Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Nasrallah u vra brenda dhomës së operacioneve të luftës, tregon ndihmësi i...

Nasrallah u vra brenda dhomës së operacioneve të luftës, tregon ndihmësi i tij

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore izraelite vitin e kaluar, ndërsa ishte brenda dhomës së operacioneve të luftës të grupit militant. Këtë e ka thënë një zyrtar i lartë i Hezbollahut të dielën, transmeton agjencia “AP”.

Një seri sulmesh ajrore izraelite rrafshuan disa ndërtesa në pjesën jugore të Bejrutit më 27 nëntor të vitit 2024. Gjatë atyre sulmeve u vra Nasrallahu. Ministria e Shëndetësisë së Libanit, kishte raportuar për gjashtë të vdekur atëbotë. Sipas raportimeve në media, Nasrallah dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Hezbollahut kishin një takim në atë moment.

Vrasja e Nasrallahut kishte rritur tensionet, ndërsa për dy muaj jugu dhe lindja e Libanit u goditën nga lufta e ashpër. Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 27 nëntor.

“Shkelqësia e tij (Hassan Nasrallah) drejtonte betejën dhe luftën nga ky lokacion”, tha zyrtari i lartë i sigurisë i Hezbollahut, Wafiq Safa, në një konferencë për media të dielën pranë vendit ku u vra Nasrallah.

Ai tha se Nasrallah vdiq në dhomën e operacioneve të luftës dhe nuk dha detaje tjera.

Mediat libaneze kanë raportuar se edhe Safa kishte qenë objektiv i sulmeve izraelite në Bejrut përpara armëpushimit, por ai shpëtoi.

Gjatë fazës së parë të armëpushimit, Hezbollahut duhet t’i lëvizë luftëtarët, armët dhe infrastrukturën e tij larg nga jugu i Libanit për në veri të lumit Litani, ndërsa trupat izraelite – që pushtuan jugun e Libanit – duhet të largohen brenda 60 ditëve. Ushtarët e Libanit do të vendosen në numër të madh përkrah paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit.

Libani dhe Hezbollahu kanë qenë kritik ndaj sulmeve dhe fluturimeve të vazhdueshme izraelite nëpër Liban dhe për tërheqjen e ngadaltë të trupave. E Izraeli ka thënë se Ushtria libaneze s’ka bërë pjesën e saj të marrëveshjes, për çmontimin e infrastrukturës së Hezbollahut.

Udhëheqësi aktual i Hezbollahut, Naim Kassem, në një adresim televiziv të shtunën tha se luftëtarët e tij do ta godasin Izraelin nëse trupat izraelite nuk largohen deri në fund të muajit.

Ndërsa Wafiq Safa tha se kryetari i Parlamentit, Nabih Berri, që negocioi armëpushimin me SHBA-në, i ka thënë Hezbollahut se Qeveria do të takohet së shpejti me të dërguarin e SHBA-së, Amos Hochstein.

“Dhe në dritën e asaj që ndodh, atëherë do të ketë një qëndrim të ri”, tha ai.

Exit mobile version