Ballina Artikuj “Ndaloni Djegien e Kuranit, Djegia e Kuranit nuk është demokraci”

“Ndaloni Djegien e Kuranit, Djegia e Kuranit nuk është demokraci”

Forumi Musliman i Shqiperise

Notë proteste drejtuar Ambasadës së Mbretërisë së Suedisë në Tiranë

E nderuar Ms Elsa Håstad- Ambassador

Përmes mediave u njoftuam se një individ ka djegur Kuranin në Stokholm ditën e Bajramit të Kurbanit më 28/06/2023 në mënyrë demonstrative duke fyer dhe ofenduar kështu ndjenjat e të gjithë botës muslimane pa dallim. Ajo që prek dhe lëndon më tej ndjenjat tona është se këtij individi ju dha mbrojtje nga organet policore suedeze në këtë shfaqje të turpshme, e cila mund të konsiderohet gjithçka, por jo demokratike. Në këtë kohë e gjithë bota muslimane po feston në paqe një nga ritualet vjetore më të rëndësishme për bashkësinë globale muslimane. Po të njëjtën gjë po bënte edhe bashkësia muslimane suedeze.

Dhjetëra vende muslimane e kanë dënuar ashpër vendimin e Suedisë për lejimin e një burri me prejardhje nga Iraku, që të djegë Kuranin jashtë xhamisë kryesore të Stokholmit, dhe në vendin e tij të origjinës reagimi ka qenë edhe më i ashpër. Gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe shumë vende të tjera e kanë dënuar rëndë këtë veprim cenues dhe ofendues të panevojshëm për t’u mbrojtur nga ana juaj.

Liria e mendimit ndaj Kuranit nuk shprehet duke e shkelmuar dhe djegur atë. Ndërkohë historia ka treguar, se ata që djegin dhe shkelmojnë libra janë të gatshëm të djegin dhe shkelmojnë edhe njerëz. Liria e mendimit shprehet përmes fjalës së argumentuar dhe jo duke fyer dhe përdhosur shenjtëritë e të tjerëve. Një akt i tillë për muslimanët është shumë më tepër sesa vrasje dhe cenimi fizik i tyre, që padiskutim dënohet me ligj edhe në shtetin tuaj.

Përmes kësaj letre Forumi Musliman i Shqipërisë proteston me vendosmëri te ju dhe përmes jush pranë qeverisë suedeze ndaj këtij veprimi të ulët ofendues, i cili nxit islamofobinë e si rrjedhojë edhe reagime ekstreme. Ky akt ka lënduar gjithashtu edhe zemrat e muslimanëve shqiptarë, prandaj Ju lutemi t’ia përcillni këtë notë proteste sa më shpejt Qeverisë Mbretërore, nga e cila kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla. Mesazhi kryesor i kësaj note proteste është “Ndaloni Djegien e Kuranit, Djegia e Kuranit nuk është demokraci”!

Kjo notë proteste do t’i përcillet edhe Ministrisë së Jashtme, e cila përfaqëson Shqipërinë, shtet anëtar i NATO-s dhe ka për detyrë të mbrojë interesat e shtetasve tanë, pjesa më e madhe e të cilëve janë me përkatësi muslimane.

Nga: Roald Hysa

Exit mobile version