Ndalohet 48-orë polici që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në Skënderaj

Zyrtari policor i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel të Skënderajt është ndaluar për 48 orë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Tëvë1, Valon Preteni, zyrtar për informim në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë

“Për këtë rast, është ndaluar një (1) person me vendim të prokurorit për dyzetetetë (48) orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet’”, ka thënë ai për Tëvë1.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se dyshimet e para janë që aksidenti është shkaktuar nga drejtuesi i veturës së policisë, ku ka marrë vendim për suspendimin e tij.

Tre anëtarë të familje Gashi nga Peja kanë humbur jetën në aksidentin mes një veture civile dhe asaj të policisë të dielën në Çubrel të Skënderajt.

Ndërsa, pesë persona kanë pësuar lëndime ku në mesin e tyre janë katër policë. Të lënduarit janë në gjendje stabile.