Policia e Shkodrës në pikën e kalimit kufitar të Murriqanit, ka ndaluar një 21 vjeçar me nënshtetësi suedeze, pasi të njëjtit i janë gjetur 19 pistoleta.
Në njoftimin e Policisë së Shkodrës ndër të tjera thuhet:
“Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sebastian Vall, 21 vjeç, banues në Suedi. Në PKK Muriqan në dalje gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën e 21 – vjeçarit suedez, i cili udhëtonte si pasagjer në autobuzin e linjës “Kosovë -Gjermani”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 19 armë zjarri tip “pistoletë”, kalibër 7.65. Veprimet po vijojnë nga Specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Policisë Shkodër për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti të trafikut të armëve”.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, shkruan Top Channel, transmeton Klan Kosova.