“Na vjen keq”, ush’tria iz’raelite thjesht kërkon falje pasi shkatërroi shtëpinë e një familjeje pa’lestineze

Një i ri palestinez rrëfeu se si forcat izraelite shkatërruan shtëpinë e familjes së tij në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe i vunë flakën makinës së babait të tij, teksa ajo ishte e parkuar para shtëpisë, raporton Anadolu.

Ahmed Nasser, 30 vjeç, jeton në lagjen Iktaba në Tulkarm në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Ai u zgjua në orën 6:00 të mëngjesit nga të shtënat e armëve të drejtuara në shtëpinë e tij.

“Pa asnjë arsye, për pak sa nuk u vramë nga të shtënat e ushtrisë izraelite”, përshkroi Nasser momentet që përjetoi me gruan e tij dhe binjakët e tyre 3-vjeçarë.

“Ne u zgjuam nga zhurma e plumbave që u gjuajtën në shtëpi nga të gjitha anët”, tha ai për Anadolu, duke shtuar: “Kam kaluar rreth 40 minuta nën shtrat me gruan dhe fëmijët e mi. Bërtita disa herë: Çfarë po ndodh? Por, ishte e kotë”.

Nasser tha se makina e babait të tij, e cila ishte e parkuar para shtëpisë, u godit nga një granatë antitank, duke u djegur plotësisht.

“Pas 40 minutash, na urdhëruan të dilnim jashtë. Ne dolëm jashtë dhe unë u ndalova menjëherë dhe u kontrollova plotësisht”, rikujton ai, duke shtuar:

“Ushtria pretendoi se në shtëpinë time ishte një person që ishte i kërkuar. Unë u thashë që nuk kishte njeri në shtëpi, por ata insistuan dhe e detyruan gruan time të kthehej në shtëpi dhe të hapte të gjitha dyert. Ata madje dërguan një dron për të filmuar, por nuk gjetën asgjë.”

Nasser tha se ai u përdor si një mburojë e gjallë nga forcat izraelite teksa ata bastisën shtëpinë.

“Ata nuk gjetën asgjë, përveç se njëra derë ishte e mbërthyer dhe nuk hapej, kështu që e hapën me municion të vërtetë”, tha ai.

Teksa dolën nga shtëpia, një oficer izraelit i tha Naserit: “Dy orë më parë, shtëpia jote ishte e bukur. Tani është shkatërruar. Na vjen keq”.

“Çfarë mund të them? Shtëpia ime u shkatërrua, plumbat shkatërruan gjithçka, makina e babait tim u dogj dhe oficeri vetëm thotë: Më fal”, thotë Naser.

Ushtria izraelite nisi një operacion ushtarak në kampin e refugjatëve Tulkarm herët këtë mëngjes, ku ishin përfshirë edhe buldozerë që shkatërruan rrugë, dyqane dhe automjete në kamp.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se tre palestinezë u vranë në sulmin izraelit në kamp.

Përleshje sporadike të armatosura u raportuan në disa zona të kampit, si dhe shpërthime.

Në deklarata të veçanta, grupet palestineze të rezistencës, përfshirë Hamasin, Fatahun dhe Xhihadin Islamik, thanë se luftëtarët e tyre ishin përballur me forcat e ushtrisë izraelite gjatë bastisjes në Tulkarm.

Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat u përshkallëzuan pas fillimit të luftës në Gaza tetorin e kaluar. Palestinezët gjithashtu janë sulmuar dhunshëm nga kolonët e paligjshëm izraelitë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 640 palestinezë janë vrarë dhe mbi 5.400 të tjerë janë plagosur nga ushtria izraelite në territorin e pushtuar.

Në një opinion historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.