Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, funksionojnë dhe janë të hapur për vizitorët, por edhe për studiuesit disa muze, si Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik i Tiranës, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” dhe të tjerë.
Në mesin e këtyre muzeve bën pjesë edhe një muze i veçantë dhe tipologjik, i quajtur Muzeu i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Pjesë e tij janë objekte të ndryshme ushtarake, armë dhe mjete teknike, uniforma, por edhe dokumente dhe simbole të përdorura nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë në periudha të ndryshme historike.
Muzeu i Ushtrisë së Shqipërisë ndodhet në territorin e garnizonit “Skënderbeu” pranë godinës së Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë në Tiranë. Ky institucion ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e qytetarëve në Shqipëri, në veçanti të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ushtarakëve aktivë e në rezervë, historianëve, studiuesve, kërkuesve shkencorë, studentëve dhe nxënësve. Por tashmë për muzeun e FA-së kanë shfaqur interes edhe turistë, vizitorë dhe studiues të huaj.
Përgjegjësi i këtij muzeu, Asllan Zemani, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon se Muzeu i Forcave të Armatosura është krijuar dhe ka filluar të funksionojë në vitin 2012 si një muze tipologjik, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Ndarja e pavijoneve sipas periudhave historike
Pjesë e këtij muzeu janë rreth 6500 objekte, ku 1500 janë me vlera muzeale të veçanta dhe të vendosur nëpër tre pavijone.
Pavijoni i Epokës (1450-1900) përmban objekte historike që janë shpata dhe armë të llojeve dhe madhësive të ndryshme dhe pisqolla, ku përfshihen edhe të periudhës Osmane, etj. Gjithashtu në këtë pavijon janë të ekspozuar edhe topuzë, shpata lufte dhe ceremoniale të shekullit XVI-XIX, pushkë të periudhës së mesjetës dhe objekte të tjera.
Në muze ka edhe objekte që i përkasin viteve 1900-1940. Ndërsa pavijoni i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (1940-1944) përmban kryesisht armatim të prodhimit italian dhe gjerman.
Pavijoni i Luftës së Ftohtë (1945-1990) ka objekte që i përkasin periudhës së regjimit komunist. Në këtë pavijon janë të ekspozuara pistoleta të llojeve të ndryshme të prodhimit gjerman, turk, italian, rus, kinez, si dhe pushkë, automatikë, mitraloza të kalibrave e llojeve të ndryshme, municionet dhe pajisjet e këtyre armëve, granatahedhëse kundërtank 40 mm, mortaja 60 mm dhe 82 mm, raketa kundërajrore, armë dhe municione të ndryshme, pajisje të shëndetësisë, radio-zbulimit dhe aparatura të ndërlidhjes, të përdorura nga Ushtria e Shqipërisë.
Ndërsa për periudhën pas viteve 1990 muzeu vazhdon të pasurohet me objekte të ndryshme me karakter muzeal.
Përveç objekteve të vendosura brenda në godinën e muzeut, edhe jashtë tij gjenden shumë mjete ushtarake të përdorura kryesisht gjatë periudhës së regjimit komunist. Në sheshin jashtë godinës së Muzeut të FA-së janë vendosur objekte të teknikës luftarake të llojeve e kalibrave të ndryshme, avionë, helikopterë, tanke, transportues të blinduar, artileri tokësore të kalibrave të ndryshëm nga 75 mm deri 152 mm, artileri kundërajrore të kalibrave të ndryshëm dhe automjete ushtarake që kanë qenë në përdorim.
Në muze edhe objekte nga periudha Osmane
Zemani tregon se shqiptarët para viteve 1900 kanë blerë ose marrë dhuratë pistoleta dhe jataganë në Anadoll, ku edhe në mënyrë individuale i zbukuronin tek artizanët shqiptarë.
“Pasurimi me objekte vazhdon duke hapur edhe dy filiale të tjera, një në Ferraj të Tiranës që përbëhet nga armatim i rëndë dhe një tjetër në Kuçovë, që quhet Muzeu i Aviacionit. Pavijonet janë ndërtuar sipas armëve dhe shënimeve si shëndetësisë, ndërlidhjes, këmbësorisë dhe xhenios. Në pavijonin e parë (të periudhës 1450-1900) ka armatime të ndryshëm. Në këtë pavijon janë ekspozuar edhe pisqollat, ku natyrisht duke qenë pjesë e Perandorisë Osmane kishim edhe marrjen dhe dhënien e armatimit, ku ka raste që ka edhe armatim të personalizuar që i përkasin periudhës Osmane të dekoruara më ar dhe materiale të tjera. Përveç armëve individuale vinin edhe armë të tjera për drejtues të ndryshëm që kishin raporte me Perandorinë Osmane”, shprehet Zemani.
Ai thekson se do të vazhdojnë ta pasurojnë muzeun me objekte dhe armë, sidomos me armët e vjetra që janë përdorur në periudhën Osmane, por edhe të periudhave të tjera historike.
Vizitorët dhe studiuesit shfaqin interes
Për shkak natyrës së veçantë që ka si muze, shfaqin interes për ta vizituar studiues dhe vizitorë nga vende të ndryshme, duke qenë një destinacion unik.
“Ky është një muze specifik dhe i veçantë dhe jemi munduar ta popullarizojmë. Vizitorët kryesisht janë nga vendet anëtare të NATO-s. Ne festa të ndryshme kombëtare e kemi mbajtur hapur që ta vizitojnë edhe të huajt nga vende të ndryshme. Vizitorët janë nga Turqia, Danimarka, Holanda, Polonia dhe nga vendet e Ballkanit, që kanë shfaqur interes ose mendime për bashkëpunime dhe shkëmbime të ndryshme për objektet”, tregon Zemani.
Në fund ai shton se muzeu në fjalë është kandidat për të marrë licencën nga autoritetet për të patur statusin e një muzeu kombëtar.