Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, deklaroi se bashkimi i 5 partive politike shqiptarë në një listë të vetme do t’u mundësojë një përfaqësim më të mirë në Kuvendin e Serbisë.
Mustafa ka thënë se beson që qytetarët do t’i përgjigjen thirrjes nga Tirana e Prishtina për Luginën e Bashkuar.
“Edhe procesi zgjedhor në 59 vendvotime në Komunën e Bujanocit është hapur me kohë, pavarësisht disa mangësive të vogla. Gjithashtu, 38 vendvotimet në Komunën e Preshevës janë hapur me kohë. Shpresoj që thirrjes për Luginën e Bashkuar të koalicionit të 5 partive politike do t’i përgjigjen qytetarët. Pasi që ka një mbështetje të fuqishme edhe nga Tirana dhe Prishtina, kjo siguron që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë një zë më të fuqishëm në Parlamentin në Beograd, krahas kësaj të trajtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme çështjen e Luginës së Preshevës”, tha ai.
Mustafa ka ftuar qytetarët që në orët e mbetura të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Shpresoj që qytetarët do t’i përgjigjen ftesës për zgjedhjet parlamentare dhe njëkohësisht për zgjedhjet lokale në Komunën e Bujanocit, ngase bashkë mundemi dhe bashkë do të duhet, krahas kësaj si një zë i përbashkët i gjithë shqiptarëve të kërkojnë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës…Besoj që krahas do të ketë një qasje më të mirë dhe më sistematike, sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Beograd. Ajo çka është e rëndësishme që i tërë procesi zgjedhor në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është duke u mbarëvajtur dhe është një dalje mbi 30 për qind deri në këto momente”, tha ai.
Mustafa tha se nga bashkimi i partive shqiptare në një listë të vetëm, presin që të marrin tri mandate.
“Në rast se kanë pasur investim të energjive dhe sinqeritetit në këtë koalicion unë shpresoj që do të arrijë që të kenë një zë më të fuqishëm sesa deri më tani me vetëm një deputet. Ne do të duhej të angazhoheshim dhe të mobilizoheshim që të kemi më shumë se tre”, tha ai./KosovaPress