Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencën e sotme ka theksuar se miratimi i buxhetit për vitin 2017 i hap rrugë realizimit të planeve qeverisëse të partnerëve të koalicionit PDK-LDK.
Ai duke falënderuar deputetët që votuan për miratimin e buxhetit për vitin 2017, tha se për këtë çështje po flasin edhe ata që janë të fushave tjera, megjithatë sipas kryeministrit, ky buxhet mundëson zhvillim ekonomik.
“Me këtë buxhet japim impulsin kryesore të nisjes së përmbylljes së aspektit infrastrukturor. Buxheti nuk është social, por zhvillimor”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se Qeveria është e interesuar që t’i nxisë investimet dhe se për dallim nga viti 2014, tani buxheti i shtetit është për rreth 400 milionë euro më i lartë.
Kurse ministri i Financave, Avdullah Hoti ka thënë se buxheti është i qëndrueshëm dhe i koordinuar me të gjitha institucionet buxhetore duke përfshirë edhe komunat.
Sipas tij, këtë herë është diskutuar edhe me shoqërinë civile, duke e bërë edhe më transparent planifikimin e buxhetit.
“Ky buxhet mundëson rritje për së paku 4%, unë ndjehem mirë me ketë buxhet sepse është i qëndrueshëm dhe realizimi i buxhetit do të jetë shumë i lartë”, ka thënë Hoti.