Ndalimi i ndihmave është një dënim kolektiv për Gazën thotë Lazzarini i UNRWA-së

Kreu i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka paralajmëruar se çdo ditë pa hyrjen e ndihmave humanitare jetike, përfshirë ushqim, ilaçe dhe ujë, e çon Gazën edhe më pranë një krize akute urie.

Në një postim në platformën X, Lazzarini theksoi se për tre javë radhazi asnjë ndihmë nuk ka hyrë në Rripin e Gazës, duke e quajtur këtë një “rrethim të rreptë”, më i gjatë se ai gjatë fazës së parë të luftës.

Ai theksoi se njerëzit në Gaza mbështeten plotësisht tek importet për mbijetesën e tyre, kryesisht përmes Izraelit. Lazzarini e quajti ndalimin e ndihmave një “dënim kolektiv” për popullsinë e Gazës, duke kërkuar që furnizimet humanitare të lejohen menjëherë për të shmangur një katastrofë humanitare. /mesazhi