Qeveria e Kosovës është zotuar sërish se institucionet e vendit do të punojnë maksimalisht për plotësimin e kritereve të mbetura për heqjen e vizave.
Zotimi i ritheksuar, kësaj radhe është bërë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas takimit të zhvilluar në Prishtinë me Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson.
Mustafa tha se institucionet e Kosovës do të punojnë për plotësimin e dy kritereve të mbetura për heqjen e vizave për qytetarët kosovëarë nga vendet evropiane.
“Do të punojmë në ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi, në bashkëpunim me opozitën, banorët e asaj ane dhe të gjithë akterët. Por, territori i Kosovës mbetet i pandryshuar me këtë vijë kufitare”, tha Mustafa.
Tutje, ai tha po ashtu se ka dhënë zotimin edhe rreth kriterit tjetër të kërkuar për liberalizim, atë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, kryeministri Mustafa tha se vlerësuan se duhet të punojmë në çuarjen përpara në dialogut me Serbinë.
“Me prioritet do të angazhohemi në marrëveshjet e arritura dhe me prioritet do të hapim edhe çështje të tjera me interes”, tha Mustafa.
Christian Danielsson ka nisur sot vizitën e tij në Prishtinë. Ai pritet të zhvillojë takime edhe me zyrtarë tjerë të institucioneve, ndërkaq të martën do të ketë një takim dhe konferencë të përbashkët edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.