Ballina Artikuj Nata e Kadrit në dritën e kaptinës El-Kadër

Nata e Kadrit në dritën e kaptinës El-Kadër

Dr. Valmire Batatina Krasniqi

(Ekzegjeza analitike e kaptinës el Kadër) 

Kaptina El Kadër, e cila në radhitjen kuranore zë vend në xhuzin e fundit të Kuranit, respektivisht si kaptina e nëntëdhjeteshtatë e tij, shtjellon tematikën e natës më të begatë dhe të dalluar të vitit, natës së Kadrit, në të cilën zbriti Kurani, thekson vlerën e saj, mëshirën që e shtrin Zoti i Madhërishëm dhe zbritjen e engjëjve në të. E zbritur në Meke, kjo kaptinë e shkurtër, por e një rëndësie të veçantë, përbëhet nga vetëm pesë ajete, që është veçori e kaptinave mekase. Kjo kaptinë, duke promovuar besimin, paqen, mëshirën për gjithë botën dhe njerëzimin, manifeston mirëqenie dhe harmoni të shpirtrave dhe largim të mbarë shoqërisë nga të ligat. 

Lidhshmëria e kësaj kaptine me kaptinat e tjera 

Lidhshmëria mes kaptinave është një interpretim i përgjithshëm i Kuranit, i cili jep një shembull të mirë në aspektin e harmonisë kuranore. Nga ky aspekt shihet se edhe kaptina El Kadër përmban një lidhshmëri të ngushtë me disa kaptina të tjera kuranore. Lidhshmëria e saj me kaptinën paraprake, kaptinën Alek, kuptohet nga fakti se në kaptinën paraprake, Zotit i Madhërishëm e urdhëroi Pejgamberin a.s. që të lexonte Kuranin në emër të Zotit të tij, ndërsa në llim të kaptinës El Kadër përmend momentin e shpalljes së Kuranit në natën e Kadrit si një natë me vlerë të lartë, e të veçantë nga çdo natë tjetër.(1) Në të njëjtën kohë, kaptina Alek, duke zënë vend para kaptinës El Kadër, mbështet faktin që në ajetin e parë të kësaj kaptine: “Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit” edhe pse nuk është përmendur Kurani me emër të veçantë, megjithatë përemri “atë” ka për qëllim vetë Kuranin, kuptimi i të cilit mund të jetë: “Lexo Kuranin, të cilin e kemi zbritur në natën e Kadrit dhe fuqia e të cilit është e lartësuar.”(2) Po ashtu përfundimi i kaptinës Alek me frazën: “Vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të”(3), vë në pah harmoninë në mes të këtyre kaptinave, ngase në kaptinën El Kadër itet mbi natën e begatë që qëllimi i saj është afrimi dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit duke bërë ibadete të shumta që përfshin edhe sexhden.
 Sa i përket kuptimit dhe përmbajtjes, shihet se kaptina El Kadër për nga qëllimi ka një lidhje të ngushtë dhe të pathyeshme edhe me kaptinën që zë vend pas saj në radhitjen kuranore atë Bejjineh. Në kaptinën El Kadër duke theksuar se shpallja e Kuranit, pasqyron mëshirën e Allahut ndaj njerëzve, shpëtimin e tyre, dhe në mënyrë indirekte shpreh faktin se kthimi me besim te libri dhe profeti i fundit është gjithashtu një ndjenjë absolute e mëshirës dhe e shpëtimit, kaptina Bejjineh, këto tematika i shqyrton në mënyrë të detajuar duke treguar se Muhamedit a.s. i erdhi Kurani, që ta kumtonte atë.(4) Kaptina Bejjineh, ashtu siç nënkuptohet edhe nga vetë emri i saj, kaptina e argumentit të prerë, mund të thuhet është si një kaptinë sqaruese e kaptinës El Kadër.

Kuptimi i Natës së Kadrit 

Shprehja El Kadër në leksik përmban kuptimin e fuqisë, a aftësisë, sasisë, gjykimit, vlerës, nderit dhe madhështisë, ndërsa në aspektin terminologjik, paraqet një natë të veçantë, të dalluar, madhështore, të nderuar, të lartë dhe si një mundësi për vlerësim.(5) 
Nata e Kadrit e përmendur në kaptinën El Kadër, është prej netëve që e dallon muajin e bekuar Ramazan dhe ia shton edhe më shumë vlerën këtij muaji të bekuar. Ajo dallohet nga çdo natë tjetër, ngase në këtë natë Zoti i Madhërishëm e zbriti Kuranin, fakt ky që evidenton edhe vetë fillimi i kaptinës ku thuhet: “Ne e zbritëm atë në Natën e Kadrit.” Interpretuesit e Kuranit janë unanim se përemri “atë” në këtë ajet ka për qëllim Kuranin, madhështia e të cilit nënkuptohet edhe pa e përmendur me emër të veçantë, dhe se zbritja e tij i takon vetëm Allahut të Lartësuar.(6) Kurse komentatori Zemahsheriu, në interpretimin e ajetit në fjalë, thekson se i Gjithmëshirshmi e lartësoi Kuranin në tri aspekte: Së pari, atë, ia atribuoi vetes së Tij dhe me këtë e bëri të qartë hyjnitetin e Kuranit. E dyta, përdori përemër pa cekur emrin, si dëshmi e madhështisë së tij që nuk ka nevojë për theksim. E treta, lartësoi dhe nderoi kohën kur u shpall ai, pra natën e Kadrit.(7) Dijetarët janë ndarë në disa qëndrime rreth momentit të zbritjes së Kuranit në këtë natë, e në lidhje me këtë, qëndrimi më i saktë është ai që transmetohet nga Ibën Abasi, i cili ka thënë: “Në Natën e Kadrit, Kurani famëlartë, ka zbritur komplet prej Levhi Mahfudhit në qiellin e kësaj bote, dhe pastaj prej aty, i është shpallur Muhamedit a.s. pjesë-pjesë për 23 vjet.”(8) 
Nata e Kadrit e përmendur në kaptinën El Kadër, është prej netëve që e dallon muajin e bekuar Ramazan dhe ia shton edhe më shumë vlerën këtij muaji të bekuar. Më pas rrëfimi në këtë kaptinë vazhdon me pyetjen e parashtruar Pejgamberit a.s: “E ç’të bëri ty të dish, se ç’është Nata e Kadrit?” Dijetarët potencojnë se kjo lloj forme e shprehjes është një mënyrë inkurajuese për të treguar madhështinë e natës së Kadrit, sikurse të ishte thënë: “Çfarë është ajo që ju njofton për vlerën dhe epërsinë e kësaj nate?”(9) Qëllimi i kësaj është të vë në dukje madhështinë, vlerën dhe virtytin e kësaj nate dhe të theksojë se njohuritë njerëzore nuk janë të mjaftueshme për ta perceptuar atë, po ashtu edhe mendja nuk mund të arrijë të konceptojë ngjarje të tilla pa u mbështetur në shpallje. Sidomos kur bëhet falë për një skenë që lidhet me metafizikën, mendja njerëzore dhe shkenca janë të pamja mjaftueshme në konceptimin e saj. Si rrjedhojë, mund të thuhet se këtu ka një argument të prerë si për Kuranin që është zbritur nga Zoti Fuqiplotë, ashtu edhe për madhështinë, nderin dhe fuqinë e natës kur u shpall ai. Andaj është njohur si “lejletu’l Kadër/nata e Kadrit”. Në lidhje me këtë, Raziu, thekson se kjo natë njihet si nata e Kadrit, ngase libri më madhështor, Kurani, zbriti mbi të dërguarin më madhështor, Muhamedin a.s., me gjuhën e një engjëlli të fuqishëm. Këtë e dëshmon edhe vetë përsëritja e fjalës “Kadër” tri herë në këtë kaptinë.(10) 
Sejjid Kutub duke iu qasur këtij vargu kuranor me një qëndrim sociologjik, përmend se kjo është nata në të cilën vendosen vlerat, parimet dhe përcaktohet fati i individëve, madje edhe i kombeve dhe i shteteve.(11) Pra është quajtur Nata e Kadrit, ngase në këtë natë Zoti i Madhërishëm cakton rrëskun, gjërat që do të ndodhin, të mirën dhe të keqen, veprat e njerëzve etj.. Disa prej dijetarëve theksojnë gjithashtu se Nata e Kadrit e mori këtë emër nga pozita e saj e lartë, ose nga pozita e lartë e atij që ngjallë këtë natë me adhurime, sepse veprat që bëhen në këtë natë janë më me vlerë se veprat që bëhen në një mijë net të tjera dhe zënë pozitë të lartë te Krijuesi.(12) 

Natë e madhështisë dhe nderit 

Zoti i Madhërishëm njohurinë dhe vlerën mbi Natën e Kadrit e shpreh duke thënë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!”, që lë të kuptohet se adhurimi dhe namazi i kryer në këtë natë do të jetë më i vlefshëm se një mijë muaj, si dhe ata që bëjnë adhurime me bindje në këtë natë do të jenë të nderuar. Sipas Raziut, ky varg kuranor, përveç që përçon një lajm të mirë, shpreh edhe një paralajmërim. Lajmi i mirë është se i Gjithëmëshirshmi thekson se kjo natë është një natë madhështore pa deklaruar shumën e shpërblimit që do të japë. Kushdo që e gjallëron këtë natë me namaz dhe ibadete do të jetë sikur të ketë adhuruar Atë mbi tetëdhjetë e tre vjet, dhe ai që e përtërinë atë çdo vit, do të ketë jetuar shumë jetë. Paralajmërimi në këtë ajet qëndron në faktin se jo vetëm veprat e mira dhe adhurimet numërohen shumë sh, por edhe mëkatet e bëra në këtë natë do të shkruhen si mëkate të shumëfishta.(13) 
Vlera e kohës përcaktohet nga ngjarje të rëndësishme që ndodhin brenda saj. Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, e cila gjendet në dhjetëshen e fundit të tij dhe dëshmon mëshirën e të Gjithëdijshmit mbi robërit e Tij besimtarë, të cilët i nënshtrohen me sinqeritet vullnetit të Tij dhe kërkojnë mënyrat për t’ju afruar Atij. Ajo promovon mirësi dhe bekime që nuk gjinden në një mijë muaj dhe shpërblim që besimtarët e denjë të popujve të mëhershëm mund ta arrinin vetëm me adhurim të vazhdueshëm gjatë jetës së tyre duke qenë se jetonin më gjatë.(14) Në lidhje me këtë, në një hadith të Pejgamberit a.s. thuhet: “Ju erdhi muaji Ramazan, muaj i bekuar. Allahu xh.sh. ua ka bërë detyrim agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangohen djajtë. Në këtë muaj është një natë më e vlefshme se një mijë muaj; ai që privohet nga kjo natë, ai është privuar nga mirësi të shumta.”(15) Andaj besimtarët nuk duhet të jenë indiferentë dhe të paditur nga vlerat e kësaj nate, përkundrazi duhet ta kërkojnë atë me anë të ibadeteve dhe kërkimfaljes. 
Rrëfimi mbi cilësitë e kësaj nate në kaptinën El Kadër vazhdon: “Me lejen e Zotit të tyre zbresin engjëjt dhe shpirti për secilën çështje.” Dijetarët pohojnë se shprehja “Ruh/shpirt” në ajetin kuranor nënkupton Xhibrilin, ngase në shumë ajete kuranore ky engjëll i madh përmendet si “ruh/shpirt”, ndonjëherë “ruhu’l-kudus/shpirt i shenjtë”, nganjëherë dhe si “ruhu’l-emin/shpirti besnik”.(16) Po ashtu, nocioni “ruhu’l-kudus” është i përmendur edhe në disa hadithe të Pejgamberit a.s..(17) 
Ibën Kethiri, në interpretimin e këtij vargu kuranor, sqaron se në këtë natë të bekuar shtohet zbritja e engjëjve për shkak të shtimit të bereqetit të kësaj Nate. Ata zbresin me begati dhe mëshirë, ashtu sikurse zbresin kur lexohet Kurani, si dhe qarkojnë grupet e njerëzve që e përmendin Allahun dhe i lëshojnë krahët e tyre në shenjë madhërimi dhe respekti për atë që kërkon dijen e vërtetë.(18) Pra, në këtë natë, me urdhrin e Zotit, zbresin në tokë engjëjt me detyra të ndryshme, e në krye të tyre zbret edhe vetë engjëlli më i madh, Xhibrili. Disa nga to i vrojtojnë punët e besimtarëve dhe ibadetin e tyre në këtë natë, duke u lutur për ta, kurse ca të tjerë merren me zbatimin e detyrave të ngarkuara nga Zoti për realizimin e shumë gjërave që kanë të bëjnë me njerëzit. Kjo do të thotë se ata, me urdhrin e Zotit, i marrin shënimet e shkruara në “Levhi Mahfudh” për gjërat që duhet të realizohen (materializohen) gjatë një viti në sferën e rrëskut, ngjarjeve dhe afateve të lindjeve e të vdekjeve.(19) 

Natë e paqes dhe mirësisë 

Në vazhdim të rrëfimit, Zoti i Madhëruar, përshkruan rezultatin e zbritjes së engjëjve në krye me Xhibrilin si vijon: “Ajo është paqe deri në agim të mëngjesit.” Kjo natë është një natë paqeje ku nuk do të ndodhin gjëra të dëmshme dhe gjëra që nuk do t’u sjellin dobi besimtarëve. Sipas një transmetimi kjo natë njihet si nata e shpëtimit që nga fillimi deri në mbarim të saj, sepse shejtanët nuk do të mund të bëjnë asgjë të keqe, ajo është plotësisht mirësi.(20) Sejjid Kutub, sqaron se në mëngjesin e Natës së Kadrit, si rezultat i shpalljes së Kuranit, dielli përmban një ndriçim në harmoni me dritën e shpalljes dhe të engjëjve, dhe se kjo dritë është drita që përhapet në shpirtrat që enden në sferën e ekzistencës.(21) Se kur bie kjo natë, nuk dihet me saktësi, mirëpo duke u bazuar në fjalët e Krijuesit: “Muaji Ramazan (është muaj) në të cilin filloi të (të shpallej) Kurani…”,(22) kuptohet se kjo natë është njëra prej netëve të muajit të begatë Ramazan, ndërsa i Dërguari i Allahut, na ka bërë me dije se kjo natë është njëra prej netëve tek të dhjetë netëshit të fundit të Ramazanit. 
Dijetarët po ashtu janë të pajtimit se e tërë urtësia në mos përcaktimin e kësaj nate nëpër netët e Ramazanit është që besimtari të shtojë ibadetin e tij gjatë tërë kohës, duke kërkuar njëherësh që besimtarët të tregojnë qëndrueshmëri në adhurime, lutje dhe sakrificat e tyre, dhe të shtojnë përpjekjet për të fituar mirësinë dhe kënaqësinë e Plotëfuqimshmit. Po të mos ishte kjo natë e fshehtë dhe e ditur saktësisht, ndoshta njerëzit do të përpiqeshin të bënin adhurim vetëm në këtë natë, dhe pastaj në netët e tjera apo gjatë tërë vitit do të mos kujdeseshin për namazin dhe adhurimin e tyre aq shumë, me çka do të humbte ekuilibri i arsyes në ibadete. Ebu Hanife, thekson se Nata e Kadrit nuk është vetëm në disa net të caktuara, por çdo natë brenda treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditëve të vitit, nëse gjallërohen me ibadete ashtu siç e meritojnë, me lutje dhe sakrificë, atëherë në të gjitha këto net, Zoti i Madhërishëm do të dërgojë shumë mirësi dhe begati ndaj besimtarit. Në një hadith të Pejgamberit a.s. thuhet: “Vepra më e virtytshme tek Allahu është ajo që është e vazhdueshme, qo ë edhe e vogël.”(23) Çdo natë e vitit dhe e tërë jetës se besimtarit duhet të vlerësohet dhe të gjallërohet sikurse të ishte Nata e Kadrit. 
Zoti i Madhërishëm e krijoi njeriun si qenien më me vlerë, e çmoi duke e dalluar nga të gjitha krijesat e tjera, atij i dhuroi një natë të veçantë, pra Natën e Kadrit. Nata e Kadrit është natë ku feja islame u promovua përsëri në tokë. Nga ky këndvështrim, ajo duhet të jetë një pikë kthese në jetën e myslimanit, të mos jetë një natë e zakonshme dhe të mos kalohet vetëm me disa adhurime të zakonshme. Gjëja më rëndësishme këtu është të gjallërohet kjo natë me ibadete dhe lutje, por dhe e gjithë jeta e besimtarit të jetë në përputhje me këtë natë. 

___________________________ 
1. El Bikai, Nazmu’d-Durrer, Egjipt, XXII/177. 
2. Alusi, Ruhu’l-Meani, Bejrut, 1415/1995, XV/411. 
3. Alak 96/19. 
4 . El Bikaî, Nazmu’d-Durrer, XXII/185. 
5. Ibën Mandhur, Lisanu’l-Arab, Bejrut, 1414 h., V/76–79. 
6. Shevkani, Fethu’l-Kadir, Bejrut 1414 h., V/575. 
7. Zemahsheri, el-Keshshaf, Bejrut 1407 h., IV/780. 
8  Ibën Kethir, III/659. 
9. Tefsiru’l-Kur’ani’l -Adhim, El Hazin, Lubabut-Te’vil fi Meani’t-Tenzil, Bejrut, IV/450. 
10. Razi, Mefatihu’l-Gayb, XXIII/281. 
11. Sejjid Kutub, Fi Dhilali’l-Kur’an, VI/3945. 
12. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, XXIV, 533. 
13. Razi, Mefatihu’l-Gayb, XXIII/286. 
14. Malik, Muvatta, Itikaaf, 15. 
15. Nesai, Mesaxhid, 24. 
16. Bakara, 2/87; Maide, 5/110; Nahl, 16.2.102; Gafir, 40/15; Mearic, 70/4; Nebe, 78/38. 
17. Buhari, Salat, 68, Edeb 91; Muslim, Fedhaili-i Sahabe 151,153. 
18. Ibën Kethir, Tefsiru’l-Kur’ani’l-Adhim, IV, 568. 
19. Sabri Bajgora, Komentimi i Kaptinës el-Kadër. 
20. Ibën Kethir, Tefsiru’l-Kur’ani’l-Adhim, VIII/4 44 -445. 
21. Kutub, Fi Dhilali’l-Kur’an, VI/3945. 
22. Bekare, 2/185. 
23. Buhari, Rikak, 18; Muslim, Salatu’l-Musafirin, 216

Exit mobile version