Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se trafiku i narkotikëve në Kosovë është duke u luftuar në masë të kënaqshme.
Ai këtë koment e ka bërë duke folur për vizitën që është duke bërë një mision ndërkombëtar lidhur me ruajtjen dhe shkatërrimin e narkotikëve të konfiskuar nga Policia e Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Misioni për kontrollin e drogave do të jetë për disa ditë në Kosovë, me ç’rast do të bisedojnë me zyrtarë të institucioneve të ndryshme të Kosovës, për të parë sa e kemi ne legjislacionin konform atij të Bashkimit Evropian”.
Mustafa ka deklaruar se ende nuk i dinë përshtypjet e misionit që është ende duke zhvilluar vizitë në Kosovë, ndërsa ka lavdëruar punën që bën policia në konfiskimin, ruajtjen dhe shkatërrimin e drogave të ndryshme.
“Sa i përket luftës që bëhet ndaj narkotikëve, ata janë të kënaqur. Ndërsa lidhur me çështjet tjera ende nuk e dimë, pasi në fund të vizitës së tyre do të kemi një takim për ta kuptuar këtë gjë. Mendoj që Policia e Kosovës ua ka shpjeguar si bëhet edhe ruajtja edhe asgjësimi i drogave të konfiskuara. Ajo që bëhet sot në dhomën e dëshmive është punë e kryer me profesionalizëm të madh”.
“Viteve të fundit ka gatishmëri të vendeve fqinje për të bashkëpunuar në luftën ndaj narkotikëve. Ka po ashtu një rritje të profesionalizmit të policisë në këtë drejtim. Në aspekt të numrit të përdoruesve të narkotikëve, asnjë shtet nuk mund të flasë me saktësi shifrash”.
“Kur të jepen shifrat duhet pasur kujdes lidhur me saktësinë e saj. Sepse të thuhet nga 15 mijë deri në 30 mijë përdorues, atëherë kemi një dallim prej 100 për qind. Mund të them që mosha prej 18-21 është me më së shumti përdorues të narkotikëve. Por nëse punojmë në vetëdijesim duhet që t’i kemi cak gjeneratat e reja, pasi ato janë cak edhe i narko-grupeve”.