Ndalohen dy persona në Zveçan, po tentonin të bllokonin objektin e komunës

Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Zveçan, pasi të njëjtit mbrëmë pas mesnatës po saldonin hekura në objektin e Komunës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur për Telegrafin se të dyshuarit ishin duke punuar në dyert e ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

“Rreth orës 01:00 në mëngjes patrullat policore kanë has në dy persona duke punuar në dyert e ndërtesës se Komunës së Zveçanit. Për arsye të prishjes se rendit dhe qetësisë publike dhe me qëllim me kuptu se çfarë po bëjnë aty, këta dy persona janë sjellë në stacion dhe janë intervistu. Të njëjtit janë liruar pas intervistimit”, deklaroi ai.

Ditë më parë strukturat paralele ilegale kanë rrethuar hyrjen kryesore në objektin e Komunës në Zubin Potok, duke vendosur rrethoja prej hekuri.

Ndryshe, ditë më parë eksperti i sigurisë dhe drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu ka thënë se sipas të dhënave që ka marrë ky institut nga opozita serbe në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiqi ka urdhëruar Milan Radoiçiqin që të fillojë rebelimin e serbëve në komunat veriore të Kosovës.