Ndahet nga jeta imami i Orllanit, Shefqet ef. Pajaziti

Shefqet ef. Pajaziti (r.a)

Të enjten (19.02.2025) ndërroi jetë imami i xhamisë së fshatit Orllan, Shefqet ef. Pajaziti. Varrimi i tij u krye dje në varrezat e fshatit Orllan, pranë kullës së dëshmorit Zahir Pajaziti, me pjesëmarrjen e një numri të madh besimtarësh, hoxhallarësh dhe personaliteteve fetare nga mbarë Kosova.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili udhëhoqi faljen e namazit të xhenazes dhe mbajti një fjalë rasti. Ai e vlerësoi lart figurën e imamit të ndjerë, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm si në fushën fetare, ashtu edhe në atë kombëtare.

“Mulla Shefqeti ishte një punëtor i zellshëm, një imam që kontribuoi jashtëzakonisht shumë për edukimin e brezave të rinj, një luftëtar që i ktheu pushkën armikut kur ishte nevoja. Me këtë rast porosis edhe familjen që të jenë krenarë për familjarin dhe hoxhën e tyre,” – tha Myftiu Tërnava.

Imami Shefqet ef. Pajaziti ishte jo vetëm udhëheqës fetar, por edhe një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontributin e tij në momentet e vështira për vendin.

Në përmbyllje të ceremonisë, Myftiu Tërnava drejtoi edhe një mesazh për ish-nxënësit e imamit të ndjerë, duke i porositur ata që të ndjekin rrugën e tij dhe të ndihen krenarë për mësuesin e tyre.

Lusim Zotin e Madhëruar që ta mëshirojë dhe ta shpërblejë me Xhenet për veprat e tij të mira dhe kontributin ndaj xhematit dhe Kosovës! /mesazhi