Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë të martën se koalicioni për të ardhmen, i kryesuar nga LDK ka mbledhur ajkën e mendjes intelektuale.
Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se njerëzit e këtij koalicioni kanë integritet personal e familjar për t’i ofruar zhvillim Kosovës, ç’kapje përfundimtare të shtetit dhe qeverisje evropiane.
Ky është postimi i plotë i Mustafës në Facebook
“Të nderuar qytetarë,
Përmbyllëm listën për deputetë e cila do të bëhet publike nga KQZ-ja.
Koalicioni për të ardhmen, i kryesuar nga LDK ka mbledhur ajkën e mendjes intelektuale, si dhe të zotësive zhvillimore, biznesore e menagjeriale nga LDK, AKR, Alternativa, Lëvizja për Drejtësi dhe shoqëria civile.
Njerëzit tanë kanë integritet personal e familjar për ti ofruar zhvillim Kosovës, ç’kapje përfundimtare të shtetit dhe qeverisje evropiane.
Nuk ofrojnë fjalë, protagonizëm, popullizëm, premtime e afate të kota!
Gra e burra, të rinj e të reja që kanë marrë besimin e këtyre subjekteve politike, kanë respektin e plotë të qytetarëve.
Unike dhe e pandarë për interesat madhore të Kosovës, lista kryesohet nga kandidati për Kryeministër, z. Avdullah Hoti. E ka përkrahjen time të plotë, si Kryetar i LDK-së”.