përulur si një mëkatar, edhe pse vetë ka qenë antinazist. Por, lutja e tij për falje ka qenë për popullin e tij që e ka përkrahur nazizmin.
Gjestin e vet, Branti e ka bërë të paplanifikuar, jashtë protokollit dhe në befasi edhe të nikoqirëve, të cilët e kanë mirëpritur, por nuk ia kanë dhënë publicitetin e duhur për shkaqe ideologjike. Është interesant fakti se as në Gjermani nuk ka pasur disponim unanim, sepse gati gjysma e gjermanëve, sigurisht nostalgjikë të nazizmit, nuk e aprovonin kërkimfaljen dhe këtu ka një ngjashmëri me shoqërinë serbe, e cila edhe nëse ka pasur ndonjë “përzierje emocionesh” lidhur me fajësinë në vitet e para pas luftërave në Bosnjë e Kroaci, tash gjithnjë e më shumë dominon ndjenja e kundërt dhe mendësia “të gjithë kanë bërë krime, pse të akuzohen vetëm serbët” ose madje “ata kanë luftuar për mbrojtjen e popullit serb”.
3. Pamje e tretë: Vuçiqi mohon vetveten
Vili Brandi, duke e nënshkruar një marrëveshje me Poloninë, bëri edhe një gjest tjetër: hoqi dorë nga ish territoret lindore gjermane, që kishin mbetur te fqinji, ndërkaq siç po fryjnë erërat, serbët – duke krijuar konceptin e “botës serbe” e duke u zotuar se do t’i mbrojnë serbët kudo që janë, në hapin e parë do ta kishin ndarë Republikën Serbe nga BeH-ja. Diçka krejtësisht e mbrapshtë, tri dekada pas rivendosjes së paqes!
Siç u citua më sipër, Vuçiqi nga përkulja para viktimave të Srebrenicës, në fjalën e tij kishte folur edhe për të ardhmen. Pikërisht këtu është një nga qasjet jo të sinqerta të tij, i cili nuk është se e përmend shpesh atë që e përmend sozia e tij në Bosnje, Milorad Dodik – referendumin për ndarjen nga Bosnja, por as që është distancuar qartë. Dhe, siç u cek në fillim të këtij “kapitulli”, të frymëzuar nga “bota ruse”, plani ambicioz i ardhshëm është një veprim siç bëri Putini me agresionin ushtarak në Ukrainë. Një nga provat e para se si do të funksiononte ishte ndërhyrja paramilitare në Kosovë, ku edhe pse dolën këmbët përjashta, me distancimin se s’kanë lidhje me këtë gjë, po është një revoltë e vetë serbëve të Kosovës kundër “diktaturës së Kurtit”, Serbia askënd nuk e bindi në Perëndim.
Kur të analizosh sot frymën që mbretëron në Serbi, nuk mund ta anashkalosh faktin se trashëgimia politike e Millosheviqit, më saktë partia e tij, është margjinalizuar duke rënë në nivelin e një partie e cila mund të jetë vetëm satelit i ndonjë subjekti tjetër, por jo edhe fryma që përfaqësonte ai në formën e nacionalizmit agresiv dhe këtë frymë serbët e shikojnë te Vuçiqi, ani se ky shpesh me deklarimet e tij dëshiron të lë “përshtypje të bukur” në botë si një njeri që angazhohet për paqe.
Dhe, kërcënimi real është pikërisht në strategjinë për të mos e pranuar Kosovën si shtet të pavarur, me konceptin e Sheshelit dhe të Kishës Ortodokse Serbe, që çështja e Kosovës të mbetet e hapur për ndonjë “kohë të përshtatshme” për ta rikthyer.
Nëse në vitet e para pas Millosheviqit është dukur se Serbia disi po distancohet nga e kaluara e saj e errët, tash, viteve të fundit, ndodh procesi i relativizimit të gjithçkasë, madje edhe të masakrës masive të Srebrenicës, që u pa me kundërshtimin e ashpër të rezolutës së OKB-së. Një shoqëri normale, një pushtet normal, do të vepronte siç veproi Vili Branti, por dhe siç veproi edhe vetë Vuçiqi kur u përkul mbi varret e 7-8 mijë viktimave, kur dhe pati akuza ndaj atyre që e kishin kryer, por Serbia, që përherë ka prodhuar plane shfarosëse për dëbime e masakra masive, duket se vështirë mund të jetë normale. Sepse, edhe pse u distancua vetë nga politikat e Millosheviqit, qëllimet dhe metodat e tij, shumë lehtë i rikthejnë.
Sa u përket shqiptarëve, ata që pas kongresit të Berlinit kanë qenë shënjestër për spastrim e pastrim etnik. Nëse shpesh krijohet iluzioni se prapa ndonjë masakre qëndron ndonjë individ që shkel rregullat e luftës, të shpeshtën kjo nuk është e vërtetë, e sidomos kur janë në pyetje krimet ndaj shqiptarëve që janë bërë nga shteti zyrtar serb dhe me qëllim të paramenduar, ku regjimet janë ndihmuar edhe nga autoritetet intelektuale-akademike. Për hir të së vërtetës, për krimet masive ka pasur edhe dëshmi të kohës edhe nga vetë serbët, por marrëdhëniet midis fuqive të mëdha kanë qenë të tilla, që nuk e kanë pasur efektin e veprimit për parandalim. Krijimi i realitetit të ri me Kosovën si shtet i pavarur ishte një korrigjim i gabimeve të së kaluarës, por vonesa në disa procese e ka vënë në rrezik atë nga inkurajimi i nacionalizmit serb nga Rusia. /revistashenja