NATO dënoi përdorimin nga Bjellorusia të “emigrimit të parregullt të krijuar artificialisht” si një mjet kundër vendeve fqinje.
Në një deklaratë të NATO-s, shkruhej: “Këshilli i Atlantikut të Veriut dënon fuqishëm përdorimin instrumental të emigrimit të parregullt të krijuar artificialisht nga Bjellorusia si pjesë e sulmeve hibride ndaj Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë për qëllime politike.”
Gjithashtu theksohej se veprime të tilla rrezikojnë jetën e njerëzve të pambrojtur dhe bëhej e ditur se aleatët e NATO-s qëndrojnë në solidaritet me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë.
“Ne do të mbetemi vigjilentë ndaj rrezikut të përshkallëzimit të tensioneve dhe provokimeve në kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë dhe do të vazhdojmë të monitorojmë ndikimin në sigurinë e Aleancës. Aleatët e NATO-s i bëjnë thirrje Bjellorusisë që të ndalojë këto veprime, të respektojë të drejtat themelore të njeriut dhe të respektojë ligjin ndërkombëtar”, shkruhej në deklaratën e NATO-s. /trt