Mustafa: Kah mesi i marsit zgjidhet kryetari i ri, LDK do rikthehet edhe më fuqishëm

Kryetari në largim i LDK-së, Isa Mustafa ka folur para mediave pas takimit të kryetarëve të degëve të partisë së tij.

Ai ka thënë se LDK-ja do të vazhdojë të punojë në mënyrë normale, dhe se nuk ka dorëheqje të kryetarëve të degëve, shkruan lajmi.net.

“Dorëheqja ime pasi të kryhet Kuvendit, të zgjidhet kryetari i ri, dhe vazhdohet sepse në asnjë rast s’kemi arsye që të merremi me degët. LDK-ja vazhdon në mënyrë normale të punojë, të bëj organizimet dhe ndryshimet e brendshme, por s’ka dorëheqje të kryetarëve të degëve, mirëpo as pranim të dorëheqjeve të tyre”, tha Isa Mustafa

Ai tha se kah mesi i marsit pritet të mbyllet i tërë procesi.

“Ju kemi thanë që të bëjnë propozime dhe do të mundohemi sa më shpejtë të kemi propozimet e degëve dhe kryesisë. Nuk do ta presim 60-ditëshin për mbledhjen e Kuvendit, do të shohim kah mesi i marsit ta përmbyllim këtë proces”, tha tutje Mustafa.

Mustafa foli edhe për arsyet e rënies kaq të madhe të LDK-së.

“Është vështirë të jap një përgjigje, sepse nuk e kemi pritë këtë rezultat dhe nuk kemi pasë asnjë vlerësim të tillë nga fushata që Hoti ka bërë në të gjithë Kosovën. Ka ndodhë një rrëshqitje e votës. LDK-ja ka arsye që ta ruaj programin e vet të qendrës së djathtë. LDK-ja do të rikthehet edhe më fuqishëm në të ardhmen, sepse do ta shohin se çfarë kanë bërë”, tha Mustafa.

I pyetur nga gazetarët, Mustafa tha se nuk beson se Vjosa Osmani ka ndikuar në rënien e LDK-së.

“Puna në terren derisa kem zhvillu fushatë, s’kemi pas asnjë sinjal se ka ndiku Vjosa Osmani. Vota jonë ka shku në VV, kanë votu ndryshimin që ata e kanë promovu”, tha ai.