Nata e Kadrit është nata e mëshirës, faljes dhe bekimeve të pafundme.
Është një mundësi e rrallë për të pastruar zemrën, për të kërkuar falje dhe për t’u afruar me Zotin me lutje të sinqerta.
Në këtë natë, çdo fjalë e thënë me zemër arrin qiellin, çdo lot peshon rëndë dhe çdo lutje ka shpresën të pranohet. Është nata kur errësira shpirtërore ndriçohet me dritën e besimit dhe shpresës.
Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.
Është nata kur Zoti i Lartësuar zbret mëshirën e Tij mbi besimtarët, falë mëkatet dhe pranon lutjet e sinqerta.
Në këtë natë madhështore, u shpall Kurani Famëlartë, si udhëzim për njerëzimin dhe si dritë për zemrat që kërkojnë të vërtetën.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) na ka mësuar të kërkojmë këtë natë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe të bëjmë këtë lutje:
“Allahumme inneke afuwwun tuhibbul-afwe fa’fu anni”
(O Allah, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua).
Le të përfitojmë nga kjo natë e bekuar duke u kthyer sinqerisht te Allahu, duke u lutur, duke falur namaz nate dhe duke kërkuar mëshirën e Tij të pafund.
Qoftë kjo një natë shpëtimi dhe paqeje për të gjithë ne !
Hoxhë Sadik Avdiu