Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në Tryezën shkencore “Hfz. Fahri ef. Iljazi (1903-1985)
-alim dhe udhëheqës i shquar i Bashkësisë Islame të Kosovës”, të organizuar nga IHSI, Prishtinë, më 8 qershor 2023.
E nderuar familje Iljazi,
Të nderuar udhëheqës e drejtues të BIK-ut, Mysafirë të çmuar,
Studiues e pedagogë,
Të nderuar të pranishëm!
Kam nderin dhe kënaqësinë që sot jam i pranishëm në këtë Tryezë shkencore, të organizuar për të vlerësuar jetën, veprën dhe kontributin e njërit prej personaliteteve, myderrizëve, myftinjve e alimëve më të shquar të Bashkësisë Islame në shekullin e kaluar – hafez Fahri efendi Iljazit. Përgëzoj nismën e Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame që në objektivat e tij të punës ka vënë si primare ndriçimin e kontributit të ulemave tanë të mëhershëm, ndër ta edhe për myderrizin dhe alimin tonë të shquar, hafez Fahri efendi Iljazin. Prandaj, një nismë të tillë nuk kemi se si të mos e mbështesim dhe ta përkrahim pa asnjë hezitim, sepse ky është misioni dhe detyra e Institutit tonë, por edhe obligim yni në përgjithësi.
Është detyrë dhe obligim yni që të njohim pararendësit tanë dhe t’u shprehim mirënjohjen më të thellë, sepse ata në kohë e ditë të vështira e me shumë sfida e pengesa, arritën që me përkushtim, urtësi, këmbëngulje e vizion të qartë të udhëhiqnin Bashkësinë Islame, të themelonin e të organizonin institucionet e saj dhe t’i vinin në funksion për të mbajtur gjallë dhe për të zhvilluar jetën fetare islame e arsimore në vendin tonë.
Në mesin e kësaj plejade të ulemasë sonë, pa dyshim se meritueshëm zënë vend edhe hafez Fahri efendi Iljazi, për të cilin sot jemi tubuar këtu në këtë Tryezë shkencore.
Të nderuar të pranishëm,
Myderriz Fahri efendiu, – megjithëqë jetoi e veproi në kohë të vështira, ku ndërrimet e sistemeve shoqërore e ideologjike ishin të shpeshta dhe në të shumtën e rasteve edhe të dëmshme e me pasoja për ne si popull, dhe të cilat nuk ishin aspak dashamirëse për besimet në përgjithësi, e besimin islam në veçanti, – ai falë edukimit të mirë e të drejt që kishte marrë që nga familja disa breza hoxhallarësh dhe i kalitur e formuar nga qarku i ulemasë së Gjakovës, tërë jetën ia kushtoi misionit për të cilin ishte përgatitur, për din e iman, për fe dhe për të mirën e shoqërisë dhe të vendit, gjithnjë mbi parimet dhe mësimet e Kuranit fisnik, të cilin e kishte mësuar përmendsh që në rininë e tij, tek i ati i tij muhafizi e myderrizi i njohur Iljaz efendiu, tek i cili edhe i nisi edhe studimet në Medresenë e Madhe të Gjakovës, për t’i përfunduar me ixhazet në medresenë e njohur “Mehmet Pasha” të Prizrenit para myderrizit, myftiut e dijetarit hafez Nysret efendi Galibit.
Pas mbarimit të studimeve në medrese, Fahri efendiu, emërohet myderriz kryesor dhe drejtues i Medresesë së Madhe të Gjakovës, nga ku edhe më pastaj filloi rrugëtimi dhe angazhimi i tij në detyra të ndryshme udhëheqëse e organizative në institucionet e Bashkësisë Islame, qoftë në kuadër të Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë, nga i cili emërohet Myfti i Gjakovës, apo qoftë pas Luftës së Dytë Botërore, ku e gjejmë në strukturat e forumet e Bashkësisë Islame, që nga Këshilli i Gjakovës, Myftinia e Dukagjinit, Kryesia e Bashkësisë Islame, e deri te forumet qendrore të Bashkësisë Islame në ish-Jugosllavi.
Myderriz Fahri efendiu në të gjitha detyrat, emërimet e angazhimet që iu besuan, tregoi profesionalizëm, përgatitje e përkushtim të veçantë, dhe kjo dëshmohet me besimin e fituar të kolegëve dhe respektin e besimtarëve në mbarë vendin tonë dhe më gjerë.
Aktivitetin e tij prej udhëheqësi e drejtuesi të Bashkësisë Islame të Kosovës, myderriz Fahri efendi Ilajzi, me përjashtim të periudhës kur ishte myfti i Gjakovës në kuadër të Komunitetit Mysliman Shqiptar, e ka zhvilluar gjatë sistemit monist, pra në një periudhë mjaft të ndjeshme e delikate për misionin e hoxhës. Prandaj, puna dhe vepra e ulemave tanë që jetuan e vepruan në këtë periudhë, pra edhe Fahri efendiut, meriton vlerësim, respekt e mirënjohje të veçantë, aq më parë kur ata morën përsipër jo vetëm zhvillimin e jetës fetare
islame, por se edhe konsoliduan, organizuan e themeluan edhe institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës në kuadër të rrethanave dhe kushteve të krijuara në ato kohë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Meqenëse në këtë Tryezë shkencore kemi edhe studiuesit pjesëmarrës me kumtesa, atëherë dhe fjala kryesore u takon atyre për të shpalosur dhe për të dhënë vlerësime më meritore për jetën dhe veprën e hafez Fahri efendi Iljazit, por, mua më lejoni t’i rikonstatoj edhe dy-tri gjëra. Organizimi i kësaj Tryeze shkencore për myderriz Fahri efendi Iljazin, edhe njëherë dëshmon vendosmërinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, për të vazhduar traditën e saj të nisur vitet e fundit për ndriçimin e asaj plejade të tërë të ulemave që u shquan ndër vite e dekada për punën e tyre vetëmohuese e këmbëngulëse për të mirën e njerëzimit, të fesë dhe të atdheut tonë.
Kjo Tryezë shkencore, po ashtu dëshmon përmbushjen e premtimit të dhënë nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës se vargut të sesioneve e tryezave shkencore të mbajtura për myderrizët: Haxhi Sherif ef. Ahmetin (2010), Hasan ef. Nahin (2012), Sadri ef. Prestreshin (2013) dhe Bajram ef. Aganin (2014), botimit të përmbledhjeve për ta, do t’u bashkohen edhe sesione, tryeza e konferenca edhe për ulema të tjerë të shquar të Kosovës dhe se jeta, veprimtaria dhe kontributi i tyre i gjithmbarshëm e shumëdimensional do të jenë pjesë e interesimeve tona dhe të studiuesve tanë, sepse ata vërtet meritojnë më shumë se kaq dhe se ata prore do të kenë vëmendjen dhe vlerësimin tonë maksimal.
Në fund, edhe një herë përgëzoj Institutin për Hulumtime dhe Studime Islame për organizimin e kësaj Tryeze shkencore dhe mirënjohje e falënderim gjithë dashamirësve dhe kontribuuesve për ndriçimin dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së hafez Fahri efendi Iljazit, për shpirtin fisnik të të cilit, ju lus të këndojmë bashkërisht një “Fatiha”! Ju faleminderit dhe punë të mbarë!