Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Myftiu Tërnava tha se populli i Kosovës do të jetë falënderues ndaj ShBA-së për atë se çfarë kanë bërë për Kosovën.
Ndërkohë, Hovenier falënderoi Myftiu Tërnavën për pritjen dhe bashkëpunimin me ambasadën e ShBA-së, duke e vlerësuar rolin dhe kontributin që po jep BIK.
“Myftiu Tërnava fillimisht falënderoi ambasadorin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën. Ai tha se shqiptarët në përgjithësi, por populli i Kosovës në veçanti, gjithnjë do të jenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë çfarë kanë bërë për Kosovën. Më pas Myftiu Tërnava falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e tij dhe të Ambasadës Amerikane me Bashkësinë Islame të Kosovës në projekte të ndryshme, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij dhe të institucionit të BIK-ut që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen
Nga ana e tij, ambasadori Hovenier, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai vlerësoi lart rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe po jep Bashkësia Islame e Kosovës në kultivimin e vlerave të harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në vend, si dhe për përçimin e mesazheve për paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njofitmin e BIK-ut.