Mustafa: S’mund të ndërtojmë të ardhme pa u marrë me të kaluarën

Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk mund të ndërtojnë një të ardhme bashkë nëse nuk merren dhe nuk e qartësojnë të kaluarën historike.

Këto fjalë ai i ka thënë gjatë forumit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtimin të iniciuar nga Presidenti Hashim Thaçi, ku ndër të tjerash ka shtuar se duhet ndëshkuar ata që kanë bërë krime.

“Krimet e luftës s’do të harrohen dhe natyrisht se do të merremi me to. Duke u ballafaquar guximshëm me të kaluarën tonë ne fitojmë besimin dhe forcojmë shpresën e qytetarëve tanë për të ndërtuar të ardhme të sigurt. E kaluara nuk mund të na pengojë në ndërtimin e së ardhmes, nëse ndjekim dhe ndëshkojmë ata që kanë bërë krime”, ka deklaruar Mustafa, raporton Klan Kosova.

Kreu i Qeverisë ka shtuar se e ardhmja e dy vendeve pavarësisht asaj që ka ndodhur në të kaluarën, s’duhet të mbetet peng i historisë.

“Duhet të merremi me të kaluarën por pa frikë se e dëmtojmë të sotmen. Kemi një memorie historike dhe individuale për të gjitha ato që kemi kapërcyer në të kaluarën, por nuk dëshirojmë të bëhemi peng i kësaj të kaluare. Por këtë mund ta tejkalojmë vetëm duke zbardhur fatin e të pagjeturve, zbardhen vrasjet dhe dhunimet që kanë ndodhur gjatë luftës”.

“E gjithë kjo do të ndihmojë që ta qartësojmë një të ardhme të përbashkët”, është shprehur Kryeministri.