NATO dënon vrasjen e 13 shtetasve turq nga organizata terroriste PKK

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dënojnë vrasjen e 13 shtetasve turq në Gara të Irakut verior, duke theksuar se aleatët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për popullin turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg mbajti një konferencë shtypi pas sesionit të ditës së parë të Takimit dyditor të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, i mbajtur nëpërmjet videokonferencës.

I pyetur në lidhje me martirizimin e 13 shtetasve turq nga organizata terroriste PKK në veri të Irakut, Stoltenberg tha se i dënojnë në mënyrën më të fuqishme përgjegjësit e masakrës.

“Aleatët përcollën ngushëllimet e tyre në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes sot. Aleatët solidarizohen me popullin turk”, tha shefi i NATO-s.

Ndryshe, autoritetet turke javën e kaluar njoftuan gjetjen e trupave të 13 shtetasve turq të masakruar nga PKK-ja gjatë një operacioni antiterrorist në Gara të Irakut verior.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjet e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.