Ballina Artikuj Namazi i sabahut shton jetëgjatësinë

Namazi i sabahut shton jetëgjatësinë

I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Sikur njerëzit ta dinin vlerën e namazit të jacisë dhe sabahut, ata do të shkonin për t’i falur, qoftë edhe duke u zvarritur.”
Më lejoni t’ju shpjegoj këtë me një shembull: A nuk shihni se si shumica e njerëzve e sigurojnë pasurinë dhe jetën e tyre në kompanitë e sigurimeve? Namazi i sabahut është një sigurim gjithëpërfshirës, ju siguron dhe ju mbron nga të gjitha rreziqet e asaj dite. Ju ofron mbrojtje gjatë gjithë ditës dhe natës.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kushdo që fal sabahun, ai është nën mbrojtjen e Allahut. Prandaj, mos i shqetësoni ata që janë nën mbrojtjen e Allahut, sepse Allahu do t’ju thërrasë në llogari për këtë në Ditën e Gjykimit. Kushdo që Allahu e thërret në llogari, Ai do ta kapë dhe do ta hedhë në zjarrin e Xhehenemit.” (Muslim, 657).
Subhanallah! Pasi ta falni sabahun, deri në sabahun tjetër, jeni nën mbrojtjen e Allahut. Përveç kësaj sigurie ditore, do të fitoni edhe sigurinë e natës. Kjo është më e mirë se çdo sigurim jetësor që njerëzit mund të marrin. Namazi i sabahut ju shton jetëgjatësinë afërsisht me një të tretën e jetës. Për shembull, nëse do të jetoni 75 vjet, atëherë kjo do tju shndërrohet në 100 vjet. Si është e mundur kjo? A nuk është gjumi koha e humbur e jetës suaj. Për atë pjesë të jetës nuk do të jepni llogari. Pra, çdo ditë, ju humbni rreth 8 orë ku mund të bëni vepra të mira, pra 8 orë të humbura në gjumë. Por, nëse e keni falur namazin e sabahut me xhemat, ju shkruhet sikur keni kaluar gjithë natën në namaz, në kijam, ruku apo sexhde.
I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Kush fal jacinë në xhemat, është sikur të ketë falur gjysmën e natës, dhe kush fal sabahun në xhemat, është sikur të ketë kaluar tërë natën në namaz.”
Pra, qëndrimin zgjuar gjatë tërë natës (në ibadet) mund ta zëvendësoni vetëm me dy rekate.
Lënia e këtij namazi është një humbje e madhe… Çdo lloj sigurie që merrni gjatë jetës suaj vlen vetëm për dynjanë. Por, siguria e vetme që ju mbron deri në Ditën e Gjykimit është namazi i sabahut. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
” Përgëzoi me dritën e plotë Ditën e Gjykimit ata që ecin në errësirë për të shkuar në xhami.” (Ebu Davudi, 561, dhe Tirmidhiu, 223).
Allahu Ekber! A ka sigurim më të vlefshëm se ky? Ju mbron gjatë gjithë ditës dhe investon në kohën tuaj gjatë natës.
Edhe në Ditën e Gjykimit do t’ju mbrojë në momentin më të vështirë: gjatë kalimit të urës së Siratit. E gjithë kjo për vetëm dy rekate… për të cilat do t’ju duhen jo më shumë se dhjetë minuta.
A nuk është për t’u çuditur se si njerëzit kujdesen më shumë të zgjohen për punë sesa për namazin e sabahut?
Është e dhimbshme për një besimtar kur sheh rrugët boshe gjatë shkuarjes në xhami në kohën e sabahut. Ndërsa pas një ose dy orë rrugët mbushën me njerëz e makina … puna, shkolla, dynjaja … Sikur ta dini sa e sa të mira të dynjasë dhe ahiretit i humbni duke mos u zgjuar në kohë që ta falni namazin e sabahut, ose duke mos shkuar në xhami që ta falni me xhemat …
Zgjohuni! Mos e humbni këtë mundësi për të fituar mbrojtjen e Allahut dhe shpërblimin e Tij të madh!

E shkëputur nga një video ligjëratë

Exit mobile version