Mustafa: Përmes këtij trendi të zhvillimit ekonomik do t’i zgjidhim të gjitha sfidat tjera

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të takimeve konsultuese me bizneset kosovare, ka mbajtur sot një takim me përfaqësues të dhjetëra bizneseve të rajonit të Prizrenit.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Financave, Avdullah Hoti, përfaqësues nga Administrata Tatimore, Doganat, Oda Ekonomike e Kosovës, dhe institucionet tjera.

Kryeministri Mustafa falënderoi bizneset për interesimin e treguar për të gjetur zgjidhje të përbashkëta në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Nuk ka për Qeverinë ndonjë fushë më të rëndësishme sesa ajo e zhvillimit ekonomik, e punësimit dhe e konkurrencës, karshi mundësive që neve na janë dhënë me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim” tha kryeministri.

Ekonomia e Prizrenit, sipas kryeministrit, është më karakteristike sesa ajo e qyteteve tjera, meqë biznesmenët e suksesshëm arrijnë jo vetëm të përballojnë konkurrencën e brendshme, por edhe atë të jashtme. Andaj, kryeministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me biznese për të parë se çfarë duhet korrigjuar në politikat ekonomike, fiskale dhe tregtare, që edhe më tutje të lehtësohet të bërit biznes, dhe që bizneset mos të kenë as shpenzime e as ngarkesa më shumë sesa konkurrentët e tyre në rajon. E gjithë kjo, sipas kryeministrit, do të mundësoj që të ketë punësim produktiv dhe zgjidhje të problemeve sociale.

“Këto probleme ne jemi të interesuar që t’i zgjidhim përmes zhvillimit ekonomik, jo përmes politikave pasive sociale, përmes punësimit më të madh dhe vetë fakti që ne kemi njëzet mijë firma në Prizren, kemi pas një rritje të firmave prej rreth 6 mijë firmave nga viti 2015-2016 e deri më tani, flet se ambienti i të bërit biznes këtu është i mirë. Përndryshe, në disa vende ne kemi trende negative sa i përket themelimit të firmave të reja dhe shuarjes së firmave gjatë një viti, këtu kemi trende pozitive”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa foli edhe për përfitimet nga pakoja e parë fiskale, e cila është bërë në konsultim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe përfaqësues nga bizneset. Përveç kësaj, kryeministri përmendi faljen e borxheve si njëra nga politikat më të rëndësishme, që shkarkoi bizneset nga ngarkesa e tepërt, si dhe politikat tjera të nxjerra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Bujqësisë. Për këtë arsye, kryeministri Mustafa tha se mbetet më e rëndësishme ekonomia sesa politika.

“E kemi pikën e parë, orientimin e parë, edhe pse ne po na imponohen temat politike, demarkacioni, asociacioni dhe temat tjera. Ato janë tema të cilat një shtet duhet t’i kapërcejë, por nuk jetohet shumë prej tyre. Ajo që ne duhet ta zhvillojmë për të jetuar dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve është zhvillimi ekonomik, arsimi cilësor, shëndetësia cilësore. Ju keni hapur edhe problemin e lëvizjes së lirë dhe atë se ju nuk po mund të qarkulloni dhe s’po mund të merrni pjesë në panaire dhe në kontakte me partnerët e juaj, sidomos në vendet e Evropës Perëndimore për shkak të regjimit të vizave. E di që është një çështje të cilën ne duhet ta tejkalojmë, sepse e kufizon mundësinë që ne të jemi të barabartë me të tjerët, të jemi pjesë e tregut evropian, ngase tregu evropian i ka disa karakteristika, e ka lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, të kapitalit dhe të dijes. Në qoftë se ne nuk kemi lëvizje të lirë të njerëzve, ne mund të themi se jemi pjesë e Evropës edhe e tregut evropian, por nuk kemi qasje në atë treg kur ju duhet të pritni nga 3 deri 6 muaj për të marrë një vizë, e cila fillon të skadojë ende pa u nisur atje, sepse ua japin me afat shkumë të shkurtër”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa foli edhe për Agjendën Evropiane të Reformave, që synon rritjen e konkurueshmërisë së bizneseve brenda dhe jashtë. Rritja e prodhimit të brendshëm, për kryeministrin do të arrij dy efekte, të zvogëloj importin e produkteve që mund të zëvendësohen me produkte vendore, dhe të rris eksportin e prodhimeve vendore jashtë. Përveç kësaj, objektiv tjetër i kësaj Agjende është forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe harmonizimi i tregut të punës me arsimin.

“Kemi informata edhe prej bizneseve se ajo që ju kërkoni në tregun e punës nuk e gjeni nganjëherë si profil të njerëzve që juve ju nevojiten, ndërkaq kemi mjaftë shumë të ri që nuk është faji i tyre që shkollohen, kualifikohen, përgatiten për një treg për të cilin ata nuk gjejnë pastaj kërkesë dhe që ne jemi të interesuar këtë ta orientojmë”, tha kryeministri.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi kërkoi që edhe biznesmenët, përveç përfitimeve nga pakot fiskale, të ndihmojnë shtetin në luftimin e informalitetit.

“Pakoja dy i ka 15 deri në 20 mijë produkte që lirohen nga Dogana. Prandaj është një lëvizje që ka me pas një kosto në të hyrat vetanake të shtetit. Do të ketë lehtësira, por do të kërkojmë nga ju që të na bashkoheni në luftimin e informalitetit dhe formalizimin e të punësuarve që punojnë tek ju”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka prezantuar efektet e pakos së parë dhe masat që deri më tani janë përfshirë në pakon e dytë fiskale. Sipas Hotit, falja e borxheve, që shkon deri në 400 milionë euro, ka krijuar një momentum të ri për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa, sipas një analize në Ministrinë që ai drejton, përfitimet e drejtpërdrejta të bizneseve nga pakoja e parë janë rreth 47 milionë euro.

“Këto masa, së bashku me inflacionin që ka qenë pothuajse zero në dy vitet e fundit, e ka zvogëluar koston e jetesës, në veçanti për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që shumicën e atë ardhurave e shpenzojnë për të blerë mallra bazike ushqimore dhe mallra tjera”, tha ministri Hoti.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomikë të Kosovës, ndër të tjera përmendi vlerësimet e faktorit ndërkombëtar për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Por, ai tha se nuk duhet të kënaqemi me këto të arritura.
“Jemi këtu që bashkë të gjejmë modalitete, të kemi nga ju rekomandime të cilat do të jenë në funksion të përmirësimit të ambientit biznesor, në funksion të fuqizimit të sektorit privat dhe në funksion të avancimit të prodhimit në Kosovë. Është e vërtet se ka indikator që na obligojnë të punojmë më tepër, por prania e kryeministrit dhe stafit të tij dëshmon se përkushtimi për proceset ekonomike dhe për zhvillim ekonomik nuk ka alternativë”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se arritja e stabilitetit politik, social, përmirësimi i imazhit dhe përshpejtimi i proceseve integruese, kanë një emërues të përbashkët, zhvillimin ekonomik.
Përfaqësuesit e bizneseve janë shprehur të kënaqur që më në fund Qeveria dhe Ministria e Financave i trajton ata si partnerë të devotshëm në bërjen e politikave të reja. Ata vlerësuan në veçanti përkrahjen e gjithanshme të kabinetit qeveritar për të adresua çdo shqetësim të tyre, e cila, siç u shprehën përfaqësuesit e bizneseve, ka rezultuar me përmirësim të madh të ambientit të të bërit biznes.
Ata kanë prezantuar edhe disa kërkesa dhe sfida me të cilat ballafaqohen, duke shprehur besimin e tyre se kjo Qeveri, përmes pakos fiskale dhe formave tjera do t’i eliminoj.

Në fund të debatit, kryeministri Mustafa, tha se edhe më tutje duhet të bëjmë korrigjime në ndërtimin e politikave, të cilat na bëjnë më konkurrent dhe më të mirë si ekonomi.
“Kemi disa vlerësime edhe nga institucionet ndërkombëtare lidhur me të bërit biznes dhe se jemi treguar më të mirë në një fushë në krijimin e këtyre kushteve të të bërit biznes dhe kemi marrë çmimin e parë në takimin botëror të bizneseve, por jemi të interesuar ta rrisim ekonominë edhe më tutje, të kemi rritjen më të madhe ekonomike sesa që kemi”, tha kryeministri Mustafa.

Më tej kryeministri tha se është shënuar një rritje ekonomike prej 4 për qind gjatë këtyre dy viteve që është më e madhe sesa në regjion, por duke pasur parasysh nevojat duhet të arrijmë më tepër se 6 për qind për të përballuar nevojën e punësimit.
Kryeministri Mustafa, foli për pakon e dytë fiskale, duke siguruar se para fundit të këtij muaji do ta aprovojmë në Qeveri. “Do të punojmë rreth zonës ekonomike të cilën do ta bëjmë në Prizren, është punë e cila do të kryhet shumë shpejt. Tash i kemi kushtet më të mira me rregullimin e çështjeve pronësore, çështjet tjera mbetet të procedohen”, tha kryeministri Mustafa, duke theksuar edhe themelimin e Fondit për inovacione, në mënyrë që ata që bëjnë zbulime të reja të kenë mbështetjen e Qeverisë.

Kryeministri tha se pas përmbylljes së pakos së dytë fiskale, do të punohet bashkë me biznese, me Odën ekonomike dhe asociacionet tjera të bizneseve të bëhen përgatitjet për fazën e tretë. “Ne do të krijojmë kushte ku duhet domosdoshmërisht ose të jemi të barabartë ose ta kapërcejmë konkurrencën jo vetëm në nivelin regjional, por edhe atë evropian. Atje mund të arrijmë dhe për këtë jam shumë i bindur sepse kemi njerëz shumë të dijshëm”, tha kryeministri Isa Mustafa.