Katër lojtarë të finalistit të Ligës së Kampionëve, Borussia Dortmundit nuk janë përfshirë në listën e selektorit të Gjermanisë, Julian Nagelsmann për “Euro 2024”.
Nagelsmann të enjten ka publikuar listën prej 27 futbollistëve, prej të cilëve njëri do të largohet kur të zyrtarizohet lista përfundimtare më 7 qershor.
Matts Hummels, Julian Brandt, Emre Can e Karim Adeyemi nuk janë ftuar nga trajneri Nagelsmann , i cili në fund të këtij muaji do të mbajë një kamp stërvitor për ndeshjet miqësore me Ukranën dhe Greqinë në fillim të qershorit.
Po ashtu, nuk është ftuar as mesfushori i Bayernit, Leon Goretzka. Ajo që bie në sy në listën e Nagelsmannit është se janë ftuar katër portierë, ndërsa në sulm është përfshirë edhe veterani Thomas Muller. Gjithashtu, në mesfushë ka zënë vend edhe i rikthyeri në kombëtare, Toni Kroos.