“Çdo agresion rus kundër Ukrainës do të ketë kosto dhe pasoja si politike, ashtu edhe ekonomike,” paralajmëroi Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin letonez Egils Levits dje në Riga, kryeqyteti i Letonisë, ku sot dhe nesër do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s.
Shefi i NATO-s sqaroi se ministeriali dyditor do të fokusohet në situatën në lidhje me mobilizimin ushtarak të Rusisë në kufirin ukrainas dhe njerëzit që kanë udhëtuar në kufi për të kaluar nga Bjellorusia në Poloni, Letoni dhe Lituani.
Stoltenberg tha se administrata bjelloruse i kishte instrumentalizuar emigrantët, duke minuar stabilitetin rajonal.
Situata në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë monitorohet nga afër dhe me shqetësim, theksoi shefi i NATO-s dhe shtoi:
“Për herë të dytë këtë vit, Rusia ka mbledhur forcat e saj në rajon në një shkallë të gjerë dhe të pazakontë. Këtu (në kufi) shohim dhjetëra-mijëra ushtarë të gatshëm për luftë me armë të rënda, artileri, reparte të blinduara, mjete ajrore pa pilot dhe sisteme të luftës elektronike. Ky dislokim ushtarak është këtu pa arsye dhe i pashpjeguar. Një situatë e tillë nxit tensionet dhe shton mundësinë për t’i bërë gabim llogaritë. Çdo agresion rus në Ukrainë do të ketë kosto dhe pasoja politike e ekonomike. Rusia duhet të jetë transparente, ajo duhet ta ulë tensionin”.
Në përgjigje të një pyetjeje për një plan të mundshëm të NATO-s për të forcuar praninë e saj në rajonin e Baltikut, Stoltenberg tha se pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, NATO e ka rritur praninë e saj në rajon.
“Vitet e fundit ne kemi bërë përforcimin më të madh të mbrojtjes sonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë”,- u shpreh Stoltenberg, duke thënë se ata kanë trefishuar madhësinë e Forcës së Reagimit të NATO-s dhe e kanë rritur atë në 40.000 trupa dhe se kjo forcë mund të dislokohet brenda një periudhe të shkurtër kohore nëse është e nevojshme.
Stoltenberg tha se përveç Rusisë, në ministerial do të diskutohet edhe Koncepti i ri Strategjik, i planifikuar të ratifikohet gjatë Samitit të NATO-s në Spanjë në vitin 2022.
Sekretari i Përgjithshëm saktësoi se NATO është një aleancë e Amerikës së Veriut dhe Evropës, por se rajoni përballet me kërcënime dhe sfida globale.
“Ekuilibri i fuqive globale ka ndryshuar me ngritjen e Kinës. Të gjitha këto duhet të përfshihen në dokumentin e ri të Konceptit Strategjik”, theksoi ai. /trt