Nagavci: Rrëzimi i qeverisë Hoti, i pashmangshëm, është çështje ditësh

Ka një muaj që kur u iniciua mocioni për rrëzimin e qeverisë Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje, por ende nuk ka marrë përkrahjen e partive të tjera parlamentare. E pavarësisht kësaj, partia e Albin Kurtit konsideron se rrëzimi i kryeministrit Avdullah Hoti është vetëm çështje ditësh.

Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Arbërie Nagavci, thotë se rrëzimi i qeverisë është i pashmangshëm. Ajo për KosovaPress rendit arsyet se pse koalicioni qeverisës i udhëhequr nga LDK duhet të bie.

“Kurdo që cilado partitë, qoftë ato që janë në opozitë apo në qeverisje do të marrin vendimin për mbështetje të mocionit për rrëzimin e qeverisë, do të ishte një veprim në të mirë të vendit, e jo për mbështetje të LVV-së. Rrëzimi i kësaj qeverie është i pashmangshëm, është vetëm çështje ditësh, kohësh se kur do të ndodhë kjo, por sa më herët që të ndodhë, është më mirë për vendin”, thotë ajo.

Nagavci, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, thotë se deklaratat e kryeministrit Hoti po ndërrojnë nga dita në ditë për dialogun.

I njëjti për të është në detyrën e shefit të ekzekutivit vetëm për të realizuar projektet që janë nisur nga presidenti Thaçi.

“Për fat të keq tashmë është e qartë se deklaratat e kryeministrit Hoti ndërrojnë nga dita në ditë. Kishte premtuar se dialogu do të vazhdojnë vetëm për njohje finale. Por, përfundoi me diçka që e pengon Kosovën edhe në realizimin e të drejtave të saj Kushtetuese. Kryeministri Hoti asnjëherë në Kuvend nuk ka sjell një platformë asnjë herë nuk e ka bërë të qartë në mënyrë të dokumentuar për Kuvendin se çka konkretisht janë çështjet për të cilat nuk mund të shkojë Kosova ose për kërkesat tona që duhet t’i bënim në raport me Serbinë. Gjithmonë deklaratat e tij kanë qenë shumë të përgjithshme kanë qenë të tilla që janë munduar të ikin të vërtetës që ai faktikisht është në një detyrë që i është përcaktuar në krye të qeverisë që është. Pra, kryeministri Hoti është në këtë detyrë për të realizuar projekte veçse i ka nisur presidenti Thaçi”, u shpreh Nagavci.

Ndërkaq, u shpreh kritike edhe për përfshirjen e liqenit të Ujmanit në marrëveshjen për normalizim ekonomik me Serbinë.