Ballina Lajmet Kosovë Mustafa: Roli i gruas, vendimtar për një Kosovë prosperuese

Mustafa: Roli i gruas, vendimtar për një Kosovë prosperuese

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë sot në Lansimin e Raportit për zbatimin e programit 2008-2013 të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore. Në këtë ceremoni, pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, ministrja për Integrime Evropiane, Mimoza Ahmetaj, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, si dhe zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci.

Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast, ka përmendur rrugëtimin historik të grave për barazi, i nisur 116 vjet më parë me Marshimin e Grave për të drejtat e tyre, duke theksuar se këtij rrugëtimi i kanë kontribuar edhe gratë kosovare, që me shekuj luftuan për të drejtat e tyre.

“Ne jemi të privilegjuar që sot kemi gra në institucionet e Republikës së Kosovës, në Parlament, në Qeveri dhe në të gjitha institucionet tjera, dhe se ato po japin kontribut të rëndësishëm të ndërtimit të këtyre institucioneve, se ato kanë bërë sakrifica të mëdha edhe në luftë edhe pas luftës, dhe se kjo që sot ne po gëzohemi, është rezultat para së gjithash i një aktiviteti dhe i një kontributi të veçantë të gruas në ndërtimin e këtyre institucioneve” tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri theksoi se barazia gjinore është proces afatgjatë, që kërkon vëmendjen e të gjithëve, investime adekuate dhe punë të përhershme, në mënyrë që të sigurohen rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.

“Tani një çështje për të cilën ne bashkërisht kemi vlerësuar se ka dhënë rezultate të mëdha, është regjistrimi i pronave në emër të grave, përkatësisht në emër të të dy bashkëshortëve, dhe ne kemi qëndrimin si Qeveri që të zgjasim edhe më tutje afatin e regjistrimit të këtyre pronave, në mënyrë që të sigurojmë masa që të bashkëshortet të jenë të barabartë sa i përket përkatësisë pronësore, por edhe që të krijojmë parakushte që kjo pronë të shfrytëzohet nga gratë për efekte ekonomike, për efekte zhvillimore, pasi që të gjitha studimet dhe analizat tregojnë se aty ku gratë janë të barabarta dhe ku kemi kontribut të tyre, edhe zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi social është shumë më i shpejt dhe më i qëndrueshëm” tha kryeministri Mustafa.

Megjithatë, kryeministri Mustafa tha se duhet ende punë për tu bërë në parandalimin e luftës kundër dhunës ndaj gruas. Po ashtu, është e nevojshme rritja e kapaciteteve, fuqizimit të administratës publike dhe komunikim efektiv e koordinim efiçient ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Kemi vlerësuar të gjithë se pavarësisht arritjeve në parandalimin e luftës kundër dhunës ndaj gruas, mbetet akoma shumë për të bërë. Qeveria e ka aprovuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit, i cili plan i veprimit na bashkon në një platformë të përbashkët veprimi, institucionet e Republikës së Kosovës, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe partnerët vendorë, që do të mundësoj edhe integrimin e fuqishëm të grave në institucione, në shoqëri, dhe gjithsesi edhe largimin e dhunës dhe ciklit të dhunës” tha kryeministri.

Duke folur për dy dokumentet e prezantuara, Raportin e Vlerësimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2008-2013, si dhe hulumtimin “Gratë në mediat e shkruara” të periudhës 2014-2015, kryeministri Mustafa potencoi faktet inkurajuese që ofrohen në këto dokumente. Po ashtu, kryeministri bëri të ditur se tashmë ka filluar puna në hartimin e programit të ri të Kosovës për Barazi Gjinore, për çfarë tashmë është krijuar grup punues.

“Ajo që ne synojmë me këtë Program, është që ai duhet të reflektoj nevojat dhe kërkesat e shoqërisë kosovare, si të një shoqërie evropiane, e cila ka prioritet avancimin e pozitës së grave dhe vajzave kosovare, përmbushjen e ëndrrave dhe ambicieve të tyre për një zhvillim të qëndrueshëm, dhe krijimin dhe forcimin e vlerave të reja, të mundësive të barabarta, të forcimit të dinjitetit, të jetës së sigurt, dhe të një shoqërie e cila do të ketë prosperitet dhe do të ofroj paqe.

Unë jam shumë i sigurt që me angazhimin tuaj, por edhe të grave që nuk janë së bashku me ne këtu, ne do të arrijmë ta ndërtojmë një shoqëri prosperuese, një shoqëri që para së gjithash do të krenohen fëmijët tuaj, fëmijët tanë, dhe gjeneratat që vijnë pas nesh” tha kryeministri Mustafa.

Ambasadori i Suedisë, Henrik Nilsson, u shpreh i kënaqur me punën e përbashkët që po bëhet me Qeverinë e Kosovës për përmirësimin e barazisë gjinore.

“Përmbushja e të drejtave të grave dhe vajzave, është jo vetëm detyrim në përputhje me angazhimin ndërkombëtar, por edhe parakusht për arritjen e synimeve tona në zhvillim, demokraci, paqe dhe siguri. Ne duam që të kemi fuqizim të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, pavarësisht se në çfarë vendi jetojnë. Në këtë mënyrë, qëndrueshmëria e shoqërive tona rritet” tha ambasadori.

Ministrja e Integrimeve Evropian, Mimoza Ahmetaj, vlerësoi progresit e arritur, por theksoi se ende duhet punë për t’u bërë.

“Duhet theksuar se vetëm me masa ligjore nuk arrihet barazia gjinore, por mendoj se ne duhet të jemi të përkushtuar dhe të investojmë në arsim dhe se vetëdijësimi për barazi gjinore duhet të filloj që nga shkolla dhe pastaj do të jetë shumë më lehtë të aplikohet në gjithë sistemin” theksoi ministrja Ahmetaj.

Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, theksoi përkushtimin e agjencisë që drejton, por edhe të Qeverisë në përgjithësi në përmbushjen e obligimeve ligjore.

“Kemi identifikuar sfidat të cilat na pengojnë në rrugën e arritjes së barazisë gjinore si dhe rezultatet të cilat na inkurajojnë për nisma të reja, politika të qëndrueshme, dhe bashkëpunim ndërinstitucional” theksoi Gusia.

Prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Programit të Kosovës për barazi gjinore 2008-2013” e bëri Ardiana Gashi nga konzorciumi “NIRAS/SIDA”.

“Ky program ka synuar që t’i njohë të drejtat e grave, t’i ofrojë të gjitha grave mundësinë të kontribuojnë, por në anën tjetër t’i vjelin rezultatet nga puna e tyre. Ky program gjithashtu ka synuar që të rrisë qasjen e grave në arsim cilësor, të përmirësojë shëndetin e grave, të mundësojë fuqizimin e grave, të përmirësoje indikatorët e tregut të punës, të përmirësojë situatën ekonomike të grave dhe të vajzave në Kosovë, si dhe të sigurojë pjesëmarrje të barabartë të grave në pozita vendimmarrëse” tha ajo.

Ndërkaq, Arbër Kuçi, konsulent i financuar nga SIDA, ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit “Gratë në mediat e shkruara 2014-2015”.

Exit mobile version