Ballina Artikuj Mysliman, por jo besimtar..!

Mysliman, por jo besimtar..!

Dr. Salahudin Keftaro

Një jomysliman i afrohet një dijetari mysliman dhe i pëshpërit në vesh, duke i thënë: A është çdo gjë në Kur’anin tuaj e saktë?

Dijetari iu përgjigj: Po, sigurisht!

Ai e pyet: Atëherë, përse Allahu u ka dhënë jobesimtarëve mundësi ndaj besimtarëve, ndërkohë që Ai thotë: “Kurrë nuk do t’i japë Allahu jobesimtarëve mundësi ndaj besimtarëve”!

Dijetari iu përgjigj: Sepse ne jemi myslimanë dhe nuk jemi besimtarë!

Po, cili është ndryshimi mes besimtarëve dhe myslimanëve?

Myslimanët e sotëm i kryejnë të gjitha obligimet e Islamit, me namaz, me zekat, me haxh me agjërim të Ramazanit dhe të tjera adhurime, por ata janë në disfatë të plotë, disfatë në shkencë, në ekonomi, në shoqëri, në ushtri etj.

Përse këto disfata?

Në Kur’an ka ardhur: “Arabët thanë: Kemi besuar! Thuaj: Nuk keni besuar, por thoni: Jemi bërë myslimanë, sepse akoma nuk ka hyrë besimi në zemrat tuaja!” (Huxhurat: 14).

Përse ata janë në disfatë? Përgjigjen e ka sqaruar Kur’arni: Sepse myslimanët nuk janë lartësuar në gradën e besimtarëve.

Le të meditojmë në sa vijon:

Sikur të kishin qenë besimtarë të vërtetë, patjetër Allahu do t’i kishte triumfuar, me argument të fjalës së Tij: “Është obligim i Yni triumfi i besimtarëve”. (Er-Rum: 47)

Sikur të kishin qenë besimtarë, do të ishin bërë më me potencë në mesin e kombeve dhe popujve, me argument të fjalës së Tij: “Dhe, mos u dobësoni e mos u hidhëroni, ndërkohë që ju jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë”. (Ali Imran: 139)

Sikur të kishin qenë besimtarë, Allahu nuk do t’i jepte dikujt tjetër mundësi ndaj tyre, pra sundoheshin prej të tjerëve, me argument të fjalës së Tij: “Kurrë nuk do t’i japë Allahu jobesimtarëve mundësi ndaj besimtarëve”! (En-Nisa: 141)

Sikur të kishin qenë besimtarë, Allahu nuk do t’i kishte lënë në këtë gjendje të ulët, me argument të fjalës së Tij: “Nuk i takon Allahut t’i lërë besimtarët në atë që ju jeni”. (Ali Imran: 179)

Sikur të kishin qenë besimtarë, Allahu do të ishte ta në të gjitha situatat, me argument të fjalës së Tij: “Me të vërtetë Allahu është me besimtarët”. (El-Enfal: 19)

Por, ata kanë qëndruar në nivelin e myslimanëve dhe nuk u lartësuan në shkallën e besimtarëve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Pjesa më e madhe e tyre nuk ishin besimtarë”.

Atëherë, kush janë besimtarët?

Përgjigja nga Kur’ani Famëlartë, ata janë:

“Të penduarit, adhuruesit, falënderuesit, emigruesit, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, urdhëruesit për të mirë, ndaluesit nga të këqijat, ruajtësit e kufijve të Allahut, dhe përgëzoji besimtarët”. (Et-Teube: 112)

Vëmë re, se Allahu i Madhëruar e ka lidhur çështjen e triumfit, mundësisë, sundimit dhe lartësimit së gjendjes me besimtarët dhe jo me myslimanët. Zëvendësi i Allahut në tokë, ai është besimtari, i cili punon vepra të mira: “I ka premtuar atyre, të cilëve kanë besuar prej jush dhe punojnë vepra të mira, patjetër do t’i bëjë ata zëvendës në tokë…”

A jemi ne besimtarë të vërtetë, ashtu siç dëshiron Allahu, për të merituar triumfin, mundësinë dhe të qenurit zëvendës?

E lus Allahun e Madhëruar të na bëjë ne dhe ju prej besimtarëve të vërtetë.

_____________________

Dr. Salahudin Keftaro

(shqipëroi: Lavdrim Hamja)

Exit mobile version