NASA dhe SpaceX lançuan 4 astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Agjencia amerikane hapësinore NASA dhe kompania private SpaceX e biznesmenit Elon Musk, lançuan katër astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), transmeton Anadolu Agency (AA).

Lançimi, i planifikuar fillimisht për të shtunën, u zhvillua mbrëmë në Qendrën Hapësinore “Kennedy” të NASA-s në shtetin amerikan të Floridës. Fluturimi, i quajtur Crew-1, është misioni i parë operativ i SpaceX i anijes kozmike Crew Dragon.

Ekuipazhi përfshin astronautët e NASA-s Mike Hopkins, Victor Glover dhe Shannon Walker, si dhe astronautin e Agjencisë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor, Soichi Noguchi.

Ata pritet të arrijnë në ISS pas një udhëtimi 27 orësh.

Anija e parë kozmike Crew Dragon e kompanisë SpaceX në muajin maj transportoi në ISS dy astronautë të NASA-s, Robert Behnken dhe Douglas Hurley. Ky lançim ishte misioni i parë me ekuipazh nga SHBA që nga viti 2011.

Presidenti Donald Trump përshëndeti lançimin dhe tha se NASA ishte përmirësuar me administratën e tij.

“Lançim i shkëlqyeshëm! NASA ishte një katastrofë e mbyllur kur ne erdhëm në detyrë. Tani ajo është përsëri qendra hapësinore ‘më e nxehtë’, më e përparuar në botë, deri tani”, shkroi Trump në Twitter.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden përgëzoi NASA-n dhe kompaninë SpaceX për lançimin, si dhe uroi mbarëvajtje për ekuipazhin.

“Është një dëshmi e fuqisë së shkencës dhe asaj që ne mund të arrijmë duke shfrytëzuar inovacionin, zgjuarsinë dhe vendosmërinë tonë. U bashkohem të gjithë amerikanëve dhe popullit të Japonisë duke uruar mbarëvajtje për astronautët në udhëtimin e tyre”, u shpreh Biden në Twitter.