Ballina Artikuj Natyra e ligjvënies në periudhën medinase

Natyra e ligjvënies në periudhën medinase

Omer Sulejman El Eshkar

Ligjvënia në periudhën mekase u fokusua në sqarimin e bazave të besimit, gjë kjo e cila vazhdoi edhe në periudhën medinase, në të cilën zbritën ajete që i shpjegojnë dhe i sqarojnë dispozitat praktike. Ato kanë përcaktuar të gjitha veprimet e njeriut që kanë të bëjnë me adhurimin, me natyrën qytetare të njeriu. U përcaktuan edhe veprimet penale dhe normat e jetës familjare. Në këtë periudhë u detajizuan edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kurani këto çështje nuk i përmend në mënyrë të hollësishme, dhe në shumicën e rasteve fokusohet në rregullat e përgjithshme, të cilat pastaj i shpjegon Suneti i Profetit (a.s). duke specifikuar atë që që është thënë në mënyrë të përgjithshme.

Shkaku i këtij zgjerimi është ndryshimi i gjendjes së muslimanëve në Medine, në të cilën pas hixhretit u formula shteti islam dhe shoqëria muslimane. Në këtë gjendje ata patën nevojë për legjislacion, të cilin do ta ndjekin në shoqërinë e tyre të re, legjislacion i cili mbron personalitetin e indivit, familjes, rregullon marrëdhëniet..etj.

Metodologjia e ligjvënies në periudhën medinase:

Në këtë studim do të fokusohemi në tre çështje që do të mundohemi t’i sqarojmë:

1 – Metodologjia e të Dërguarit të Allahut (a.s) në transmetimin e dispozitave

2 – Ligjvënia me shkak dhe ajo pa shkak.

3 – Gradualizimi në ligjvënie.

1 – Metodologjia e të Dërguarit të Allahut (a.s) në transmetimin e dispozitave:

Allahu i Madhëruar, robit dhe të Dërguarit të Tij ia dha të drejtën që shoqërisë njerëzore t’ia prezantojë dispozitat fetare. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa ty të zbritëm Përkujtesën, me qëllim që t’ju shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.”[1]

Dispozitat e Kuranit dhe të Sunetit janë thelbi i legjislacionit, ky i cili konsiderohet bazë dhe themel i fesë islame. Format e paraqitjes së dipozitave ishin të ndryshme; forma e rregullave të përgjithshme, forma e paraqitjes së dispozitës së bashku me arsyetimin e saj..etj. Këto forma në mënyrë të gjerë janë të shpjeguara në librat e “Usul El Fikh”.

Shpjegimi i dispozitave në kohën e Profetit (a.s) nuk ishte aq i gjerë sikur në kohën e shfaqjes së juristëve, pas vdekjes së tij, të cilët u munduan në mënyrë të zgjeruar t’i shpjegojnë dispozitat, shtyllat dhe kushtet e tyre si dhe normat etike që kanë të bëjnë me to. Juristët bënë klasifikimin e dispozitave dhe treguan argumentin e secilës prej tyre. Në disa raste paramendonin supozime që nuk kanë ndodhur dhe jepnin dispozitën për të sikur të kishte ndodhur, përkufizonin atë që mund të përkufizohej dhe definonin atë që mund të definohej.

Në anën e kundërt kur i Dërguari i Allahut (a.s) për shembull merrte abdes, shokët e tij e mësonin mënyrën e marrjes së abdesit, duke mos e analizuar në është kusht, farz apo sunet. Në këtë mënyrë duke e përcjellur veprimin e të Dërguarit të Allahut (a.s), ata mësuan edhe të falin namazin e të kryejnë haxhin. Kjo gjë ishte traditë e vazhdueshme e të Dërguarit të Allahut (a.s).

Ai (a.s) për abdesin për shembull, asnjëherë nuk ka thënë; abdesi i ka gjashtë apo katër farze e as që e ka parashtruar mundësinë që ndokush një pjesë të abdesit ta marrë në një kohë kurse pjesën e dytë në një tjetër kohë. Ai (a.s) nuk ka folur as për rastet kur njeriu merr abdes me ujë, ngjyra apo shija e të cilit ka ndryshuar. Shokët e tij, rrallherë i kanë pasë bërë pyetje për detaje të tilla.

2 – Ligjvënia me shkak dhe ajo pa shkak:

Burimi kryesor i dispozitave në këtë periudhë ishte shpallja hyjnore e cila i shpallet Profetit (a.s). Këto dispozita fetare, i Dërguari i Allahut (a.s) ia përcillte umetit. Këto dispozita fetare nuk u shpallën menjëherë dhe po ashtu edhe nuk u përcollën. Shpallja e Kuranit dhe përcjellja e dispozitave fetare zgjati për 23 vjet.

Disa prej dispozitave fetare janë vendosur pa ju paraprirë ndonjë ndodhi që kërkon zgjidhje, apo pyetje që ka nevojë për përgjigje. Në këtë kategori bëjnë pjesë ritualet e adhurimit dhe disa transaksione, si për shembull:

Abdesi: Allahu i Madhëruar thotë: “Kur doni të falni namazin, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyjë.”[2]

Agjërimi: Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të jeni të devotshëm. Agjërimi zgjat disa ditë, por nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpërblim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi..”[3]

Zekati: Allahu i Madhëruar thotë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të..”[4]

Ajetet e këtij lloji janë të shumtë, veçanërisht ato që tregojnë mënyrën e ndarjes së zekatit dhe dispozitat e haxhit. Në këtë kategori të dispozitave fetare bën pjesë edhe hadithi i Profetit (a.s): “Atë që, pasiqë ju jeni tubuar rreth njëri prej jush (që e keni zgjedhur për prijës), vjen me qëllim që t’ju ndajë apo të përçajë bashkësinë tuaj vriteni.”[5]

Lloji i dytë i dispozitave fetare janë ato të cilat janë shpallur për një shkak dhe numri i tyre është më i madh se i atyre që janë shpallur pa ndonjë shkak. Si për shembull:

Dispozita fetare në lidhje me menstruacionet: Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin ty për menstruacionet. Ajo është gjendje e dëmshme. Prandaj largojuni prej grave gjatë menstruacionit..”[6]

Dispozita fetare në lidhje me luftën në muajt e shenjtë: Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin ty për muajin e shenjtë, luftën në të. Thuaju: Luftimi në atë kohë është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve prej udhës së Allahut, mohimi i Tij, pengimi i njerëzve nga vizita e xhamisë së shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë gjynah më i madh tek Allahu. Kurse adhurimi i idhujve është gjynah më i madh se vrasja..”[7]

Dispozita fetare në lidhje me pastërtinë e ujit: I Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur për marrjen abdes me ujin e detit. Ai ka thënë: “Uji i detit është i pastër dhe cofëtinat e detit janë hallall.”[8] Po ashtu i Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur rreth pastërtisë së ujit në ndonjë vend të hapur, prej të cilit pijnë kafshët. Ai ka thënë: “Kur uji arrin sasinë e 320 litrave nuk mbart papastërti.”[9]

Në këtë lloj të dispozitave fetare bëjnë pjesë edhe ndodhitë e ndryshme dhe paraqitja e gjërave të reja, për të cilat shpalleshin ajete kuranore dhe i Dërguari i Allahut (a.s) ia transmetonte njerëzve.

Një shembull i tillë është ai i Eus ibn Samitit, i cili gruan e tij Hauletu bintu Tha’leben e pati shpallur të ndaluar për veten e tij duke i thënë: “Ti je për mua sikur shpina e nënës time.” Ky veprim në atë kohë quhej “Dhihar”. Gruaja e tij erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe ia qau hallin e saj, për të cilën u shpallën ajetet: “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty në lidhje me burrin e saj, që u ankua te Allahu, e Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Allahu dëgjon dhe sheh. Ata prej jush që bëjnë “Dhihar” ndaj grave të veta, në të vërtetë ato nuk janë nënat e tyre, nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Fjalët që ata thanë janë të pahijshme dhe të pavërteta. Megjithatë, Allahu është Falës dhe Shlyes i gabimeve.”[10]

3 – Gradualizimi në ligjvënie:

Gradualizimi në ligjvënie është dy llojesh:

Lloji i parë: Dispozitat islame në përgjithësi nuk janë shpallur menjëherë, por në mënyrë graduale, shkallë shkallë.

Natën e Israsë, një vit para hixhretit, u obligua namazi. Në vitin e parë pas hixhretit u përcaktuan dispozitat e ezanit, kurorëzimit, mehrit dhe dasmës.

Në vitin e dytë pas hixhretit, u bë obligim agjërimi i Ramazanit, u përcaktuan rregullat e namazit të Bajramit si dhe therjes së kurbanit. Në këtë kohë u ndryshua drejtimi i kibles, u bë obligim zekati dhe u përcaktuan dispozitat e plaçkës së luftës.

Në vitin e tretë pas hixhretit u shpallën dispozitat e trashëgimisë, divorcit dhe u përcaktua mundësia e shkurtimit të namazit në udhëtim dhe në rastet e frikës.

Në vitin e katërt pas hixhretit u përcaktua dënimi i marrëdhënieve seksuale jashtë martesore, rregullat e tejemumit, dënimi i atij që shpif dhe u bë obligim haxhi.

Në vitin e gjashtë pas hixhretit u përcaktuan dispozitat e marrëveshjeve për paqe dhe dispozitat në rast të pengimit të arrijtes në Mekë pas ihramit dhe u ndaluan vera, bixhozi, vendet ku therreshin kurbanet për idhujt dhe falli.

Në vitin e shtatë pas hixhretit u ndalua mishi i gomerëve shtëpiakë dhe u përcaktuan dispozitat e marrjes së tokës bujqësore me qira.

Në vitin e tetë pas hixhretit u përcaktua dënimi i vjedhjes.

Në vitin e nëntë pas hixhretit u ndalua hyrja e mosbesimtarëve në Meke.

Në vitin e dhjetë pas hixhretit në mënyrë të qartë dhe të prerë u ndalua kamata.

Lloji i dytë: Gradualizimi brenda një dispozite. Shumë prej dispozitave në fillim nuk e kanë pasur formën të cilën e njohim sot, por kanë kaluar nëpër disa faza derisa kanë ardhë në formën përfundimtare. Namazi, për shembull, në fillim ka qenë dy rekatë dhe pas hixhretit është bërë katër rekatë.

Aishja (r.a) ka thënë: “Në fillim namazi i obliguar ka qenë dy rekatë dhe pas hixhretit është bërë katër rekatë. Namazi në udhëtim u la në mënyrën e parë të tij (dy rekatë).”[11]

Allahu i Madhëruar në shumë raste e obligonte një gjë duke mos e detajizuar mënyrën, gjë kjo të cilën e bënte më vonë. Shembull i tillë është zekati i cili u bë obligim në Meke por pa u përcaktuar llojet e pasurive për të cilët jepet zekat, sasinë e tyre dhe kujt i shpërndahet. Këto gjëra në mënyrë të detajuar janë përcaktuar në Medine.

Edhe dispozitat e namazit dhe agjërimit nuk u shpallën përnjëherë. Përcaktimi i tyre kaloi në disa etapa: Imam Ahmedi në musnedin e tij transmeton se Muadh ibn Xhebeli (r.a) ka thënë: “Namazi dhe agjërimi kanë kaluar tre ndryshime. Sa i përket namazit, i Dërguari i Allahut (a.s) kur ishte në Medine për shtatëmbëdhjetë muaj është falur me drejtimin për nga Bejtul Makdis (Kuds) derisa u shpall ajeti kuranor: “Ne shumë herë po shohim kthimin e fyrtyrës tënde kah qielli, e Ne do të drejtojmë ty në drejtim të një kible që ti je e kënaqur. Pra kthehu nga ana e xhamisë së shenjtë (Qabes)” Ky ishte ndryshimi i parë. Në fillim të namazit njerëzit tuboheshin duke e lajmëruar njëri-tjetrin për hyrjen e kohës. Kur filluan të mendojnë për mënyra të tjera të lajmërimit për namaz, tek i Dërguari i Allahut (a.s) erdhi një ensar, i cili quhet Abdulla ibn Zejd ibn Abdurabih. Ai tha: Nuk isha as zgjuar dhe as në gjumë, kur pashë një njeri të veshur me dy rroba të gjelbërta, i cili u drejtua nga kibla dhe tha: Allahu Ekber, Allahu Ekber… (deri në fund të ezanit), pastaj u ndal për një çast dhe e përsëriti atë që e tha duke shtuar fjalët “Kad kametis salatu, kad kametis salatu”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Mësoja këto fjalë Bilalit që të thërrasë ezanin! Omeri (r.a) tha: E njëjta gjë më ndodhi edhe mua. Ky ishte ndryshimi i dytë.

Muadhi thotë: Në fillim kur njeriu vonohej në namaz i falte ato rekate që i kishin kaluar dhe pastaj u bashkangjitej muslimanëve në saf. Kur e pashë këtë gjë thashë: Do të lidhem pas të Dërguarit të Allahut (a.s) në atë gjendje në të cilën do ta gjej e pastaj do t’i plotësoj ato rekatë që më kanë kaluar. Një ditë e gjeta të Dërguarin, i cili i kishte falë disa rekatë para meje. U lidha në namaz pas tij dhe kur e përfundoi namazin u çova dhe i plotësova ato rekate që ai i kishte falur para se të lidhesha në namaz. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Kështu siç bëri Muadhi kështu veproni edhe ju. Ky ishe ndryshimi i tretë.

Një gjë e ngjashme ndodhi edhe me agjërimin. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) mbërriti në Medine agjëronte tre ditë në muaj dhe ditën e ashurasë. Pas kësaj Allahu e bëri obligim agjërimin duke thënë: “O ju të cilët keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim sikur ka qenë edhe për ata që kanë qenë para jush, me qëllim që të jeni të devotshëm.. E ata që i rëndon ai (agjërimi) janë të obliguar për kompesim, ushqim (ditor) i një të varfëri.”[12]

Në këtë kohë ata që kishin dëshirë të agjërojnë agjëronin kurse ata që nuk dëshironin e kompesonin atë me ushqim ditor për një të varfër. Dhe njeriu ishte i lirë për të zgjedhur.

Pas kësaj Allahu i Madhëruar shpalli ajetin kuranor: “Muaji i Ramazanit që në të filloi të shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga e shtrembërta). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë..”[13]

Pas zbritjes së këtij ajeti, ai që njeri që gëzonte shëndet dhe ishte rezident e kishte obligim agjërimin, kurse për të sëmurin dhe udhëtarin ishte i lirë të zgjidhte. Këto ishin dy ndryshime.

Muadhi vazhdon duke thënë: Pas perëndimit hanim dhe pinim derisa të flinim, kurse pas gjumit nuk hanim dhe pinim deri në perëndim të diellit. Një ditë njëri prej ensarëve që quhej Sarmeh kishte punuar ditën duke qenë agjërueshëm. Kur u kthye në shtëpi fali jacinë dhe flejti pa ngrënë dhe pa pirë deri në mëngjes. Të nesërmen agjëroi. I Dërguari i Allahut (a.s) u takua me të dhe pa tek ai shenjat e lodhjes dhe të rraskapitjes. Ai e pyeti: Përse je i lodhur dhe ai i tregoi arsyen. Një gjë e ngjashme i ndodhi edhe Omerit (r. a), i cili kishte bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten dhe pastaj ranë të flenë. Pas kësaj, Allahu i Madhëruar shpalli ajetin kuranor: “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë e juaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to. Allahu e di se ju keni mashtruar veten tuaj, prandaj ua pranoi dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje..”[14]

Ndalimi gradual i verës (alkolit)

Arabët para Islamit ishin popull i cili pinte shumë verë. Ata krenoheshin për këtë gjë dhe mysafirët i gostisnin me verë si shenjë nderimi dhe respketi. Ata thonin:

E pijmë dhe ai na kthen në mbretër dhe luanë

E pastaj as takimit me armikun nuk i trembemi

Në kohën kur e shëmtuara konsiderohet vlerë dhe sëmundja konsiderohet ilaç, shërimi i vesit është shumë i vështirë. Shërimi i një dukurije devijante është më i lehtë kur njeriu që e bën është i vetëdijshëm për dëmin e saj. Në lidhje me ndalimin e alkolit, Kurani ka ndjekur një rrugë të veçantë. Në fillim e kritikoi verën dhe dëmin e saj në formë indirekte duke thënë: “Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (dehëse) dhe ushqim të mirë.” Pas këtij u shpall ajeti: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre..”[15]

Ky ajet ndryshoi mendimet e njerëzve të cilët pirjen e alkolit e konsideronin vlerë, gjë kjo e cila konsiderohet element i rëndësishëm në shërimin e shpirtit. Pas zbritjes së këtij ajeti shumë muslimanë kuptuan se pirja e alkolit nuk ishte vlerë dhe se dëmi i tij ishte më i madh sesa dobitë. Disa muslimanë e frenuan veten nga pirja e tij, në kohë që disa të tjerë vazhduan ta konsumonin. Pas kësaj etape, erdhi periudha në të cilën konsumimi i alkolit u ndalua në disa etapa. Kjo synonte adaptimin pjesërisht të njerëzve pa pirë alkol, si ajeti kuranor: “O ju të cilët keni besuar! Mos iu afroni namazit duke qenë të dehur..”[16] Kur u shpall ky ajet, njerëzit nuk pinin alkol në kohën para se me falë namaz. Pas këtij ajeti, u shpall ajeti që në mënyrë kategorike e ndaloi alkolin: “O ju të cilët keni besuar! Nuk ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetave (falli) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit e Zoti dhe t’ju largojë nga namazi. Pra a po i jepni fund (alkolit dhe bixhozit.)?!”[17]

Autor: Omer Sulejman El Eshkar

[1] – Sure Nahl: 44.

[2] – Sure Maide: 6.

[3] – Sure Bekare: 183 – 184.

[4] – Sure Teube: 103.

[5] – Muslimi dhe Ahmeti.

[6] – Sure Bekare: 222.

[7] – Sure Bekare: 217.

[8] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.

[9] – Ahmeti.

[10] – Sure Muxhadele: 1 – 2.

[11] – Buhariu dhe Muslimi.

[12] – Sure Bekare: 183 – 184.

[13] – Sure Bekare: 185.

[14] – Sure Bekare: 187.

[15] – Sure Bekare: 219.

[16] – Sure Nisa: 43.

[17] – Sure Maide: 90 – 91.

Exit mobile version