Na fal ja ResulAllah për ngutjen në hutben e kaluar, ku folëm për Salavatet ndaj teje. Na fal që e trajtuam Salavatin me nguti, vetëm pse kishte shi atë ditë. Më fal mua dhe vëllëzërit e mi që u falën përjashta xhamisë dhe nuk ishin të koncentruar për të dëgjuar për vlerën e Salavateve ndaj teje.
Më fal ja ResulAllah që po të kërkoj falje dhe që po mendoj se me këtë po e kryej obligimin ndaj teje e po të dalim hakesh për gjithë atë që ke bërë për mua, vëllëzërit dhe motrat e mia, Ummetin Islam dhe për njerëzimin, pa çka po harrojmë se edhe 24 orë mos me i ndalë Salavatet ndaj teje, nuk të dalim hakesh, edhe gjithë jetën tonë me e zbatu Sunnetin tënd, nuk te dalim hakesh, edhe 24 ore me folë per Salavatet, nuk të dalim hakesh, edhe 24 orë me dëgju për Salavatet nuk te dalim hakesh, edhe me çdo frymë me dënesë në Salavate, jo assesi nuk të dalim hakesh! Por, ishe ti ai që na mësove të kërkojmë falje, prandaj edhe në këtë moment po zbatojmë një mësim tëndin. Po çfarë janë këto fjalë e fjali që po i radhis e po harroj se ti ke qajt dhe je përmalluar për mua, për ne, për Ummetin, për ne vëllëzërit dhe motrat tua, që jetojmë në fund të 2021-es dhe me këtë i habite edhe as’habët-shokët e tu! Në një ditë atyre u the:”Sa më ka marrë malli për vëllëzërit e mi?! E as’habët të habitur të thanë: a nuk jemi ne vëllëzërit e tu?! E ti ju the: jo! Ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllëzërit e mi janë ata që do vijnë në të ardhmen e pa me parë do më besojnë…!” Ti u përmallove për ne ja HabibAllah! Ti qave për ne dhe pate të drejtë ja NebijjAllah!
Ti edhe lutjen më të veçant , që i është premtuar përgjigjja në të çdo pejgamberi nuk e përdore për veten tënde, por e rezervove për ne. E unë sot pyes vetën time a e meritojmë ne gjithë këtë nder. A e meritojmë ne gjithë këtë dashuri e kujdes?
Ebu Hurejra ka thënë:
“Një ditë i ofruan të Dërguarit të Allahut, mish për të ngrënë, iu ofrua një copë shpatull, të cilën e pëlqente shumë. Ai kapi prej saj një copë me majat e dhëmbëve dhe tha:
“Unë do të jem zotëria i njerëzve në Ditën e Kijametit, dhe a e dini pse?
Allahu do të grumbullojë njerëzit në Ditën e Kijametit-të parët dhe të fundmit-në një rrafsh të vetëm, ku i arrine zëri i thirrësit dhe i përfshine shikimi, e Dielli afrohet sa njerëzit ndiejnë vështirësi dhe pikëllim, aq sa nuk i rezistojnë dot.
Disa njerëz u thonë disa të tjerëve: A nuk e shikoni se në çfarë gjendje jemi? A nuk e shikoni se çfarë ju ka rënë? A nuk po shikoni se kush mund të ndërmjetësojë për ju te Zoti juaj?
Disa të tjerë thonë: shkoni tek Ademi. Ata shkojnë dhe i thonë:
O Adem! Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Duart e Tij, ka fryrë të ti nga shpirti i krijuar prej Tij, si dhe ka urdhëruar engjëjt e ata të ranë ty në sexhde, ndërmjetëso për ne të Zoti yt, a nuk e shikon se deri ku ka arritur çështja?
Ai u thotë: Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë, e kurrë nuk do të zemërohet më pas, si tani. Ai më ndaloi nga “pema” që të mos haja prej saj, e unë e kundërshtova. Vetja ime! Vetja ime!
Shkoni të ndonjë tjetër, shkoni te Nuhu! Ata shkojnë të Nuhu dhe i thonë: O Nuh! Ti je i pari i të Dërguarve, Allahu të ka quajtur “rob falënderues”, ndërmjetëso për ne të Zoti yt! A nuk e shikon se në ç’gjendje jemi? A nuk e shikon se deri ku ka arritur çështja?
Ai u thotë: Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë, e kurrë nuk do të zemërohet më pas, si tani. Një lutje (të pranuar) që e kam pasur, e bëra kundër popullit tim. Vetja ime! Vetja ime!
Shkoni tek Ibrahimi! Ata shkojnë tek ai dhe i thonë: Ti je i Dërguar i Allahut dhe mik i Tij nga banorët e tokës, ndërmjetëso për ne të Zoti yt! A nuk e shikon se në ç’gjendje jemi? A nuk e shikon se deri ku ka arritur çështja?
Ai u thotë atyre: Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë, e kurrë nuk do të zemërohet më pas si tani, dhe u kujton atyre “gënjeshtrat e tij”. Vetja ime! Vetja ime!
Shkoni te dikush tjetër, shkoni të Musai! Ata shkojnë të Musai dhe i thonë: O Musa! Ti je i Dërguar, Allahu të ka përzgjedhur duke të dhënë Shpallje (Risaleh) e duke të të folur drejtpërdrejt, ndërmjetëso për ne te Zoti yt, a nuk e shikon se në ç’gjendje jemi? A nuk e shikon se deri ku ka arritur çështja?
Ai u thotë: Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë, e kurrë nuk do të zemërohet më pas, si tani.
Unë kam vrarë një njeri, për të cilin nuk isha i urdhëruar ta vrisja. Vetja ime! Vetja ime!
Shkoni tek Isai! Ata shkojnë tek Isai dhe i thonë: O Isa! Ti je i Dërguar i Allahut, u ke folur njerëzve kur ishe në djep, ti je Fjalë prej Tij (Allahut), të cilën Ai e vendosi te Merjemja si shpirt i krijuar prej Tij. Ndërmjetëso për ne të Zoti yt! A nuk e shikon se në ç’gjendje jemi? A nuk e shikon se deri ku ka arritur çështja?
Isai u thotë: Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë, e kurrë nuk do të zemërohet më pas, si tani – dhe nuk u përmend ndonjë gabim. Vetja ime! Vetja ime!
Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Pejgamberi Muhammed! Shkojnë të Pejgamberi Muhammed dhe i thonë:
O Muhamed! Ti je i Dërguar i Allahut dhe vula e Lajmëtarëve(Nebijjun) Allahu të ka falur gabimet e kaluara dhe të mëvonshme, ndërmjetëso për ne të Zoti yt! A nuk e shikon se në ç’gjendje jemi? A nuk e shikon se deri ku ka arritur çështja?
Dhe unë nisem dhe shkoj nën Arshin (e Allahut) dhe bie në sexhde për Zotin tim, pastaj Allahu më frymëzon disa lavde dhe falënderime për Të, të cilat nuk ia kishte frymëzuar tjetërkujt para meje, pastaj thuhet:
O Muhamed! Ngrije kokën, kërko e do të të jepet, ndërmjetëso dhe do të të lejohet.
E ngre kokën dhe them: O Zot! Umeti im, umeti im!
Thuhet: O Muhamed! Fut në Xhenet prej umetit tënd atë që nuk ka llogari, nga porta e djathtë e portave të Xhenetit, e ata do të hyjnë me njerëzit edhe nga portat e tjera veç kësaj.
Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, distanca ndërmjet dy anëve të një dere prej dyerve të Xhenetit është sa distanca ndërmjet Mekës dhe Hexherit (qytet në lindje të Medines), ose sa distanca ndërmjet Mekës dhe Busras (qytet në jug të Sirisë)”.
Buhari 5/225, kreu i Tefsirit, (Surja El Isra).
Muslimi 1/184, kreu i Besimit.
Po ashtu ti ja ResulAllah na sihariqove me thënien:
“Më i lumturi i njerëzve me shefatin-ndërmjetësimin tim në Ditën e Gjykimit do jetë ai që ka thënë sinqerisht dhe me gjithë zemër e shpirt: La ilahe il-la Allah”.
Ai që e thotë me gjithë zemër e me shpirt La ilahe il-la Allah, asesi nuk i harron Farzet me të cilat Zoti na ka nderuar e të bije në Haramet me të cilat Zoti na ka mbrojtur së pari këtu e mandej edhe në Botën tjetër.
Ai që e thotë me gjithë zemër e me shpirt La ilahe il-la Allah, nuk e harron të Dërguarin e Tij (s.a.v.s.), dashurinë ndaj tij, Salavatet e shumta për të (s.a.v.s.), kurrsesi nuk e harron Sunnetin e tij. Ai do i qëndrojë besnik rrugës së tij (s.a.v.s.) dhe zemra e tij do lulëzoj me Salavate. Sal-lAllahu alejke ve alike ja ResulAllah.
Nga: Hoxhë Husamedin Abazi