Mustafi drejt rikthimit në Serie A, kërkohet nga gjiganti italian

Shkodran Mustafi pritet të jetë njëri nga lojtarët e parë të larguar nga Arsenali në afatin kalimtar të janarit.

Mbrojtësi shqiptar ka humbur vendin e titullarit tek klubi londinez dhe largimi nga ‘Emirates Stadium’ duket i pashmangshëm, shkruan telegrafi.

E ardhmja e tij duket se do të jetë përsëri në Serie A, kampionat që i dha famën mbrojtësit shqiptar.

27-vjeçari është bërë objektiv i Milanit që kërkon ta përforcojë repartin e mbrojtjes.

Rossonerët që kanë nënshkruar tani me Zlatan Ibrahimovic, mendojnë të ofrojnë rreth 15 milionë euro për shqiptarin.

Gjithsesi për lojtarin ka interesim edhe nga skuadra gjermane dhe ato spanjolle.

Në rast nënshkrimit me Milanin, për Mustafin do të ishte një rikthim në futbollin italian ku luajti për dy vite e gjysmë me Sampdorian.

Më parë shqiptari me pasaportë gjermane ka luajtur edhe për Hamburgun, Evertonin dhe Valencian para se t’i bashkohej Arsenalit në verën e vitit 2016.