Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Mustafa, do të kërkojë që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të Demarkacionit, dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbushë këtë kriter, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave.
Kryeministri Mustafa ka deklaruar së fundmi se këtë çështje e ka diskutuar me Përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ku sipas tij, ministri gjerman ka premtuar se kërkesa do të merret parasysh.
Mirëpo, njohësit e integrimeve evropiane dhe ata të zhvillimeve politike konsiderojnë se një kërkesë e tillë nga ana e Kosovë është e vonuar.
Ata thonë se edhe në rast se një kërkese e tillë pranohet, ajo mund të vonojë shumë derisa të miratohet nga Brukseli.
Besa Shahini, njohëse e integrimeve evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se ka raste në të kaluarën kur Komisionit Evropian i janë drejtuar kërkesa që jo domosdoshmërish kanë qenë relevante për proceset integruese, dhe në disa raste, BE-ja ka pranuar t’i heq disa nga kriteret e përcaktuara.
Ajo ka përmendur si shembull rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës, kur në vitin 2011, BE-ja kishte kërkuar që ta ndryshonte mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
Megjithatë, në rastin e Kosovës Shahini thotë se ideja e kryeministrit Mustafa, në këtë moment, vështirë se mund të has në mirëkuptim, pasi që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e kanë vendosur gjithë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Nëse kryeministri kërkon një gjë të tillë kjo është e mirë, por kjo nuk do të thotë që Komisioni Evropian do të tërhiqet prej një kërkese edhe nëse nuk është kërkesë relevante për procesin e liberalizmit të vizave, siç nuk është ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”.
“Edhe në këtë rast ata do të merrnin shumë kohë derisa të tërhiqeshin nga kërkesa e tyre, që do të thotë se prapë se prapë kanë për të kaluar shumë vite”, tha Shahini.
Kurse, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se marrë parasysh qëndrimin e deritashëm të BE-së, nuk beson se kjo çështje do të gjejë kompromis.
Ai pohon po ashtu se në ketë drejtim varet shumë edhe nga vullneti i Gjermanisë brenda BE-së, si shteti më me ndikim.
“Kryeministri Isa Mustafa është dashur ta kërkojë një gjë të tillë kohë më parë, e jo tash kur po e sheh se e ka të pamundur të sigurojë votat për kalimin e demarkacionit. Ai dhe partneri i tij i koalicionit, Kadri Veseli, e kanë përgjegjësinë që ta kalojnë këtë marrëveshje”.
“Gjatë gjithë kohës Mustafa ka zgjedhur qasje përjashtuese, e jo gjithëpërfshirëse. Kokëfortësia e tij ka bërë që çështja të bllokohet dhe vetëm tash, kur është bërë vonë, t’i bie ndërmend që të kërkojë zgjidhje tjetër”, tha Mushkolaj.
Çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shihet si pengesa kryesore për procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës, por Besa Shahini mendon se edhe nëse përmbushen kriteret e fundit në këtë proces, ku bëjnë pjesë kriteri për ratifikimin e Demarkacionit dhe ai për luftimin e krimit dhe korrupsionit, prapë liberalizimi, sipas saj, do të jetë problem.
“Nga ana e BE-se, duket se nuk ka disponim për liberalizimin e vizave për Kosovën edhe nëse kalon demarkimi i kufirit me Malin e Zi. Ka shtete anëtaret që janë duke kaluar në zgjedhje. Ato e shohin Kosovën si rrezik migrimi ,edhe nuk ka shumë disponim në shtetet e rëndësishme anëtare si Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika, që Kosovës t’i lejohet liberalizimi i vizave shpejt”, tha Shahini.
Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do ta paraqes kërkesën e tij në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai kishte paralajmëruar që këtë muaj ta procedojë për ratifikim në Kuvend, Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por në mungesë të votave, tani është vënë në kërkim të një zgjidhjeje alternative.
Marrëveshja aktuale, nuk po mbështetet jo vetëm nga partitë opozitare, të cilat po kërkojnë rinegociim me Malin e Zi, por as nga një numër i deputetëve të partive në pushtet.