Ndalohet lëvizja nëpër sheshet kryesore të Prishtinës

Sheshet kryesore të kryeqytetit, ai “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti” janë bllokuar nga Policia e Kosovës.

Edhe rruga që përshkon këto sheshe është bllokuar me shirita duke i pamundësuar qytetarëve që të mblidhen dhe të ecin lirshëm.

Mëngjesin e sotëm ka pasur edhe oficerë policorë të cilët kanë qenë të pranishëm.

Qytetarët lejohen të kalojnë vetëm në rrugët lidhëse.

E gjithë kjo u bë pas shtimit të numrit të personave në sheshet kryesore të Prishtinës.

Kjo javë parashikohet me rritje të temperaturave dhe kohë me diell gjë që besohet se do të ketë sërish sjellje të njëjtë të njerëzve të cilët do të dynden shesheve.

Ndryshe, me një vendim të mëparshëm është ndaluar edhe ecja dhe qëndrimi nëpër parqe në të gjithë vendin.