Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa sot mori pjesë si kryesues në mbledhjen e shtatë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE). Në këtë mbledhje përveç kryeministrit Mustafa morën pjesë edhe anëtarët e KKZHE-së, ministrat, deputetët, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe të Bankës Botërore, si forumi ekonomik i grave, forum i cili mori pjesë për herë të parë në këtë mbledhje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin hyrës ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se kjo mbledhje tani është shndërruar në një mekanizëm mjaft funksional të dialogut publik dhe privat, i cili po punon në një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës, pra në përmirësimin e mjedisit afarist në vend.
“Gjatë këtij viti janë shënuar një varg zhvillimesh pozitive lidhur me avancimin e axhendës sonë ekonomike dhe në këtë rast dua të falënderoj kryeministrin e vendit për lidershipin e tij, kolegët nga Këshilli kombëtar për zhvillim ekonomik për angazhimin e tyre dhe asociacionet e biznesit të cilat kanë qenë mjaft aktive dhe bashkëpunuese dhe konstruktive duke kontribuar kështu në thellimin e dialogut me institucionet qeveritare në funksion të lehtësimit të punës së biznesit dhe të krijimit të politikave në favor të biznesit nga vendi dhe tërheqjes së investimeve nga jashtë”, tha ajo.
Kurse kryeministri Isa Mustafa, i cili hapi punimet e mbledhjes duke thënë se zhvillimi ekonomik i vendit, përkundër një ambienti të jopërshtatshëm politik, është prioriteti i parë dhe ai kryesor i Qeverisë së Kosovës. Ai theksoi se nëpërmjet politikave fiskale kanë arritur të zhvillojnë një ambient të favorshëm për të bërë biznes.
Ai po ashtu u ndal në disa procese aktuale nga takimi i kaluar i KKZHE-së, ku shprehu se me nënshkrimin e një marrëveshjeje kornizë me BE-në në takimin e parë të këshillit të Stabilizim Asociimit në Bruksel, është arritur që Kosova të ketë qasje në programet e BE-së, të cilat ofrojnë ndihma financiare të drejtpërdrejta për ndërmarrjet vendore.
“Kemi patur një përmirësim të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të bërit biznes. Kosova është renditur në vendin e 60-të nga ai i 66-të që ka qenë më parë, ndërkaq progrese të veçanta kemi treguar në indikatorët që kanë të bëjnë me fillimin e biznesit, në tregtinë përtej kufive dhe në pagesat e tatimeve, që janë tre fusha shumë të rëndësishme për ne”, tha Mustafa.
Ai po ashtu foli për punën e Qeverisë në përmirësimin e legjislacionit dhe në eliminimin e burokracisë së tepërm, si dhe në implementimin e lehtësisë së çasjes në financa. Kryeministri po ashtu njoftoi se po punohet me BE-në për axhendën e reformave evropiane, duke bërë të ditur se ato kanë të bëjnë me rritjen e konkurueshmërisë së vendit, rritjen e cilësisë në arsim dhe rritjen e punësimit.
Kurse përmes Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Ndërtim Mustafa bëri të ditur se po implementojnë projektin për çertifikimin e produkteve kosovare, gjë që sipas tij, do të ndikojë pozitivisht në hapjen e rrugëve për eksport.
Së fundmi, kryeministri theksoi se për vitin 2016 pritet që Kosova të ketë një rritje më të lartë ekonomike se në vitin 2015, e cila është 4.1 përqind.
“Kemi një trend të mirë të uljes së papunësisë, edhe në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, edhe në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015, gjë që flet se sektori privat po e bën punën e vet dhe se po ndërrojnë mentalitetin që të punësuar nuk konsiderohen vetëm ata që janë në sektorin publik, por se ne jemi përcaktuar në ekonominë e tregut dhe problemin e punësimit mund ta zgjedhim vetëm përmes zhvillimit në këtë fushë”, tha në fund Mustafa.