Ballina Lajmet Shqipëri ‘NasDaily’ me video për Shqipërinë: Shteti mikpritës pa Starbucks, por me mijëra...

‘NasDaily’ me video për Shqipërinë: Shteti mikpritës pa Starbucks, por me mijëra kafene

“Ky shtet i vogël në Evropë nuk prodhon kafe, por ky është shteti me numrin më të madh në botë të kafeneve për banorë” – kështu e fillon videon Nuseir Yassin, i cili menaxhon faqen e njohur të Facebook-ut “NasDaily”.

Ka shumë kohë prej se ai ka filluar misionin që çdo ditë të postojë një video përafërsisht njëminutëshe për të treguar eksperiencat e tij ditore, shkruan Telegrafi.

Nga diçka që e ka filluar shumë thjesht, ai tani ka përfunduar duke shëtitur vendet më të njohura e panjohura në botë, duke iu ofruar një pikëpamje më ndryshe ndjekësve të tij në rrjetet sociale për vendet dhe popujt e ndryshëm.

Këto ditë ai ka bërë të ditur se është duke qëndruar në Shqipëri, andaj edhe ka vendosur ta shpërndajë një video njëminutëshe ku e përshkruan Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.

Në videon e tij, ai është impresionuar nga numri i kafeneve, ku thotë se në çdo kënd që shkoni do ta gjeni një kafene, e që në total janë 18,000 kafene (1 kafene për 169 banorë), e që asnjë prej tyre nuk është Starbucks.

Nas e veçon edhe çmimin e kafeneve, ku thotë se me një çmim prej 50 centëve, turistët nuk e kanë problem të blejnë kafe për tërë klasën e tyre pa pasur nevojë ta grabisin bankën.

Ndër tjerash, ai nuk ka harruar ta theksojë atë për çka shqiptarët njihen më së shumti: mikpritjen!

“Shqipëria është një shtet mikpritës që ka vuajtur nga diktatura dhe varfëria, për shumë e shumë vjet. Nëse numri i kafeneve të shijshme, të lira e mikpritëse nuk iu bind ta vizitoni Shqipërinë, atëherë ndoshta njerëzit do t’ju bindin”!

Përndryshe, qysh prej është publikuar videoja dje me datën 18 tetor, ajo ka arritur t’i marr përafërsisht 2 milionë shikime. /Telegrafi/

Exit mobile version