Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka folur rreth korrupsionit në Kosovë.
Ai ka thënë se të gjithë në Kosovë kanë për të thënë shumëçka lidhur me korrupsionin, por ato akuza më shumë i ngjajnë biznesit për të fituar para e për të fshehur burimet e parasë së përvetësuar se sa një vullneti për ta luftuar atë.
Lexoni postimin e plotë të Mustafës:
Një realitet
I thash para disa muajve një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, që merrej me sundimin e ligjit në Kosovë, pse nëse keni informacione konkrete për korrupsionin në nivelet e larta nuk po merrni masa. Ne do tu përkrahim në çdo veprim të ligjshëm.
Përgjigja e tij ishte se korrupsioni është çështje e kulturës. Është dëshmi sesa qytetarët e donë shtetin e tyre. Në vendin tuaj sikurse edhe në disa vende përreth njerëzit më me ëndje e akuzojnë qeverinë, institucionet, bizneset se janë të korruptuara sesa që kanë gatishmëri që atë ta argumentojnë dhe ta dëshmojnë. Ju , po sa ti zgjidhni njerëzit i shpallni të korruptuar, pa marrë parasysh se çfarë kanë punuar më parë dhe cilës pjese të shoqërisë u takojnë. Në vendet tjera, korrupsioni nuk është temë e përditshme e publikut por është çështje e organeve të cilat e ndjekin dhe marrin masa. Prandaj askush nuk shpallet i korruptuar pa vendim të drejtësisë. Këto janë dallime kulturash shtetërore, ata që e donë shtetin e tyre nuk e sulmojnë por e ndihmojnë.
Në Kosovë s’gjen askënd që nuk e ka plot gojën akuza kundër korrupsionit. As ata që kanë zënë punë me lidhje të llojllojshme as ata që janë diskriminuar gjatë punësimit. As ata që kanë privatizuar pasuri të paimagjinueshme e para lufte s’kanë pasur asgjë e as ata që jetojnë nga puna e tyre. Kritikojnë pronarët e kështjellave dhe pallateve, pa fije turpi se me cilat para i kanë ndërtuar ato por edhe disa bosë që falë donacioneve të jashtme dhe gjeturisë menjëherë pas lufte kanë monopolizuar një sferë të shoqërisë. Prandaj ajo çfarë mund të jetë më e saktë, deklarimet kundër korrupsionit më shumë po përngjajnë në biznes për të fituar para dhe për të fshehur burimet e parasë së përvetësuar sesa një vullnet që ai të luftohet.
Ne duhet të kemi guxim qytetar dhe vullnet politik të shohim edhe gjerat shumë të mira që po ndodhin në këtë vend. Rritjen ekonomike që e kemi më të lartë sesa vendet fqinje, infrastrukturën rrugore shumë të përparuar, stabilitetit buxhetor, rezultatet e mira në bujqësi, standardin e banimit, që asgjë nuk ngecë nga shumë vende fqinje dhe vende tjera, përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Projektin amerikan të MCC-isë, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit… Kemi popullatë dhe rini të arsimuar mirë dhe të edukuar. Traditë të urtësisë dhe respektit në komunikim e shumicës dërmuese.
Mund të arrijmë ta mposhtim edhe korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi institucione të cilat po tregohen të vendosura dhe kredibile, policinë, prokurorinë, gjyqësinë. Kemi vullnetin e qeverisë të mos lejoj që njerëzit e inkriminuar në krim dhe korrupsion të punojnë në institucione qeveritare.
Ajo që na nevojitet si vullnet i përbashkët është që të lirojmë nga kapja çdo segment të shtetit. Jo për ta çkapur nga njëra palë dhe për ta kapur nga pala tjetër. Por, për të krijuar hapësirë që të veprojë ligji pa ndikim politik.