E dënuara me 8 vjet burgim, Natali Velijaj ka folur për herë të parë për tenderin e pasaportave. Ajo ka treguar në detaje për skemën e mashtrimit, korrupsionit, dhënies dhe marrjes së ryshfetit. Velijaj thotë se Prokuroria nuk ka dashur ta hetojë rastin deri në fund, për shkak se, sipas saj nuk ka dashur t’i prek pronarët e kompanisë austriake dhe zyrtarët e MPB-së të lidhur me krerët më të lartë të PDK-së. Intervista e shoqëruar me dokumente autentike botohet në disa vazhdime.
Ndale incizimin”, kërkon Natali Velijaj në mes të një interviste ekskluzive të dhënë për Insajderin në Burgun e Lipjanit.
Deri në atë pikë tregon gjithçka. Por, kur pyetet për hallkën e parë të kontaktit me përfaqësuesit e kompanisë austriake, OeSD, ajo heziton ta përmend emrin.
“E kom ni djalë jashtë, e kom frikë mos po ma vrasin”, insiston Velijaj.
Intervista ndalet aty. Nuk mund të vazhdonte pa hallkën kryesore.
Velijaj mbledh vetën.
“Bashkim Shala – shoferi i Kadri Veselit”, thotë ajo teksa mbledh forcën për të treguar gjithçka për skemën kriminale të vjedhjes së parave të tenderit të pasaportave biometrike të Kosovës.
Velijaj, ndodhej në Gjermani kur kishte marrë një telefonatë në fillim të vitit 2011 nga Bashkim Shala.
“Natali a ki naj kon të ngjofshëm te austriakt, se na knej me kroat jena kanë po kroatët janë ra. Neve po na vyn qitash dikush me austriakët”, i kishte thënë asaj, Bashkim Shala – njëri i afërm i Kadri Veselit për të cilin është raportuar se ka qenë truproje dhe shofer i tij.
Në një intervistë për Insajderin të realizuar në Burgun e Lipjanit, shtetasja gjermane ka treguar se si kishte rënë në kontakt me austriakët e kompanisë për prodhimin e pasaportave, OeSD dhe marrëveshjet me ta që kishte për ndarjen e përqindjes së ryshfetit.
Si rezultat i këtyre marrëveshjeve, Velijaj ka treguar mënyrën se si do të shpërlaheshin paratë nëpërmjet disa firmave private, një pjesë e të cilave ishin themeluar vetëm pas nënshkrimit të kontratës në mes të OeSD-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për prodhimin e pasaportave biometrike.
Vlera e tenderit ishte mbi 14 milionë euro.
Velijaj ka folur nga burgu për atë që tashmë quhet si skandali i pasaportave. Ka treguar skemën komplete të një afere korruptive në të cilën sipas saj janë të përfshirë njerëz me ndikim politik në Kosovë, drejtues të kompanisë austriake OeSD, Ambasadën e Austrisë në Kosovë, hetuesit policorë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët sipas saj nuk kanë dashur t’i hetojnë të gjithë të përfshirit.
Ajo ka thënë se nuk ishte e njoftuar fare për këtë tender, derisa kishte marrë një telefonatë nga Bashkim Shala. Pas marrëveshjes me të, ajo kishte rënë në kontakt me drejtuesit e kompanisë austriake të cilët ishin pajtuar për ryshfetit që ishte rreth 10 për qind.
Takimi ishte realizuar në Hotel Prishtina, në Prishtinë, në mes saj dhe Andreas Fritz, pronar i kompanisë dhe Reihnart Gausterer – drejtor gjeneral.
Në atë hotel, Velijaj, ka treguar se si i ishin sjellë numrat e llogarive bankare nëpër të cilat do të shpërndaheshin paratë. Mes këtyre kompanive ishte edhe ajo e Hashim Shalës, vëllait të Bashkim Shalës.
Velijaj ka thënë se mbi 600 mijë euro ryshfet i ka dhënë ajo para të thata për zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ka shkruar me dorën e saj emrat e tyre dhe mënyrën se dhe ku i kishte dhënë këto para.
Velijaj tashmë ka përfunduar më shumë se gjysmën e dënimit. Por, shteti nuk po e lejon atë të dalë vikendeve, derisa i bashkakuzuari tjetër, Fisnik Blakaj ka kohë që del nga burgu.
Velijaj është dënuar me tetë vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë. Fisnik Blakaj me gjatë vjet dhe 25 mijë euro gjobë.
Ergyn Dogan, është dënuar me pesë vjet. Imer Fazliut me dy vjet e gjysmë. Nazmi Thaçi një vit e gjysmë. Betim Blakaj është dënuar me një vit.
Të pafajshëm Gjykata e Apelit i kishte shpallur Jakup Blakqorin dhe Sefedin Shalën.
Velijaj dhe Fisnik Blakaj ishin dënuar sepse si themelues dhe drejtues të një grupi kriminal kishin përvetësuar 1.4 milion euro që sipas Gjykatës do të duhej të shkonin për kompaninë austriake, OeSD. Gati gjysma e këtyre parave janë gjetur.
Grupi kriminal i drejtuar nga Natali Velijaj, pronare e firmës Consulting Eu është vërtetuar se kanë planifikuar gjithçka për të përvetësuar paratë. Madje edhe disa firma ishin hapur pak ditë para vjedhjes së parave.
669 mijë euro nga shuma prej 104 milion eurosh të përvetësuara, Velijaj, i kishte derdhur në llogaritë bankare të firmave “Pirro SH.P.K.”, “FIB OIL”, “Construction Beton”, “Qeramika”, “RON ING SHPK”.
Pronarët dhe menaxherët e këtyre firmave Nazmi Thaçi nga Kramoviku i Rahovecit, Sefedin Shala nga Duboviku i Deçanit, Imer Fazliu nga Bokshiqi i Klinës, Jakup Blakqori nga Letanci i Podujevës, Ergyn Dogani nga Prishtina janë dënuar si pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Natali Velijaj dhe Fisnik Blakaj.
Paratë që Velijaj do të duhej t’i transferonte në kompaninë austriake OeSD, sipas Gjykatës është përpjekur t’i shpërlajë nëpërmjet këtyre firmave ndërtimore e tregtare.
Që nga 13 dhjetori 2011 deri më 3 gusht 2012 Natalio Velijaj ka marrë pagesa që arrijnë shumën prej 3,361, 283. 25 euro nga Ministria e Punëve të Brendshme në llogarinë e saj bankare të cilat ishin të destinuara për palën e dëmtuar në këtë rast OeSD. 1, 941, 028. 12 euro nga kjo shumë për OeSD, ka tërhequr 648, 553, 87 euro në para të gatshme dhe pjesën tjetër e mbetur ia ka transferuar pranuesve të ndryshëm. Në veçanti kompanisë së ndërtimit ‘Beton’, ‘Pirro’, ‘Qeramika’ dhe ‘PRO ING’ transferoi u transferoi 669,000 eurove.
Prokuroria kishte zbuluar se më 14 dhjetor 2011, Natali Velija kishte transferuar një total prej 200,000 Eurosh në llogarinë bankare të kompanisë “PIRRO SHPK”. Pronari i PIRRO është Hashim Shala, vëllai i Bashkim Shalës, njëri i afërm i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Ergyn Dogani është i shënuar si një pjesëmarrës i autorizuar në kompani.
Më 14 dhe 15 dhjetor 2011, Ergyn Dogani kishte tërhequr shumën e sipërpërmendur prej 200,000 eurosh në para të gatshme.
Më 19 dhjetor 2011, Natali Velija kishte transferuar 100,000 Euro tek llogaria bankare e kompanisë “RON ING SHPK”, dhe më 27 Dhjetor 2011, 100,000 te tjera tek llogaria e njëjtë bankare. Pronari i kompanisë RON ING është Sefedin Shala. Imer Fazlia është i shënuar si pjesëmarrës i autorizuar i kompanisë.
Ndërmjet 19 dhe 20 dhjetorit 2011, Imer Fazlia kishte tërhequr 96,000 euro në para të gatshme dhe ndërmjet 21 dhe 24 dhjetorit 2011, Sefedin Shala kishte tërhequr 5. 500 euro në para të gatshme. Ndërmjet 27 dhe 30 Dhjetorit 2011 Imer Fazlia kishte tërhequr 69,000 euro të tjera në para të gatshme. Sefedin Shala kishte tërhequr 31,400 euro gjatë periudhës së njëjtë.
Më 22 shkurt 2012, Natali Velija kishte transferuar 100,000 euro në llogarinë bankare të kompanisë Qeramika LB Kosova SHPK, pronarë të së cilës janë Jakup Blakqori dhe Ergyn Dogani. Më 1 mars 2012 kishte transferuar një tjetër shumë prej 100,000 eurove tek llogaria e njëjtë bankare. Më 16 mars 2013, 135,000 euro ishin transferuar tek kompania PIRRO që më pas ishin tërhequr në para të gatshme nga Ergyn Dogani. Pjesa e mbetur prej 65,000 eurove ishte tërhequr në para të gatshme nga llogaria bankare e kompanisë Qeramika nga Jakup Blakqori dhe Ergyn Dogani.
Më 1 mars 2012 Natali Velija ka transferuar 20,000 euro në llogarinë bankare të kompanisë Construction Beton SHPK dhe më 30 Gusht 2012 ka transferuar 49,000 euro në llogarinë e njëjtë bankare.
Më 30 qershor 2010 është nënshkruar kontrata në mes FIMEX (kompani me të cilën Natali Velija dhe Fisnik Blakaj janë të lidhur), “Plazidus Management Consulting”, kompani kjo e Velijajt dhe OeSD.
Por, Velijaj thotë se kjo nuk është e terë skema. Pretendon se Prokuroria nuk e ka hetuar rastin deri në fund. Madje, thotë se intervista e saj në Prokurori është lënë në gjysmë dhe nuk e kanë thirrur më.
Velijaj, thekson se aktakuza dhe gjykimi është zhvilluar pa ekspertizë financiare, për çka ka angazhuar dy avokatë, një vendës dhe një gjerman për ta paditur EULEX-in në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.