Isa Mustafa kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje në ç’do kohë.
Mustafa të premten gjatë fjalimi të tij, para anëtarësisë së LDK-së në 27 vjetorin e themelimit të partisë, është shprehur se duan që të respektohet marrëveshja dhe zgjedhjet të mbahen në kohën e caktuar më Kushtetutë.
“LDK-ja është e gatshme për zgjedhje në çdo kohë. Lidhja Demokratike respekton mandatin legjitim të fituar nga qytetarët, dhe nuk e zhgënjen këtë besim për asnjë interes. LDK-ja ka treguar gjithmonë se nuk e sakrifikon interesin e qytetarëve, për teket politike të dikujt, e as për interesat e LDK-së”, ka thënë Mustafa, në tubimin ceremonial të 27 vjetorit të themelimit të LDK-së, raporton Klan Kosova.
Mustafa tha se LDK është parti e rëndësishme pa vendimin e së cilës nuk merren vendime të rëndësishme për vendin.
“Në Kosovë as nuk janë marrë e as nuk merren vendime të rëndësishme pa LDK-në. Kjo për shkak se Lidhja Demokratike, jo vetëm që është forcë serioze politike, por vendimmarrëse e rëndësishme në skenën politike që 27 vjet”.
Kreu i LDK-së shprehu mirënjohje të përjetshme për themeluesin e kësaj partie ish-presidentin, Ibrahim Rugova.